Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, ka reaguar me tone të ashpra pas insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje që Albulena Haxhiu të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë përpjekje si të paligjshme dhe jokushtetuese. Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën si po menaxhohet situata nga Vetëvendosje, duke theksuar se vendimi për të propozuar një votim të fshehtë me vetëm një kandidat është jo vetëm i pabazë, por edhe fyese për qytetarët. “Ata shkuan sot edhe bënë shkelje të hapur kushtetuese. Është e turpshme, e pahijshme, është fyese për qytetarët që e kanë votuar. Votimi i fshehtë ka kuptim kur ka zgjedhje, jo kur ka imponim”, deklaroi ai. “Për Albin Kurtin më e rëndësishme është Albulena Haxhiu se Kosova. Nuk kalon Albulena Haxhiu, e din Kurti – secili deputet, secili votues i tij. Nëse nuk e dinë, ua tregoj unë: Nuk kalon, pikë”, përfundoi ai me vendosmëri.
