MEHMET AKIF ERSOI ( 1873-1936 ) NJË SHQIPTAR I VËRTETË

MEHMET AKIF ERSOI ( 1873-1936 ) NJË SHQIPTAR I VËRTETË

 Mehmet Akif Ersoi lindi  në Stamboll më 20 dhjetor 1873 në një familje besimtare, intelektuale. Babai i tij, Tahir Efendiu ishte myderiz në medresenë e njohur “Fatih” të Stambollit. Tahir Efendiu kishte lindur në Shushicë të Istogut, Pejë, në Kosovë dhe kishte mërguar në Stamboll, ku punoi si Vaiz, (komunikues i islamit). Nëna e tij Emine Sherife Hanëm ishte nga Buharaja e Uzbekistanit, por ajo e martuar në një familje shqiptare, me babain e Mehmet Akifit, Tahir Efendiun ishte shqiptarizuar ishte bërë kosovare dhe nxiti te fëmijët dhe te i biri Mehmeti, ndjenjat shqiptare dhe shqiptarizmin.

         Mehmet Akif pasi  mbaroi  mësimet  në Ruzhdie e Idadie, u  regjistrua  në fakultetin e  veterinarisë, të cilin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Që në shkollën e mesme kishte mësuar mirë arabishten, e cila ishte gjuha e kuranit dhe persishten , që ishte gjuha e letërsisë osmane. Më vonë  në Paris përvetësoi edhe frëngjishten. Theksojmë se Mehmet Akifi  zotëronte bukur edhe shqipen.  Mehmet Akifi doli veteriner por ai kishte zell për  letërsi dhe poezi. Qysh në vitiv 1893 njëkohësisht dha mësime dhe leksione për  letërsi turke në gjimnazin e veterinarisë në Hallkallë të Stambollit. Këtë punë e vazhdoi deri në Luftën Ballkanike më 1912. Në këtë kohë shërbeu edhe si inspektor i veterinarisë  afro 4 vjet në Ballkan, sidomos në Shqipëri, dy vjet punoi në Kosovë, ku kishte shkuar edhe në Pejë për t’u çmallur me të afërmit e tij. 

       Mehmet  Akifi  thurte vjersha  ku pasqyronte ngjarjet  tragjike që sundonin në  atë kohë,  si Lufta Ballkanike 1912-1913, Lufta e Parë Botërore 1914-1918 dhe  Lufta Nacionalçlirimtare turke,  1919-1922, ku mori  pjesë në luftë përkrah Mustafa Qemalit. Mehmet Akifi  ka pasqyruar mjaft bukur  epopenë e  Luftës së Çanak – Kalasë më  1915, të komanduar nga Mustafa Qemali. Poeti Mehmet Akif  gjatë luftës bashkëpunoi me Mustafa Qemalin jo vetëm me  armë në dorë por edhe me  shkrime,  vjersha dhe ligjërata në mitingje,  për të ngritur popullin në këmbë kundër  pushtuesve , të cilët në Çanak-Kala  pësuan disfatë të rëndë dhe u thyen keqas. Mehmet Akif dha një ndihmesë të rëndësishme në luftën për shpalljen  e Republikës së Turqisë së Re.  Më 19 nëntor 1920 gjatë një fjalimi të famshëm që mbajti në Xhaminë  Nesrullah në Kastamonu, ai dënoi Traktatin e Sevrës dhe ftoi njerëzit  të përdorin besimin dhe armët e tyre për të luftuar kundër kolonialistëve perëndimorë. Kur botimi Sebilarreshat, i cili në atë kohë vepronte jashtë Ankarasë, botoi këtë fjalim, ai u përhap në të gjithë vendin dhe madje u bë një broshurë, që iu shpërnda ushtarëve turq.

       Mehmet Akif  për meritat e tij të veçanta  u zgjodh më 23 prill 1920 deputet  i  rrethit  Burdur në parlamentin e parë turk. Ai mori pjesë në konkursin  për përpilimin e tekstit  të Himnit Kombëtar  të Turqisë dhe vjersha e tij epike ‘‘Istiklal Marshë ‘‘, ‘‘Marshi i Pavarësisë‘‘,  fitoi  vendin e parë,  dhe u aprovua njëzëri  nga Parlamenti  i Turqisë. Sot  kjo  vjershë  është  Hymni  Kombëtar i Turqisë, i shkruar nga  Mehmet Akif.

