leoni

Me nderime ushtarake iu dha lamtumira e fundit nënoficerit, Besim Bajraktari

Me nderime ushtarake iu dha lamtumira e fundit nënoficerit, Besim Bajraktari

Me homazhe në Kazermën ,,Adem Jashari” dhe me ceremoni ushtarake, dje në Batllavë të Podujevës,  në praninë e familjarëve, miqve, shokëve dhe kolegëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u varros me nderime të larta ushtarake  pjesëtari i FSK-së rreshter i parë Besim Bajaraktari. Ceremonia e varrimit filloi me homazhe pranë arkivolit të të ndjerit, rreshter Bajraktarit, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë  dhe më pas kortezhi me përcjellje ushtarake vazhdoi për në varrezat e  fshatit të tij të lindjes në Batllavë,  ku u mbajt ceremonia e varrimit me nderime ushtarake.

Për ta nderuar për jetën dhe veprën e tij në ceremoni kishin ardhur eprorë  dhe kolegë nga FSK-ja, përfaqësues të Komunës, shoqatave të dalura nga lufta e  UÇK-së dhe qytetarë të shumtë. Në emër të Forcës së Sigurisë së Kosovës  foli  zëvendës komandanti i FSK-së,  gjeneral major Enver Cikaqi, i cili pasi  shprehu ngushëllimet familjes, pjesëtarëve të FSK-së, shokëve dhe kolegëve, vlerësoi lartë jetën dhe veprën e rreshterit të parë, Bajraktarit, ku ndër tjera tha: “Njerëzit si Besimi janë të rrallë,  që në personalitetin e tyre i kanë të gërshetuara vlerat më të larta njerëzore si urtësinë, edukimin e lartë akademik, sinqeritetin dhe atdhe-dashurinë.  Ne ndihemi krenarë që bashkërisht ndërtuam themelet e sigurta të ushtrisë së Kosovës, për të cilën Besimi punoi pa-reshtur gjithë jetën”.

Ngushëllime për familjen, shokët, bashkëluftëtarët e ushtarët, shprehën kryetari i Komunës së Podujevës, z.Shpejtim Bulliqi,  kryetari i Organizatës së Veteranëve,  dega në Podujevë, z.Fahri Bala, ndërsa në emër të familjes falënderoi për pjesëmarrje në ceremoni vajza e të ndjerit, Sara Bajraktari. Besimi ka qenë pjesëtar i UÇK-së, në Komandën e Zonës  Operative të Llapit, pas transformimit të UÇK-së ka shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe që nga themelimi i Forcës së  Sigurisë së Kosovës ka kryer detyra dhe pozita të larta të nënoficerit.

Besimi u  nda nga jeta me 17 janar 2022, pas një sëmundje të rëndë,  duke lënë pas vetës bashkëshorten dhe tri vajza. (I.Sh.)

Kontrolloni gjithashtu

Miratohet në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike në Komisionin për Buxhet dhe Transfere

Humbje e jashtëzakonshme në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka pësuar humbje të jashtëzakonshme të mjeteve të kursyera. …