leoni

Mehmet Bislimi – Anekdota popullore dhe satira autoriale

Mehmet Bislimi tashmë është shkrimtar i dëshmuar, që ka formuar individualitetin e vet. Ai veprimtarinë e vet letrare e ka filluar me poezi. Deri më tani ka të botuara përmbledhjet:“Trëndafila maji”,“Fjalë dhe gurë”,“Ironi e verdhë”dhe“Stinë e vonuar”, me të cilat ka dëshmuar pjekurinë e vet krijuese. Autori mesazhin e poezisë së vet e ka bartur në imagjinatë dhe në jetë paralelisht, duke dhënë gjithë elanin e vet në shërbim të atdheut dhe të çështjes sonë madhore. Dihet mirëfilli se shumë gjenerata krijuesish misionin kombëtar e kanë bartur edhe nëpërmjet poezisë që e kanë përjetuar në mënyrë të dyfishtë, madje edhe në lëkurën e vet! Kjo nuk ishte ndonjë befasi as për krijuesin Bislimi, ngase ai ishte kalitur me kohë nga gjeneratat e mëhershme, të cilat me dorën e vet mbollën fidanët e lirisë në tokën arbërore! Krahas poezisë autori botoi edhe përmbledhjen“Shkrime publicistike”,Prishtinë 2009, si dhe monografinë“Këtu i thonë Drenicë”për trimin e shquar të kombit T. Mehën me të atin.

 Përveç këtyre veprave autori M. Bislimi, lindur e rritur në djepin e kulturës së pasur të krijimtarisë folklorike gojore në Drenicën kreshnike, botoi edhe“Anekdota popullore dhe satira autoriale”, deri më tani të pabotuara gjëkundi, të krijuara në kohën e sotme, që paraqesin vazhdimësinë e krijimtarisë folklorike shqiptare, një risi për mbarë folkloristikën tonë, sidomos në fushën e re tregimtare (jo vetëm folklorike), që i shërben vazhdimësisë së folklorit në përgjithësi, sidomos prozës së shkurtër. Jeta duhet të vazhdohet e bashkë me të edhe krijimtaria artistike, qoftë ajo gojore ose e shkruar. Andaj“Anekdota popullore dhe satira autoriale II”është vepra e dytë e këtij lloji, njëkohësisht është vepra e tetë krijuese e derisotme e këtij autori.

