leoni

Mehmet Hajrizi: Recensë për librin e autorit Agim Sylejmani “Disa letra në dorëshkrim nga Rafi Halili”

Rezistenca shqiptare  nën ish-Jugosllavi dhe personaliteti i shquar i saj Rafi Halili

Recensë për librin e autorit Agim Sylejmani “Disa letra në dorëshkrim nga Rafi Halili”.

Botim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, 2025

Prishtinë, më 9 qershor 2025

E dashur familje e Rafi Halilit

Motra dhe vëllezër

Zonja dhe zotërinj

Kur Mic Sokoli mbërtheu grykën e topit, ishte i ndërgjegjshëm se nuk mund ta fitonte betejën personale me të, por ai e bëri këtë akt të pashembullt për ta ngritur moralin e bashkëluftëtarëve të tij dhe për ta fituar betejën e përbashkët. Beteja u fitua. Kështu veproi dhe Selam Labi në luftën e Vlorës, e cila gjithashtu u fitua. Vojo Kushi i rrethuar nga forcat armike, bëri të njëjtin heroizëm dhe në kohën tonë edhe Komandanti Legjendar, Adem Jashari me familjen e tij. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare pas këtij akti trimërie e sakrifice supreme, tërhoqi mijëra ushtarë vullnetarë për të ndjekur shembullin e Adem Jasharit.

Rafi Halili, si sot 43 vjet më parë, shkrepi pushkën e parë kundër forcave armike, duke qenë i sigurt se do të vritej në atë përballje të pabarabartë, por me ndërgjegjen e lartë ai kishte qëllim që me gjakun dhe jetën e tij t’i frymëzonte dhe mobilizonte bashkatdhetarët për luftën çlirimtare edhe me armë në dorë.

Zonja dhe zotërinj

1.

Agim Sylejmani, tashmë autor i një duzinë librash të karakterit publicistik dhe letrar, është emër i njohur në letrat shqipe dhe në publicistikën klandestine çlirimtare. Duke qenë kohë të gjatë edhe vetë veprimtar i palodhshëm i kauzës së madhe të lirisë e të bashkimit kombëtar, ai edhe kësaj radhe vjen me veprën e re, kushtuar Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtarit të shquar e të pandalshëm të saj, Rafi Halili.

Libri i formatit A5 ka gjithsej 180 faqe me tekst dhe ilustrime, me fotografi dhe faksimile shkrimesh e dokumentesh të shumta. Vjelja e dokumenteve argumentuese nëpër arkiva, duke përfshirë dosjen për Rafiun, nuk ka qenë punë e lehtë, por akoma më shumë mund ka kërkuar përkthimi i shumë prej tyre nga maqedonishtja në gjuhën shqipe.

Me gjithë përpjekjet e pamohueshme e me rezultate evidente, historiografia jonë ende nuk ka arritur t’i bëjë një studim të plotë shkencor, serioz e objektiv, sidomos Lëvizjes së re Kombëtare Shqiptare në trevat e aneksuara nga trungu kombëtar, më shumë se një shekull më parë. Distanca kohore e mjaftueshme që tashmë ekziston, pavarësia e studimeve historike nga politika ditore dhe objektiviteti e parimësia shkencore, por edhe mbështetja morale e financiare për këtë fushë të hulumtimeve do të ishin kushtet sine qua non për të ecur përpara me intensitet të ri studimor. Këto studime nuk duhet lejuar të bien pre e konkurrencave aktuale politike, ose të qenët gjallë të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Sa për nostalgjikët titistë nuk duhej trembur historiografia jonë, sepse sikur lufta edhe shkenca kërkon guximin e vet.

Tema e librit është organizata çlirimtare “Kushtrimi i Lirisë” me veprimtarinë e saj, në përgjithësi dhe udhëheqësi që kishte në krye Rafi Halili, në veçanti. Kjo temë është pa dyshim e një rëndësie serioze dhe me refleksion në situatat që po kalon aktualisht bota shqiptare, e mbase do të kalojë edhe në të ardhmen e saj.

 

4.

Autori librin e tij e ka karakterizuar si shkencor-historik. Gjithsesi lloji i librit është studim me përmbajtje e formë, i hartuar me përpjekje hulumtimi të lëndës dhe mbarështimit të saj me përkushtim. Autori tashmë ka përvojë të pasur në shkrimet e këtij karakteri.

5.

Libri është strukturuar në disa ndarje tematike në të cilat është shtjelluar lënda e tij. Ai  ka titullin, nis me parathënien e autorit për të vazhduar me përmbajtjen: hyrjen, mbi rrethanat historike që determinuan Lëvizjen Kombëtare Shqiptare; disa shënime të shkurtra biografike për Rafi Halilin; themelimin  e Organizatës “Kushtrimi i Lirisë”, me programin  e saj politik si dhe taktikat e  aksionet e veprimit; pastaj arrestimet e veprimtarëve, dosjen e Rafiut, aktakuzën etj., për të arritur në thelb, Letrën e Rafi Halilit dërguar në Kosovë, veprimtarinë e gjithëmbarshme të organizatës etj. Libri ka edhe faksimilet e shumë dokumenteve e shkrimeve, fotografitë përfundimin, bibliografinë, dhe aparaturën shkencore.

Përtej titullit që mban, libri trajton në mënyrë analitike edhe shumë dokumente arkivore, si aktakuza, vendime gjykatash, fletë ditari të Rafi Halilit, shënime të ndryshme të tij, organi i shtypit “Kushtrimi i Lirisë”, alfabeti i shifruar, nëpërmjet të cilit është komunikuar fshehtë midis bashkëveprimtarëve, organigrama e strukturës së organizatës e punuar në zyrat e analitikës udbeske etj. Dokumentet, burimet dhe faktografia e mbledhur gjithandej i nënshtrohen interpretimit me metoda shkencore, sidomos ajo historike, me faktorët e saj si kronologjia, zhvillimi etj. Veç dokumenteve të shumta është konsultuar edhe literaturë historike për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi dhe për Rafi Halilin në veçanti. Libri ka origjinalitetin e vet, me mënyrën e shtjellimit të lëndës e të strukturimit të saj, me gjuhën dhe stilin, por edhe me kontributin e ri që sjell në këtë fushë të studimeve.

Një kapitull i veçantë i veprës është paraqitja e rrethanave politike-shoqërore në trevat e pushtuara shqiptare. Megjithatë, siç e ka quajtur autori, boshti kryesor i përmbajtjes së librit janë letrat e Rafiut në dorëshkrim, në analizë të të cilave autori ka shfrytëzuar dokumentet e ruajtura nëpër arkiva. E një rëndësie të veçantë është letra që Rafiu, diku në prill të vitit 1982 i shkruan Mehmet Malajt, bashkëveprimtarit dhe babait të Heroit Rexhep Malaj dhe veprimtarit të palodhshëm të GRK-OMLK-së, Hasan Malajt, po ashtu bir i Mehmetit.

Autori e ndjek hap pas hapi nëpër vite veprimtarinë e dendur çlirimtare të Rafi Halilit. Rafi Halili hyn në radhën e personaliteteve të shquar të Lëvizjes së re Kombëtare Shqiptare. Ai përfaqëson luftëtarin e paepur, në burgje e jashtë tyre, natën e ditën, për  trevat shqiptare në Maqedoni, për Kosovën e trojet tona nën ish-Jugosllavi dhe për Shqipërinë e tij të shtrenjtë e të bashkuar që nuk e pa për së gjalli. Në një letër, Rafiu rikonfirmonte besnikërinë e tij ndaj betimit solemn që kishte bërë, duke shkruar: “Rafiu nuk pushon dhe qëndron me besa-besë”. Rafi Halili përkundër gjithë privacioneve dhe sakrificave, rrezikimit jo vetëm të jetës së tij, por edhe të tërë familjes, me vullnetin e hekurt dhe vendosmërinë e palëkundshme, ishte i përgatitur moralisht dhe fizikisht ta çonte deri në fund idealin dhe betimin e tij për lirinë e bashkimin e popullit dhe të kombit që i përkiste. Në këtë figurë morale politike e kombëtare të tij qëndron roli historik prej burimit të pashtershëm të edukimit dhe frymëzimit të përjetshëm të brezave të kombit tonë.

Ilegali legjendar i Karmës, Rafi Halili nga “koliba”siç e quan strehimoren e tij, në letrën e gjatë dërguar Mehmet dhe Hasan Malajt, të cituar më lart, shkruan: “Sot as vendi, as gjumi nuk më zë, i kam harruar detyrat që i kam si baba e kryefamiljar, i cili duhet ta ushqejë, ta vesh dhe ta mbathë familjen, ta mbrojë dhe të kujdeset për shëndetin e familjes, gruas dhe fëmijëve… I harrova edhe vuajtjet ku do të më zinte nata në këtë dimër të fortë, si do ta kaloj natën dhe a do të kem për të ngrënë.  Këtë (kalimin në konspiracion të thellë-Shën. MH) e bëra në fillim të prillit 1981, deri më tani janë 10 muaj në ilegalitet, nëpër male, fusha, kolibe dhe hambarë… Regjimi po m’i ndjek dhe po ushtron terror mbi gruan, fëmijët, prindërit dhe më gjerë… Mendja më rri te ideali dhe puna praktike revolucionare…” Rafiu ishte mjeshtër i kamuflimit, si një Vasil Shanto i dytë, duke e bërë shumë të vështirë identifikimin e tij fizik.

Kjo ishte jeta e ilegalistit të rezistencës, të privuar nga familja, nga jeta private e shpeshherë edhe nga ushqimi elementar. Kjo ishte jeta e veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të të gjithë brezave, të cilën brezi i sotëm e ka vështirë ta kuptojë në tërë dimensionin e saj privues e sakrifikues. Për më tepër, Rafi Halili i kishte angazhuar në lëvizje pothuajse të gjithë anëtarët madhorë të familjes së tij.

Që në qelitë e burgut famëkeq të Idrizovës së Maqedonisë, ku Rafi Halili mbajti 17 vjet burgim, ishte njohur me Heroin e ardhshëm të Kosovës Rexhep Malaj, për ta mishëruar bashkë një miqësi dhe lidhje vëllazërore të përjetshme në shërbim të çështjes së madhe shqiptare. Dy personalitete të kalibrit të Rexhepit dhe Rafiut kishin çfarë të merrnin nga njëri-tjetri. Ata, siç e kam thënë diku tjetër, edhe kur nuk njiheshin mes vete, ngjanin si binjakë revolucionarë të një nëne.

Në burg, nëpërmjet të Rexhepit Rafiu u lidh fort dhe e bashkoi veprimtarinë me organizatën çlirimtare  Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK-OMLK) që e përfaqësonte atje Rexhep Malaj .

7.

Sikur në veprat tjera edhe në këtë, stili i autorit është i lehtë dhe gjuha e pastër e rrjedhshme e artikuluar. Agimi është kujdesur ta përdorë gjuhën, me ndonjë përjashtim të rrallë, sipas rregullave e normave të saj standarde, që ajo të jetë e qartë dhe e  kuptueshme për të gjitha kategoritë e lexuesve.

 

8.

Këtë vepër të autorit Agim Sylejmani, sikur edhe të tjerat pararendëse, e shquan pasioni i tij për trajtimin dhe studimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Shkrimet e këtij autori përbëjnë thesar në fushën e studimeve historike. Vepra e tij që po promovojmë sot përbën prurje dhe kontribut origjinal me vlerë për ndriçimin e aspekteve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe personaliteteve të saj.

Libri i Agim Sylejmanit ka rëndësi në radhë të parë për përmbajtjen e tij të pasur, për rolin njohës dhe edukativ dhe për vlerat që ngërthen brenda kopertinave. Uroj t’u shërbejë studentëve, studiuesve dhe gjithë të interesuarve, brenda dhe jashtë kombit tonë, për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Libri ka ndonjë të metë e pasaktësi që nuk ia ulin vlerën e përgjithshme, por edhe mund të korrigjohen në ribotimin eventual të tij.

Autorit i uroj gjithashtu shëndet të plotë dhe vullnet për të bërë edhe shumë libra të tjerë në shërbim të kombit tonë dhe historiografisë së tij.

Ju falemnderit.

Kontrolloni gjithashtu

Platforma “Liria ka emër” mbajti një konferencë për media

Platforma “Liria ka emër” mbajti një konferencë për media, ku shprehu shqetësimin për shkeljet e …