Mbrojtja e Thaçit dorëzon listën e re të provave në Gjykatën Speciale

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, e udhëhequr nga avokati Luka Mishetiq, ka dorëzuar një listë të ndryshuar të provave në rastin që po zhvillohet ndaj tij dhe bashkë të akuzuarve Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi në Hagë. Sipas “Betimi për Drejtësi”, dorëzimi i kësaj liste është bërë më 31 tetor 2025, pas urdhrit të trupit gjykues që pranoi në prova katër artikuj të rinj që lidhen me dy dëshmitarë të mbrojtjes. Provat për dëshmitarin e parë, përfshijnë versione në shqip dhe anglisht të një interviste të publikuar në “Zëri”, që trajton përvojën e tij gjatë luftës në Kosovë dhe ndërveprimin me UÇK-në e veçanërisht me Thaçin. Ndërsa dokumentet për dëshmitarin e dytë, janë materiale zyrtare të Republikës Federale të Jugosllavisë që lidhen me fundin e gjendjes së luftës më 25 qershor 1999. Mbrojtja argumentoi se këto prova janë relevante dhe nuk dëmtojnë asnjë palë, pasi dëshmitarët do të mund të pyeten për to gjatë procesit. Trupi gjykues, me në krye gjyqtarin Charles Smith III, pranoi këto materiale si pjesë të dosjes së mbrojtjes. Procesi gjyqësor ka hyrë në fazën përfundimtare, pasi më 15 prill 2025 Prokuroria ka përmbyllur paraqitjen e provave të saj. Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për dhjetë pika që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Kaja Kallas: Ka ardhur koha të përfundojë mbikëqyrja ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, deklaroi …