        Pak histori për ecurinë e organizimit të Himnit Kombëtar të Turqisë se Re. Në komisionin  e vlerësimit  të Himnit Kombëtar  u grumbulluan 700 tekste nga krijues   tekstesh , por asnjë tekst  poetik  nuk u pëlye dhe nuk u pranua  nga komisioni i posaçëm. Atëhere ministri  i  kulturës Hamidullah Suphiu dhe komisioni vlerësues iu drejtuan Mehmet Akifit, që ta shkruajë poezinë  e Himnit Kombëtar.  Mehmet Akifi  iu përgjigj ministrit se do ta bënte, porse ai nuk shkruante për para. Kur ministria e kulturës  dhe bashkëpunëtorët e Komisionit  i premtuan se nuk do t’i jepnin shpërblim në se do të fitonte, ai me këtë kusht shkroi tekstin  “ Marshi i Pavarësisë”, i cili u lexua  në Kuvendin e Madh  të Parlamentit Turk më  1 mars 1921 dhe më 21 mars 1921  u pranua dhe u votua zyrtarisht.  Me  Marshin e Pavarësisë  Mehmet Akifi  u  pranua si poeti kombëtar i Turqisë. Më 1922 ai  u zgjodh anëtar  i Akademisë së Studimeve Islame.  

        Duhet  thënë se Mehmet Akif Ersoji  njihet pak nga publiku në Shqipëri, por kam përshtypjen se kjo ndoshta ndodh edhe në Kosovë, megjithëse ai është një personalitet  i  shquar dhe për të ka të dhëna që hedhin dritë rreth jetës dhe veprave  të tij. Gjatë vizitës në Prizren, kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan përmendi  edhe shqiptarin nga Peja Mehmet Akif Ersoji si një figurë shumëdimensionale. Ndonse i lindur në Stamboll, Turqi, ai ka folur me krenari  se  është shqiptar dhe në shumë shkrime përmend  Shqipërinë, Kosovën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën.

       Mehmet Akif është marrë  me krijimtari letrare dhe artistike duke lënë si trashëgim një  thesar  të tërë, një pasuri që mund të ndahet në dy kategori: veprat e shkruara në vargje ose vepra poetike dhe vepra të shkruara në prozë.  Veprat e shkruara në vargje janë përmbledhur me një emërtim të përgjithsëm Safahat që shqip përkthehet  Fletët. Safahat  është një përmbledhje me  44 poezi.  Poezia më e hershme  është e vitit 1904, kjo  flet se ai ka filluar të shkruaj poezi  në moshën 32 vjeçare. Në këtë  moshë   Mehmet Akif kishte njohuri  të gjera për letërsinë .Ai kishte lexuar veprat e Viktor Hygoit, Alphons de Lamartin, Emil Zola dhe Zhan Zhak Ruso.

       Pas shpalljes së Republikës Mehmet Aqif u  u ftua prej Universitetit  të Kajros ( El-Hez-her) dhe qysh nga viti 1926 deri më 1936 dha mësime për  letërsinë turko-osmane në Kajro. 

       Mehmet Akif Pejani ishte patriot dhe demokrat, urrente despotizmin perandorak dhe imperializmin perendimor  të ashtuquajtur  ‘‘qytetërim‘‘  Ai  ishte  pan-islamist.  Ai urrente dhe kritikonte pan-turanistët ose pan-turkistët…..partinë Ittihat-Terakki, që  kishte ardhur në fuqi me revoluçionin e vitit 1908. Ai ishte poet e shkrimtar, pedagog, akademist, deputet dhe politikan me origjinë shqiptare dhe siç e thamë më lartë autori i himnit kombëtar  turk. Mehmet Akifi është konsideruar si një nga  mendjet  e shquara  letrare të  kohës  së tij.  Në mendjen dhe zemrën e tij Shqipëria dhe Kosova zënë një vend të veçantë.  Po më mirë le t’i referohemi  vjershave të tij . Ja si shkruan Mehmet Akifi  në mbrojtje të Shqipërisë dhe Kosovës  kreshnike:

                              Arnavutluk size ibret  olaçakken hala

                              Ne bu suride siyaset, bu fassit dava

                              (Shqipëria për ju duhet  të ishte një mësim

                               Mirëpo ju akoma vazhdoni një politikë të çmendur dhe të kalbur.)

       Mehmet Akifi që më 1908 i tërhoqi vërrejtjen pallatit despotik:

 

                                 Arnavutlukta patlayab toplar galiyor

                                 Iste payitahta kadar!

                                 (Topat që gjëmojnë në Shqipëri

                                 Po lajmërojnë shpalljen e Hyrietit)

       Ndërsa më 21 shkurt 1912 në një vjershë të tij Mehmet Akif qante hallet e Kosovës, duke i folur babait të tij:  (“Ngreu baba, ngreu nga varri

                         Dhe shih se për qejfin e tre vetëve kokëkrisur

                         Si vritet një popull i varfër tremilionësh

                         Eja shpejt  se  të gjallët nuk shkojnë të shpëtojnë atdheun tonë!…

                         Shqipëria po digjet flakë!…“)  

        Për këtë vargun e fundit, kur ai thotë se Shqipëria po digjet flakë,  duhet të kuptojmë  se  në  emërin Shqipëri ai  fut gjithë shqiptarinë, fut dhe Kosovën e Çamërinë, pra i fut të katër vilajetet shqiptare , të cilat në prag të pavarësisë  ishin ngritur  në këmbë për  liri dhe pavarësi kombëtare.

        Poeti i himnit kombëtar të Turqisë së Re, Mehmet Akifi, jo vetëm që  nuk e mohonte  farefisin e tij shqiptar,  por ai i dilte në mbrojtje popullit shqiptar me gjithë fuqinë e zemrës  dhe paralajmëronte tragjedinë që i kanosej atdheut të tij prej fqinjëve zemërgurë  e vrastarë dhe për këtë lajmëronte  gjithë botën. Ja si shkruan ai :   “Arnavutluk  yanijor!

                                                Bunu benden duyunuz

                                                Ben ki evet Arnavutluk!

                                                Baska birsey deyemem…

                                                Iste yaniyor perisan yurdum!

                                               ( Shqipëria  po digjet

                                                Këtë dëgjojeni prej meje

                                                Unë jam shqiptar!

                                                S’kam tjetër t’iu them:

                                                Ja po digjet atdheu im,

                                                Krejt po shkatërohet!…)

     

        Tani që i pamë me sytë tanë dhe lexuam disa rrjeshta nga poezitë  të shkruara  për Shqipërinë,  Kosovën  dhe  për  shqiptarët  nga Mehmet Akif Ersoji,  megjithëse  ai nuk ka lindur në trojet shqiptare, por ka lindur dhe është  rritur në Turqi, në Stamboll, shqiptarizmën e ka pasur të ngulitur në mendje dhe në zemër  dhe në moment të caktuara, ka dalë në mbrojtje të Shqipërisë dhe Kosovës, siç e pamë më lartë. Në vjershën: Ngreu baba, ngreu  nga varri, ai thotë: Të shpëtojmë atdheun  tonë , pra Mehmet Akif  Shqipërinë e quan atdheun e tij. Ja si shkruan ai në këtë poezi: Shqipëria po digjet, këtë dëgjojeni prej meje, unë jam shqiptar!, s’kam tjetër t’iu them: Ja  po digjet atdheu im.  I lindur larg Shqipërisë Mehmet Aqif  Pejani  ka qënë një shqiptar i kulluar, këtë  ai e ka thënë me gojën e vet dhe bile e ka  shkruar me dorën e vetë  në  poezi. Mehmet Akif  ka punuar inspektor i veterinarisë dy vjet në  Shqipëri dhe dy vjet të tjera në Kosovë. Pra ai i ka njohur  nga afer  hallet dhe shqetesimet tona.. 

       Gjatë një vizite në Liban u sëmur, u kthye në Turqi  më  20 dhjetor 1936 ku dhe vdiq në moshën 63 vjeç. E varrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Edirnekapë në Stamboll. Ai ishte personi  i parë në historinë e Republikës  së Turqisë që   në çeremoninë e varrimit të tij iu ekzekutua  Himni  Kombëtar. Ai la pas katër djem dhe dy vajza.

       Populli turk nuk e harroi, shtëpia e tij  në Ankara  është shpallur muze, emëri i tij u është dhënë shumë shkollave, lagjeve, shesheve,, sallave etj. Në  Shqipëri  gjimnazi  privat turko-shqiptar  në Tiranë, që funksionon  prej një çerek shekulli, mban emërin: Kolegji  Mehmet Akif Ersoi.

 

Nesip Kaçi    

Publicist dhe Diplomat                                    

          

Kontrolloni gjithashtu

Nasip Kaçi: Eqrem Çabej, figurë e shquar e gjuhës shqipe dhe gjuhësisë së re shqiptare

Eqrem Çabej është figurë e shquar e gjuhës, shkencës, arësimit dhe  kulturës  sonë  kombëtare,  krenaria …