Duke shfaqur mendimin e saj për gjendjen në lindjen e mesme në përgjithësi dhe Iranin në veçanti, ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj ka shkruar se Serbia mbetet “porta strategjike” e Iranit në Evropë. Ajo ka shkruar më tutje se Serbia është një mundësi e përsosur për të rritur ndikimin në Ballkan. “Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, të cilat e shohin Iranin si një shtet rrezikshëm që synon armët bërthamore, Serbia e kategorizon atë si një vend mik” ka shkruar në platformën X, ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj. Në vijim të shkrimit ajo ka renditur në mënyrë kronologjike datat e ngjarjeve të rritjes dhe thellimit të marrëdhënieve të Serbisë me Iranin.
Korrik 2022: Mbi 80 përfaqësues biznesi dhe zyrtarë qeveritarë nga Serbia dhe Irani u mblodhën në Beograd për një forum biznesi, që hapte rrugën për thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Tetor 2022: Irani ratifikoi një marrëveshje të re për shërbime ajrore me Serbinë, që thjeshtoi procesin e futjes së fluturimeve të rregullta komerciale mes dy vendeve.
Shtator 2023: Në ekspozitën “Partner 2023” në Beograd, Irani prezantoi për herë të parë një gamë të gjerë armësh, përfshirë raketa lundruese kundër anijeve CM35, raketa mbrojtëse AD75 dhe dronët Shahin me lëshim vertikal, ndërsa më pas Serbia raportohet të ketë blerë 1,000 dronë kamikazë iranianë.
Shkurt 2024: Irani miratoi politikën pa viza për qytetarët serbë.
Shtator 2024: Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun iranian, Mohammad Seyyed Abbas Araghch ku u riafirmua se ruajtja dhe forcimi i marrëdhënieve të forta bilaterale janë ndër prioritetet kryesore të qeverisë së 14-të të Iranit.
Janar 2025: U themelua “Shoqata e Miqve të Iranit,” që përbëhet nga figura kulturore, shkencore dhe shoqërore serbe, e cila filloi aktivitetet në Beograd.
Shkurt 2025: Ministri iranian i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe homologu i tij serb nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për avancimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK).