Tema të tjera...
Gjykata speciale në Hagë, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi vazhdoi të hënën marrjen në pyetje të dëshmitarit të parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin për pengim të drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po trajtohen dëshmitarët dhe standardet e transparencës në proces. Dëshmitari, pjesë e stafit të Prokurorisë, ishte ai që kishte nisur dëshminë më 27 shkurt si dëshmitari i parë i akuzës në këtë rast ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Avokatja mbrojtëse Sophie Menegon u fokusua në procedurat e trajtimit të dëshmitarëve në rastin tjetër ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se disa dëshmitarë kanë bërë vetë publike faktin se janë ftuar për të dëshmuar, çka sipas saj vë në dyshim pretendimet për rrezik apo nevojë të zgjeruar për masa mbrojtëse. Si shembull u përmend Rrustem Mustafa, i njohur si “Remi”, për të cilin u tha se kishte deklaruar vetë në media se ishte ftuar për dëshmi në Hagë. Dëshmitari i Prokurorisë konfirmoi se ai nuk ishte vendosur nën masa mbrojtëse, pikërisht për shkak të statusit të tij publik dhe deklarimeve të mëhershme. Gjatë seancës u rikujtua edhe praktika e Prokurorisë që dëshmitarët të udhëtojnë drejt Hagës 7–10 ditë para dëshmisë për përgatitje, duke analizuar deklaratat paraprake dhe materiale të tjera, si dhe mundësia që ata të korrigjojnë apo ndryshojnë dëshminë e tyre, një procedurë që mbrojtja sugjeroi se mund të ndikojë në kredibilitetin e dëshmive. Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se gjatë vitit 2023 kanë ndërhyrë në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së. Prokuroria pretendon se posedon prova, përfshirë audio-incizime nga qendra e paraburgimit në Hagë, ku thuhet se janë dhënë udhëzime për të ndikuar dëshmitarë të caktuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