   Dihet se anekdotat, si pjesë e prozës folklorike, por edhe asaj të shkruar këtu e kudo në botë, janë rrëfime të shkurtra të urtësisë popullore, që shprehin thumbim, humor e satirë, nëpërmjet filozofisë praktike jetësore në rrethana të caktuara shoqërore me vlerë relative afatgjatë, më tepër të përhershme, për qëllime kritike, me synime edukative të njerëzimit. Janë shprehje të mendjemprehtësisë së dellit humoristik e satirik, të dala nga rrjedhat e jetës së përditshme. Andaj, thelbi i anekdotave është qëllimi edukativ, kritika ndaj veseve të liga të shoqërisë në rajone të caktuara, por me vlerë përgjithësuese njerëzore, me qëllim edukues, të përsosjes së karaktereve njerëzore e shoqërore. Ato pasqyrojnë strukturën sociopolitike e psikoetnike të kohës kur kanë lindur e jetojnë, duke vazhduar dhe më tej, ashtu sikur ka ndodhur me të derisotmet. Andaj, anekdotat janë diçka si shumica e bimëve njëvjeçare: mbijnë, rriten, japin ose jo fruta, vyshkën në vjeshtë, për t’u përtërirë përsëri në pranverë!…    Karakteri i dyfishtë moral e kritik i universit të anekdotës nxjerr në shesh edhe karakterin funksional psikosocial, që përfshin edhe letërsinë e shkruar dhe, ku më shumë e ku më pak, është i përhapur në mbarë botën. Nëpërmjet situatave dhe konteksteve të ndryshme konkrete jetësore, anekdotat e veprës së autorit Mehmet Bislimi, si kudo në veprat e karakterit të tillë, nxjerrin mësime që demaskojnë veset e liga familjare, shoqërore e njerëzore, siç janë banaliteti, arroganca, gënjeshtra, mburravecëria etj., por që synojnë formimin e karakterit pozitiv kombëtar e njerëzor. Mënyra alegorike e të shprehurit të tyre, qofshin ato autoriale ose popullore, të dëgjuara e të shënuara prej tij, në rrethana të caktuara shoqërore, dallon nga ato të krijuara në rrethana të egra pushtuese, sepse këto të fundit janë paksa të zbehta, për shkak të rrethanave të zhvillimit të teknologjisë së sotme, që kanë zbehur dhe pakësuar deri në një masë krijimin dhe përdorimin e fabulave, si krijime të një shkalle të hershme të zhvillimit mendor.    Autori i librit të sipërpërmendur, Mehmet Bislimi, është rritur e brumosur me përdorimin e prozës tregimtare popullore nëpër oda të Drenicës, një nga rajonet më të pasura etnike, saqë kureshtja dhe aftësitë e tij kanë bërë të mundshëm formimin, përdorimin dhe shënimin e anekdotave të reja, jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje e synime, në harmoni me kushtet e reja shoqërore-kombëtare, prej të cilave bindemi se tradita folkloristike, si një dhunti e natyrës psikoetnike, është e pashtershme, mjafton ta hulumtosh për ta gjetur thesarin tonë folklorik. Anekdotat e tilla, jo vetëm autoriale të autorit, janë të kripura me humor e satirë, element karakteristik ky i shpirtit kombëtar që e ka mbajtur gjallë me shekuj forcën shqiptare, pavarësisht nga rrethanat herë-herë tragjike ndër beteja, herë-herë robëruese ndër shekuj dhe herë-herë komike në rrethana të reja! Ky brumë i ri krijues në kushte dhe rrethana të reja, si shumëkund, na bind se kemi triumfuar, jo vetëm ndaj ruajtjes së gjuhës si mjet i shenjtë kombësie, por edhe ndaj ruajtjes, zgjerimit e thellimit të prodhimit mendor trashëgues e kombëtar. Megjithatë, anekdotat e tilla janë kryesisht dromca figurative për qëllime edukative, më pak zbavitëse (si lojë fjalësh), të cilat me injektim shërojnë veset e liga të shoqërisë. Ato kanë humor të këndshëm, thumbues e ironik të përqeshin të metat e njerëzimit, që kanë zënë strehë edhe ndër ne.    U tha së shumica e anekdotave të botuara në këtë libër janë krijime të dala nga realiteti i ri në rrethana të reja shoqërore-etnike, si kurdoherë, duke prekur veset e liga të shoqërisë, tani në kushte të reja, si: ato me synime politike(“Në fushatë”, “Prodhime vendore”,“Nostalgjike”, “Tatuazhi”),mërgimtare(“Këta nuk flasin”),moda e degjeneruar(“Burrë egrua”), interesi moral në kushte të reja(“S¨ka më bacë”), përçarja kombëtare(“Sikur t’ishimvetëm dy…”),obligimi kombëtar(“Ka vdekur për qejf”)etj. Pos tjerash, ato janë edhe shprehje e aspiratave për liri, për t’i përballuar e për t’i tejkaluar vështirësitë e paraluftës, të luftës dhe tashmë të tranzicionit.    Mendoj se jo nga qëllimi i autorit, sa nga gjendja shoqërore, anekdotat e reja të veprës së M. Bislimit janë pak a shumë të zhveshura nga alegoria, por me humor e satirë të mjaftueshme. Diçka, si guri i thepisur, i shkoqur nga shkëmbi, që nga rrokullima shpatit e shtratit të lumit, me kohë rrumbullakohet thuaja si veja. Mandej, edhe sot e kësaj dite, disa anekdota të hershme, në rrokullisje nëpër dekada e shekuj në gojën e popullit, kanë arritur formën e një fjale të urtë popullore, ose një frazeologjie, si:dushk për gogla ( sipas anekdotës së dy mashtruesve që i shesin njëri- tjetrit dushk për gogla),ose:mos prek në kos(sipas anekdotës kur burri e zbulon tradhtinë e gruas nëpërmjet një ene me kos nën shtrat, mbi të një boç kandari, që kur shtypet nga pesha e dy njerëzve , nën shtrat boça zhytet) etj.    Me gjithë freskinë e anekdotave në kohë, në formë, në përmbajtje e në synim, të përzier me satira autoriale, në veprën e radhës të Mehmet Bislimit nuk vërehet nota lokale, sepse, pos tjerash, ai ka shënuar anekdota nga njerëzit e vendet e ndryshme, veçanërisht të Kosovës, por edhe ndonjë të krijuar personalisht në biseda të ndryshme shoqërore këtu e në mërgim, që nuk kanë kufizim rrezatimi e përdorimi, të cilat synojnë eliminimin e veseve të liga të shtresave të caktuara të shoqërisë, të ngjyrimeve të ndryshme politike aktuale, me qëllim që të formohet një jetë e zakonshme njerëzore, krah me kohët bashkëkohore. Shtjellimi i rrëfimit nga autori është i natyrshëm, i kursyer nga ndërhyrjet subjektive, si dhe i pajisur me tregimtari të natyrshme, me dialogë të zhdërvjellët, me përfundim të papritur dhe me efekte më tepër edukative sesa argëtuese! Libri tanimë është në dorën e lexuesit tonë besnik, i cili pa dyshim së do ta japë vlerësimin e vet. Autorin e përgëzoj duke i uruar suksese të reja në fushën e pafund të krijimtarisë sonë letrare.   Prof. dr. Zenun GJOCAJ

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …