Mehdi Zymer Fazliu (13.9.1976 -18.4.1999)

Mehdi Zymer Fazliu (13.9.1976 -18.4.1999)

Fshati Gradicë i Drenicës, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë dëshmorët: Mehdi Fazliu, Asllan Fazliu, Lec Leci, Milazim Fazliu, Muhamet Dervishi, Antigonë Fazliu, Mehmet Saliuka dhe Hashim Uka.

Babai Zymeri dhe nëna Ajete Fejza rriten bijtë: Asllanin, Rrahmanin, Ganiun, Mehdiun, Hamdiun, Avdiun dhe bijat: Eminen, Zarifen, Hatixhen, Miniren dhe Halimen. Mehdiu rrjedh nga një familje me tradita të theksuar atdhetare.

Në pamundësi për ta thyer dhe për ta nënshtruar këtë familje, regjimi serb kishte ushtruar presion dhe dhunë por nuk kishte arritur ta thyente.

Policët i kishin torturuar mizorisht babain, Zymerin, vëllain, Asllanin dhe xhaxhain Milaimin.

Torturat që policët serbë kishin ushtruar sidomos kundër babait të tij ai nuk do t’i harronte kurrë, deri në ditën e rënies heroike. Policët gjakatarë ia kishin maltretuar fizikisht babain, Zymerin në prani të udhëtarëve në tren, me qëllim që ta thyenin. Por ai nuk ishte dhënë. Qëndresa e tij u bë burim frymëzimi për të gjithë familjen, e cila në tërësi ishte inkuadruar në radhët e luftës për çlirimin e Kosovës.

Mehdiu u lind më 13 shtator të vitit 1976. Shkollën fillore kreu në Gradicë, ndërsa të mesmen, drejtimin teknik, e kreu në shkollën “Leonik Tomeu” në Drenas.

Qysh nga fillimi i luftimeve, Mehdiu me vëllezërit dhe kushërinjtë ishte vënë në shërbim të luftës. Ata mbanin lidhjet mes ushtarëve, kryenin porosi të ndryshme, ndihmonin në hapjen e bunkerëve, edhe pse prore ishin të rrezikuar nga granatat e pandërprera të forcave okupatore serbe. Fillimisht ishin fëmijë të luftës, por me kohë u kalitën në luftë dhe u bënë luftëtarë, të cilët bartën mbi supe peshën shumë të rëndë të një lufte tepër të ashpër, të pabarabartë për nga ana teknike me forcat armike, por më një fund, një luftë fitimtare.

Me rastin e rënies dëshmor të vëllait të tij, Asllanit, më 23 mars të vitit 1999, babai Zymeri kishte kërkuar nga komandantët e luftës që pushka e Asllanit t’i jepej Mehdiut. Që nga ajo ditë Mehdiu hodhi mbi supe pushkën e vëllait dhe u radhit në radhët e luftëtarëve të Brigadës 114 “Fehmi Llardovci” të Zonës Operative të Drenicës.

Qysh në fillim të mobilizimit, lufta ishte intensifikuar edhe për shkak se makineria vrasëtare serbe ishte goditur nga NATO-ja, ndërsa shihej në horizont fundosja e përjetshme e regjimit kriminal, i cili tashmë ishte egërsuar dhe bënte përpjekje monstruoze të shkatërronte tërë Kosovën dhe të dëbonte popullatën shqiptare nga trojet e veta etnike dhe historike.

Mehdiu radhitet në Togën intervenuese të cilën e komandonte Zahir Bardiqi. Në njësitin e tij ishin edhe shumë luftëtarë nga Gradica, si Rrahman Bardiqi, Faik Fazliu e të tjerë.

Ndërkohë luftëtarët në Gradicë i viziton edhe komandanti i Brigadës 114, Ilaz Kodra, i cili nga Çyqavica kishte arritur së bashku me Antigonë Fazliu.

Më 16, 17 dhe 18 prill 1999, forcat okupatore serbe kishin ndërmarrë një betejë në shkallë të gjerë kundër të gjitha pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jo vetëm në Drenicë ku ishte qendra e kryengritjes, por edhe në të gjitha zonat e tjera të luftimeve. Ishte ajo përpjekja e fundit e forcave okupatore serbe për ta shpartalluar UÇK-së, por edhe kjo përpjekje do të dështonte me turp, meqë luftëtarët e lirisë sulmonin dhe taktizonin në vendin e vet, në vendin të cilin e njihnin shumë mirë dhe për të cilin luftonin e binin heroikisht.

Mehdiu se bashku me Xhaxhain, Milazimin, depërton në Artakoll, në fshatin Stanoc. Ndërkohë, më 18 prill ishin duke shkuar në drejtim të Qyqavisë. Në mesin e luftëtarëve ishin edhe Ilaz Lladrovci, Rrahim Tahiri dhe Enver Tahiri nga Stanovci, Qamil Mustafa nga Beçuku e të tjerë.

Luftëtarët e lirisë bien në pritë të forcave serbe në vendin e quajtur “Lugu i Firit” mbi fshatin Beçuk. Duke qenë se sulmi i rrufeshëm i minahedhësve kishte shkëputur dhe kishte ndarë luftëtarët, ata kishin filluar të luftonin, sicili në vendin ku kishte arritur të pozicionohej.

Granata e forcave armike e kishte goditur në këmbë Mehdiun, i cili nuk arrin të tërhiqet. Në atë vend kishte rënë dëshmor Enver Tahiri. Duke u ndodhur në rrethana të pashpresa, i plagosur rëndë, dhe duke mos pranuar që serbët ta zinin gjallë, Mehdi Fazliu nxjerr revolverin dhe ia heq vetës, ashtu sikur ia kishte hequr Bajram Curri dhe shumë luftëtarë të tjerë të njohur të historisë sonë. Në kohën kur bashkëluftëtarët e tij kishin depërtuar për ta tërhequr trupin e dëshmorit, atë e kishin gjetur me revolen në dorë, dhe fishekun pasues në tytë. Përveç plagës së rëndë në këmbë, kishte edhe një plumb në kokë. Atë ditë, Mehdi Fazliu shkroi një faqe të ndritshme të luftës sonë për liri. Ai dha një shembull më shumë të heroizmit, një shembull të dhembshëm në dukje, por shumë kuptimplotë dhe në akord me trimërinë shekullore të luftëtarëve të kësaj ane.

Mehdiu ka lënë babain Zymerin, nënë Ajeten, vëllezërit: Rrahmanin, Ganiun, Hamdiun, Avdiun; motrat Eminen, Zarifen, Hatixhen, Miniren dhe Halimen. Familja Fazliu ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Kuvendi komunal i Drenasit dhe nga shoqatat e dala nga lufta jonë çlirimtare dhe fitimtare. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …