Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Plaga ime

Vitet ikën, vitet po ikin, dhe një ditë pas ca vitesh, nën shoqërimin magjeps të peizazheve të vjeshtës, me barrën e mallit mbi kurriz, mora rrugën për në Prekazin e lashtë, vendlindjen dhe plagën time të përjetshme, duke kaluar rrugëve gjarpërore të luginave të Likocit, Aqarevës, Kopiliqit, Burojës, Vajnikut, Rakinicës, Rezallës e Llaushës. Prekazit, Palacit, Galicës…Vatra këto të lashta sa vet toka, që kanë rezistuar pushtuesit tanë të të gjitha kohërave.
Shtëpitë dhe rrugicat e Prekazit prej zemrës së gurit, që kushedi sa e sa burra i ka përpirë dheu i kësaj toke, peizazhe këto, që unë sot, po i shikoja me sytë e zemrës, vende e plagë që nuk kanë mbetur pa i prekur me dorë, duke e ndier peshën e rëndë të mallit të djegur për vendlindjen time, për ata burra e gra që bënë historinë, që atdheut i falën lavdinë!

Ne si pjesë e atdheut, degdisur në dhera të huaja, duke e ndier peshën e mallit për ata gurë, të mërguarit tanë deri në skajin e botës së pafund – kush vuajti më shumë përveç shqiptarëve, nga ku edhe mbeti përjetë fjala e urtë filozofike, fjala e gjallë shqiptare mbledhur në një fjali të thjeshtë e kuptimplote:  ”Guri rëndë peshon n’vend t’vet!”…

Copëza të pashlyera kujtimi gjatë udhëtimit tim, jetë e varur si sprovë në kandarin e ndërgjegjes, vizitorë të urtë përkulen me respekt para shtatoreve madhështore të Dëshmorëve të Kombit, si bacë Shabanit, Hamzës, Ademit… para shtëpive, kështjella të pakalueshme të rezistencës sonë kombëtare si ato të Jasharajve, Mehajve, Ahmet Delisë, Bislim e Ilaz Kodrës etj. Toponime të lashta këto, të cilave pushtuesi ynë shumëvjeçar është munduar t’ua vrasë kuptimin dhe brumin e gjuhës sonë të lashtë, si Tushilë, Ticë, Likoc, Aqarevë, Rezallë, Llaushë, Rakinicë, Prekaz e dhjetëra toponimeve tjera të lashta sa vet jeta mbi tokë. Vatra rezistence këto, që edhe sot qëndrojnë me kokën lartë, mbi truallin e vet, ku gjeli kasnec ia thotë këngës çdo mëngjes!

Është me rëndësi të veçantë shkencore që të saktësojmë, dhe bota e civilizuar të marrë mësim nga shqiptarët, se si bashkëjetojnë tri konfesione të ndryshme në një harmoni të plotë shekuj me radhë në hapësirat shqiptare e bujare të Gadishullit Ballkanik, ku bukës i thonë bukë dhe ujit uji, ku të gjithë një zërit luten për të njerëzishmen- Amen!…

Në tërë hapësirat e tokave shqiptare, që nga kur u krijua ky dhe, që kur zoti zbriti së pari në vendin tonë, as edhe një herë nuk mbahet mend të ketë pas konflikte dhe mosmarrëveshje ndër-fetare të besimit të krishterë, mysliman e ortodoks dhe anasjelltas- as edhe një herë, pra kurrë!, kurrë, nga se kombi ynë në rend të parë gjithmonë ka pasur për mision të njerëzishmen, bamirësinë, humanizmin dhe shqiptarinë. Ne, paluhatshëm kemi respektuar lirinë e popujve tjerë, gjithmonë kemi reflektuar sjellje njerëzore, mbi të gjitha kemi respektuar dhe dëshmuar se e duam lirinë e atdheut.

Duke e mbyllur botën time shpirtërore të këtij udhëtimi, për të mos mbetur zjarri i shpirtit tim të vogël peng i kohës së vrazhdë, na është dashur të bëjmë luftë disavjeçare për të fituar në kohë, megjithatë e rëndësishme është se rrënja jonë mbijetoi përjetësisht. Na është dashur të vuajmë padrejtësisht,  rrugëtimi ynë nëpër histori ishte i gjatë dhe i mundimshëm, më duket se kërkon ende kohë që të kthjellohet për ata që nuk e njohin si duhet historinë e shpirtit tonë krenar e liridashës. Ky rrugëtim nuk ndaloi, eci, vrapoi, nuk u gjunjëzua para misterit të mbijetesës, ra dhe u ngrit përsëri si feniksi i vetëdijshëm se bashkimi ynë në tokë e në qiell është i vetmi shpëtim kombëtar e njerëzor, pa dyshim është edhe forca e jetës sonë të re!

Në hyrje të lagjes së “Gurit të Betimit”, takova disa fëmijë të cilët po loznin. Ata, as që donin ta dinin për ato që unë po mendoja. Ata, ishin të lumtur me veten e tyre dhe me njëri-tjetrin, ua pata zili sa ndjenjë harmonie kjo. E saktë, ata si fëmijë duhet të luajnë e të rriten, ata duhet t’i gëzohen të ardhmes, por që të kenë të ardhme të lumtur e të sigurt, duhet të kenë njohuri edhe për të kaluarën. Duhet të dinë për të gjithë ata, që për të mirën e tyre dhe të atdheut, kanë dhënë çdo gjë nga vetja e vet, madje edhe jetën në mënyrë që loja e fëmijëve tanë të mos prishet, të mos ndalët e të mos pritet më në mes.
I përshëndeta, madje edhe i pyeta për emrat, ata u prezantuan; njeri quhej Bua Shpata, tjetri më tha së ishte Merkuri, tjetri Gjoleka, Hekali e Leka, tjetri Topia, Etruri e Dielli i biri i qiellit, njeri me tha së ishte Zaharia i riu, tjetri Preka Plaku, tjetri ishte Guri, natyrisht Guri Legjendë i Koprilikut, tjetri biri i Tokës së madhe, tjetri ishte Miku, tjetri Guri i Plakës, tjetri Suli e Gjoleka, tjetri ishte Zani, ishte i biri i Trimit Burizan, tjetri i biri Lisit, tjetri ishte Rrapo Hekali e Zeman Mashkullori, tjetri Bajo e Çerçizi, një më tej ishte Plisi, një tjetër Lisi, me ta po luanin Zana, Jeta, dhe Hëna, Dea, Ora dhe Era, Vesa, Troja dhe Besa e kështu me radhë…

Rruga nëpër të cilën po udhëtoja, jo shumë larg atyre kullave Legjendë, tek po kërkoja të trokisja në portat e tyre të mëdha, ku po troket bota, mbase gjejë fatin tim edhe unë, për t’i dëftuar botës së madhe së kam trokitur në dyert e kullës së Prekë Kuçit, Të Millesh Koprilikut, të Jasharajve, të Tahir Mehës, të Ahmet Delisë, Shaqir Smakës, Azem Bejtës, Nak Berishës, Kamer Loshit, Mehmet Delisë, Emin Latit, Shaban Mangjollit e Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Miftar Bajraktarit, Jetullah Rezallës, Shasivar Alisë e plot e plot kulla të tjera, nga të cilat këta fëmijë, por edhe të tjerët do të mësonin për të kaluarën tonë të lavdishme, shaluar mbi retë e bardha si nëpër legjenda, ku po meditoni Gjergj Elaz Aia, Oso Kuka e Jakup Ferri!
Më kujtohen edhe ditët e sprovës së madhe, ditët kur djemtë e radhitur në grupet e para të njësiteve të UÇK-së, po hidhnin hapat e parë në këto treva për të bërë që këtyre fëmijëve dhe të tjerëve që do rritën më pas, të mos iu vritet buzëqeshja, jo, as një herë më!

Edhe sot e gjithë ditën, me vret, por nuk më kujtohet së më kishte shkuar ndër mend ndonjë herë që të bëhesha më shumë së kaq sa jam! Isha bërë qull në djersë, tek po kaloja pranë varrezave për të parë se si i kishin rregulluar ato. Ende isha duke rrugëtuar, si gjysmë zgjuar dhe gjysmë ëndërr, kur u përmenda, mallkova me gjithë shpirt atë kohë ekstaze që më iku, oh sa bukur është të jesh vetja e me këmbë në tokë, në tokën tonë ku koka na ka rënë, ku në vend të vet, guri peshon rëndë!

6-12-2021

 

Kontrolloni gjithashtu

MSc. Adem Lushaj: Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

MSc. Adem Lushaj: Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

(Vështrim rreth librit, Ndryshimi i varietetit gjuhësor (Rasti i së folmës së Rugovës), të autorit …