Menderes Zeneli: Në romanin, “Atje ku fshihet dielli”, identifikohet heroi që nga fëmijëria e tij

Heroi Xhevat Qerimi ka 30 vite që nuk është më fizikisht mes nesh, por nderimi e përkujtimi për të, vazhdon.

Kësaj radhe me një libër për Xhevatin, me autor Avni Azizin, ku paraqiti  dokumentarin “Ëndërr e prerë në mes”, të shfaqur në Radio Televizionin Shqiptar dhe në manifestimin “Flaka e Janarit 2023” në Gjilan. Njëzetë e tetë kapitujt e librit, përmes simbolikës së veçantë, e identifikojnë heroin që nga fëmijëria, deri në janar 1993.

Romanin historik “Atje ku fshihet dielli” që i kushtohet Xhevat Qerimit, autori e nis me historinë e popullit shqiptar dhe mbijetesën e formimit si komb e shoqëri që ka kaluar nëpër shumë sfida.

Ai paraqet në këtë libër, vuajtjet e shumta që ka kaluar populli ynë nëpër etapa të ndryshme, si shpërnguljet, t’kurrjen e trungut Arbëror, e deri në ditët e sotme. Elaboratet e ndryshme, të përgatitura kryesisht nga fqinjët e shqiptarëve dhe të pranuara nga Fuqitë e Mëdha, kanë bërë që shqiptarët të jetojnë sot në territore të ndara e të cunguara.

Gjatë gjithë jetës së tij, Xhevati, siç e përshkruan autori i veprës, “krijoi miq e kryevepra, të fluturojë deri në Olimp”.

Vendlindja e Xhevatit është Tërpeza, e njejtë me atë të  Hysenit (Tërpeza), një luftëtari tjetër të njohur për trimërinë e tij. Në libër bëhet një përshkrim shumë i kujdesshëm, për gjenealogjinë e pemës familjare si nga ana e babait dhe e nënës.

Nuk është lënë në harresë as shpërngulja e familjes, Qerimi nga Tërpeza në Pozharan të Vitisë  si dhe arsyet e e lëvizjes së kësaj familje, të njejta si ato të shumë familjeve të tjera shqiptare. Basri e Rexhie Qerimi kanë pas trashëgiminë e tyre familjare, djemtë e vajzat; Qemajlin, Xhevatin, Magribën, Ramizin, Teutën e Sheqeren. Xhevati ishte fëmija i dytë i tyre. Të gjithë jetojnë sot, përveç Xhevatit!

Vitet e shtatëdhjeta, lanë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e shqiptarëve edhe përtej kufijve të shtetit amë, apo siç thoshte i madhi Dritëro Agolli, jeta u ngjall paksa edhe për shqiptarët këndej Drinit. Në Tiranë u mbajt Kongresi i Njësimit të Gjuhës Shqipe. Shqiptarët këndej kufijve, filluan të dalin në vendet Perëndimore, kryesisht në Zvicër e Gjermani.

Edhe Basriu nisi rrugën e mërgimit, si plot të tjerë. Por, ndryshe nga shumë të tjerë, ai nuk u kthye në një mërgimtar që shihte vetëm punën e re e siguronte të ardhura për familjen. As në mërgim nuk ndenji duarkryq sa i përket çështjes kombëtare.

Nisi të sillte me vete në vendlindje, fillimisht botimin “Shqipëria e Re” e me vonë, edhe revista e broshura që botoheshin atje; si “Zërin e Kosovës“, “Lajmëtarin e Lirisë“ e të tjera. E gjithë kjo, padyshim që la gjurmë të thella tek formësimi patriotik edhe i trashëgimtarëve të Basriut, sidomos te Xhevati e Qemajli. Xhevati, edhe pse në moshë të re, ishte shumë i pjekur edhe si pasojë e ngjarjeve të nxehta të kohës. Rinia e atëhershme, rritej me dëgjimin e rrëfimeve për gjërat që kishte përjetuar padrejtësisht kombi i tyre, shumë prej tyre ishin vetë dëshmitarë të ngjarjeve të mëdha.

Organizimet e përpjekjet për liri e bashkim kombëtar, kishin filluar me NDSH-në e vazhduan më pas me Metush Krasniqin, Adem Demaçin, e shumë patriot të tjerë. Kulminacioni i gjithë këtyre përpjekjeve titanike, arriti të kurorëzohej  më 17 janar 1982, nga Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Ibrahim Kelmendi e Hysen Gega. Kjo datë e ngjarjet që lidhen me të,  ishte vendimtare për vazhdimin e mëtejshëm e një organizimi shumë kuptimplotë, me një  disiplinë të lartë për sfidat që u shtroheshin këtyre patriotëve përpara.

Xhevat Qerimi edhe formalisht, u bë pjesë e këtyre ndodhive të rëndësishme aty nga viti 1985 si anëtar i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës dhe një udhëheqës i denjë i saj, deri 10 janar 1993, Xhevati do të vazhdonte luftën e tij pa u ndalur asnjëherë.

E kjo luftë ishte e gjatë dhe e  vështirë, që nga demostratat lokale, deri te një organizim të shumë pritur ushtarak, me pjesëmarrje në ushtrime ushtarake për përgaditjene luftës së armatosur nga oficerët e Akademisë Ushtarake të Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë në Tetor 1991 në Surrel – periferi të Tiranës.

Veprimtaria e tij politike e kombëtare, është vështirë të përmblidhet në pak rreshta. Por ajo shpaloset e plotë në këtë libër, në të cilin autori e paraqet kryepersonazhin e tij, në të gjitha dimensionet reale, me një përshkrim të thelluar në veçoritë e karakterit të tij, duke e sjellë si  të gjallë para lexuesit. Angazhimi i pandalur në çështjen kombëtare, është krenari jo vetëm për Xhevatin, por mbi të gjitha për familjarët e tij, prindërit, bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij. Libri përshkruan heroin në mënyrë figurative përmes të gjithë kapitujve të tij, për të sjellë kështu në mbamendjen tonë kolektive kombëtare e për ta ruajtur me fanatizëm jo vetëm për ata që i përjetuan por  edhe për brezat që vijnë, veprimtarinë e heronjve të tillë që shënuan këto ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.

Janë pikërisht luftëtarët e tillë të çështjes sonë kombëtare, si Xhevat Qerimi me bashkëmendimtarët e bashkëluftëtarët e tij, që janë të rënët për Atdhe, ata të cilëve ne ua kemi borxh të ardhmen tonë. Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu, Fadil Vata, Ilir Konushevci, Bardhyl Osmani, Fetnete Ramosaj, Qerim Kelmendi etj, lanë një shqetësim mes nesh me vdekjet e tyre të  parakohëshme! Por njëkohësisht, na bënë krenarë, sidomos brezin që këto ngjarje i përjetoi nga vija e parë e luftës. Na takon neve që jemi gjallë, të përkujdesemi maksimalisht që këta heronj të vazhdojnë të jetojnë mes nesh. Ëndrrat e tyre nuk duhen lënë në harresë. Ideali i Xhevatit e i shokëve të tij u realizua, u themelua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pjesërisht janë arritur ato ideale për të cilat ai luftoi. Është shpallur edhe “Hero i Kosovës”. Kombi shqiptar mbijeton në trojet e tij shekullore.

Fëmijët e Xhevatit u rritën nën përkujdesjen e prindërve e në veçanti të bashkëshortes Imrie Demi, dhe motrave e vëllezërve të tij, ku u edukuan me shumë dinjitet, për ta trasuar dhe ndjekur idealet e Xhevatit. Ashtu, me plot të drejtë shprehet poeti për Heroin e trashëgimtarët e tij; “Në kujtesë mbete i gjallë, ti je vetë Liria, emri yt nuk shuhet po RRON, tek Qëndresa, tek Jetmira!”

Qershor 2023

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …