Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve raciste kundër shqiptarëve që u dëgjuan gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, në prani të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe delegacionit qeveritar.
Krasniqi i cilësoi thirrjet “vdekje për shqiptarët” dhe “dhoma gazi për shqiptarët” si të rënda, të papranueshme dhe thellësisht dëmtuese për bashkëjetesën ndëretnike, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe përtej saj.
“Shqiptarët janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe partnerë vendimtarë në rrugën euroatlantike të këtij shteti. Gjuha e urrejtjes ndaj tyre nuk është vetëm e rrezikshme, por edhe thellësisht kundër vlerave demokratike dhe europiane që duhet t’i bashkojnë popujt tanë,” ka deklaruar ai.
Kryetari i PDK-së i kërkoi Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të marrë përgjegjësinë dhe të distancohet qartë nga çdo akt ekstremist, duke theksuar se “heshtja konsiderohet miratim.”
Në reagimin e tij, Krasniqi nuk la pa përmendur edhe heshtjen e Kryeministrit në ikje të Kosovës, Albin Kurti, të cilin e konsideron si “kumbara” të qeverisë aktuale në Shkup.
“Ashtu si një tjetër heshtje që po bëhet gjithnjë e më zhurmshme: ajo e Kryeministrit në ikje të Kosovës, që si kumbara i kësaj qeverie në Shkup, mban përgjegjësi morale dhe politike për këtë klimë anti-shqiptare që po thellohet dita-ditës,” theksoi ai.
Krasniqi përfundoi reagimin e tij duke theksuar se dinjiteti dhe mirëqenia e çdo komuniteti nuk janë të negociueshme dhe se heshtja përballë gjuhës fashiste është qëndrim – andej dhe këndej kufirit.
“Shqiptarët kanë bërë shumë për këtë shtet, dhe nuk do të lejojnë askënd t’i nëpërkëmbë më,” përfundoi Krasniqi.