Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Amaneti i Sylejman Vokshit!

         “ Edhe tri jetë po t’i kisha, të tria do t’i falja për Shqipërinë!”…

Janë këto orë të liga për Kosovën dhe shqiptarinë në përgjithësi, miq e shokë, bashkëvuajtës e bashkëluftëtarë të lirisë, njerëz të penës e urtësisë, të kuvendit dhe të vendimeve me peshë:

Koha po kërkon vendosmërinë tonë për të mbrojtur lirinë dhe sovranitetin tonë kombëtar, prandaj çdo interes tjetër që eventualisht mund të vihet mbi interesat e shtetit, është i paqëndrueshëm i dënueshëm dhe i pafalshëm.

Mos u merrni me emra të përveçëm, cilët do qofshin ata, në këtë kohë kur duhet të jemi më unik së kurrë. Në fakt edhe sot, dikush po krihet, luteni mos u krihni kur fshati po digjet, madje as pas emrave të përveçëm. Veç e veç si emra, qofshin ata edhe më fuqi mbinatyrore, nuk vlejnë më shumë së një lakimi i tyre nëpër rasa, prandaj mos u krihni, mos!

Ne si gjithmonë, ashtu siç edhe na mëson historia jonë e përgjakur; vetëm të bashkuar ia kemi dalë, por jo edhe të shkapërderdhë e shpërndarë, për më keq, sot, njeri-tjetrin, duke fyer e sharë deri në banalitet e pa përmbatshmëri!

E padiskutueshme, shpjeguar edhe ndryshe, Sylejman Vokshin, një ditë të caktuar, vdekja e natyrshme do ta merrte me vete, por ai sot jeton i përjetësuar derdhur në bronz, me dhjetëra rrugë e institucione mbajnë me krenari emrin dhe figurën e tij, pse?!, për të vetmen arsye: Burrat e dheut të asaj kohe, në mesin e tyre edhe Sylajmani, nuk shanin njëri-tjetrin por  shanin pushtuesin; ai para së ta varnin tha:

        “ Edhe tri jetë po t’i kisha, të tria do t’i falja për Shqipërinë!”…

Sylejmani dhe çlirimtarë të panumërt me vendosmërinë e tyre në shërbim të atdheut, duke mbrojtur interesat kombëtare në rend të parë, dhe njëri-tjetrin më pastaj, si liridashës të vërtetë sot e mot, mbeten krenaria jonë kombëtare në krahasim me ata që tradhtuan, që shanë atdheun dhe të devotshmit e kombit tonë, që shanë e fyen njëri-tjetrin- sot e mot, mbeten turpi ynë!

Pra ka dy rrugë: i përjetësuar në bronz dhe i përjetësuar në turp!

As kush nga ne, nuk dëshiron të përfundojë si njollë turpi e kombit, si tradhtarë i interesave të atdheut, si emër që përjetësisht do të lakohet në vorbullën e turpit… jo, prandaj duhet të kemi shumë kujdes- në veçanti kur është në pyetje fati i atdheut- vetëm të bashkuar. Mos u krihni kur shtëpia digjet, mos u merrni me emra të përveçëm se kjo nuk na shpie askund.

Sot më shumë se kurrë- kërkohet vigjilencë, diplomaci dhe vendosmëri për të dërguar aspiratat kombëtare në vend. Çdo mëdyshje rreth këtyre interesave do të jetë e dënueshëm dhe e papranueshme për popullin dhe kombin tonë.

CH-20-02-2025

Kontrolloni gjithashtu

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj veprimeve të fundit hibride të instalacioneve të “Botës Serbe” brenda Qeverisë

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj veprimeve të fundit hibride të instalacioneve të “Botës …