Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: 7 Marsi Dita e Mësuesit

( Atyre dhe vetëm atyre, që mbajnë lartë emrin dhe etikën e emrit mësues!)

 

7 marsi, festa shqiptare e mësuesit. Kjo datë ka zanafillën e saj të hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqipe, në fakt ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960-të, kur shteti Shqiptar i asaj kohe vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të së parës Mësonjëtore shqipe të Korçës e cila u themelua me 7 mars 1887.

Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës sonë shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe gjithë punonjëseve të arsimit si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues aktiv të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.

Për të arritur deri tek ditët e sotme, që 7 marsi kujton shkollën tonë shqipe, zanafillën dhe lindjen e saj, është dashur shumë kohë. Kohë lufte e përpjekjeje të pa ndërprerë nëpër shekuj, për të mbijetuar gjuha jonë, kultura, historia, të zënit e shkrimit dhe këndimit shqip.

Jo pak herë gjatë historisë, lubi të ndryshme na kundërshtuan e luftuan për vdekje me qëllim që ta mbysnin ardhmërinë tonë. Armiqtë tanë mohuan gjuhën, shkrimin, kulturën, historinë, etnogjenezën, folklorin, kostumografin, toponimet, pagëzimet… duke i zhdukur e në raste tjera duke i përvetësuar ato për vetën e tyre!

Shumë nga manastiret dhe objekte tjera të kultit tonë, sot janë të zhdukura, ose përvetësuara nga ish pushtuesit tanë turq, serbosllav, malazias, grekër etj. Gëzon fakti që populli ynë ka qenë lidhur më rrënjë për gjuhës së vet, për historisë dhe tokës së vet, po sikur lisi shekullor. Prandaj rrugën e zhvillimit, përparimit dhe shkollimit së bashku me ndjenjën e atdhedashurisë në gji e kemi ruajtur e kultivuar me ngulm e fanatizëm, gjithnjë me qëllimin e mirë dhe idenë për të arritur deri tek ditët e sotme. Jo pak popuj të globit tokësor janë tjetërsuar gati gjenetikisht nën presionin e pushtuesve dhe kolonizatorëve të shumtë gjatë shekujve të kaluar!

Popullin shqiptarë, shumë nga shtetet fqinjë e kanë sulmuar pa reshtur, për ta tjetërsuar, por që nuk ia kanë arritur kurrë, ani pas ata ishin më të shumtë në numër, më të armatosur dhe të etur për të pushtuar tokat e huaja!… Në ishim më të fortë, më të vendosur, më të vetëdijshëm dhe shumë herë më të etur për liri!

E padiskutueshme dhe e domosdoshme: një popull që është i vendosur dhe i vetëdijshëm për lirinë e vet, ai herë do kur, do të arrijë atë mision të shenjtë  me forcat e veta, duke ecur triumfalisht e krenar drejt horizonteve të reja të progresit e qëllimit të vet final.

Populli shqiptarë, që nga lashtësitë, rrethuar me luftëra shekullor Iliro-Romake, Bizantine- mesjetare, gjysmë mileniumi lufte kundër Perandorisë Otomane e gati po aq e gjatë rezistenca jonë kundër lubive grabitqare shoviniste Greko- Serbe. Të gjithë armiqtë tanë, kishin po të njëjtin qëllim: Që gjuha shqipe të mos shkruhet e flitet, që shqiptarët të zhduken e asimilohen, të shpërngulën e asgjësohen, në mënyrë që më vonë të mos figurojnë as si komb e as si etni! Megjithatë është një e vërtetë e pamohueshme; sa do i egër që mund të jetë një pushtues, ai nuk mund të vras as edhe një herë aspiratën e një populli për liri- jo, as një herë!

Kështu që pa fajin tonë edhe sot, shumë nga kockat e pushtuesve tanë që kanë mbetur në tokat tona, nuk janë më shumë se pengu i ndërgjegjes së vrarë të të gjithë pushtuesve të kohëve të ndryshme, tokat shqiptare nuk e durojnë dot robërinë, këtë e ka dëshmuar katërçipërisht koha gati njëmijë vjeçare që lamë pas…

Edhe sot e gjithë ditën, kujtojmë me respektin më të thellë të gjithë ata që u dogjën për t’i shndritur rrugët e gjuhës sonë të ëmbël, rrugët e shkronjave tona të bukura, rrugët e përparimit dhe edukimit të popullit tonë si: Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani, Todhri, Kazazi, Negovani, Luarasi, Logoreci, De Rada, Mjeda, Frashëllinjtë, Fishta, Noli e dhjetëra figura tjera- ikona të gjuhës sonë, të cilët themelet e gjuhës shqipe i njomen me gjakun e tyre!

Ai, dhe vetëm ai popull, që është i ngritur, i vetëdijshëm dhe i arsimuar di se ç’kërkon, di të luftojë dhe di të fitojë lirinë e vet. Pikërisht mbi këtë bazë, pushtuesit tanë shekullor na i kanë sulmuar, para së gjithash; shkollat, institucionet, akademitë, bibliotekat, muzetë dhe kultet e ritit tona shqiptarë!

Sot, bota shqiptare, në saje të këmbëngulësisë së vet, ka me qindra e mijëra nxënës, studentë, profesor, magjistra, doktor, akademik e kandidat shkencash në lëmi të ndryshme, ushtarak, pra një armatë milionëshe intelektualësh… Nuk ka fuqi në botë që mund ta mbys më zërin e shqiptarit, këtë tanimë e kanë kuptuar edhe ish pushtuesit tanë.

Mësuesi ynë dje dhe sot, ka dhënë e po jap shumë nga vetja e tij, në mënyrë që brezi i ri të edukohet e nesër të jetë i gatshëm që të marrë frenat e atdheut në dorë, për të ngritur e përparuar brezin e ri. Mësuesi ynë sot, po bënë çmos që këtij brezi t’ia jap flakadanin e diturisë për të marshuar drejt ardhmërisë sonë të ndritur.

Respekt të veçantë atyre dhe vetëm atyre, që po mbajnë lartë dhe të pacenuar etikën dhe emrin e mësuesit!

Gëzuar 7 marsi, dita e mësuesit!

Zürich, 7. 3. 2019

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …