Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli ka thënë se armatosja e Serbisë duhet parë si një kërcënim serioz për Kosovën. Ai ka shtuar më tutje se Serbia e arsyeton armatosjen si shtet neutral, por në realitet qëllimi kryesor është ndikimi ndaj Kosovës, vend i cili ende nuk ka përparuar në integrimet euroatlantike. Gjatë intervistës për Ekonomia Online, njohësi i fushës së sigurisë, Mentor Vrajolli ka tërhequr vërejtjen mbi rrezikun që mund t’i vjen Kosovës prej grupeve terroriste, sikur ishte ai në Banjskë. “Rreziku është jashtëzakonisht i madh, kjo u pa me sulmin terrorist në Banjskë. Ata që kanë qenë pjesë e sulmit në Banjskë edhe më tutje ndodhen të lirë në territorin serb me të gjitha mundësitë që ata të riorganizohen për t’u futur në territorin e Kosovës, mbase edhe me përforcime nëpërmjet mobilizimit të individëve me bindje ultranacionaliste që mund t’u bashkëngjiten këtyre personave. Kështu që rreziku mbase mund të jetë edhe më i madh sesa ka qenë me sulmin terrorist në Banjskë”.
