Brickos

Mexhid Yvejsi: HAFIZ IBRAHIM PALLASKA: (1875-1935)

Hafiz Ibrahim Pallaska, është djali i Osman ef. Pallaskës, lindi në vitin 1875, në mëhallën e Sefës, që ndodhët pranë Çarshisë së Vogël në Gjakovë. Qysh i vogël, ende fëmi, dallohej për zgjuarsi. Kjo zgjuarsi është dëshmuar, kjo dëshmi të gjithë i ka befasuar të gjithë i ka gëzuar kur në moshën shtatë vjeçare tërë Kur’anin përmendësh e ka mësuar! Ky është një rast i rrallë, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në përmasa ndërkombëtare.

Shkollimi dhe shërbimi

Pasi e mësoi Kur’anin përmendësh në mejtepin e “Halil Efendisë” në Gjakovë, pastaj vazhdoi shkollimin në Medresenë e Vogël, në Medresenë Madhe në Gjakovë, kurse studimet e larta për drejtësi (sheri’at) i filloi në Kairo, i vazhdoi në Damask, i përfundoi në Stamboll. Gjatë shkollimit, arriti të mësoi për bukuri gjuhët orientale osmanishtën, arabishten e persishten. Pas diplomimit, u kthye në vendlindje në Gjakovë, ku shërbeu me përkushtim, me drejtësi, si imam, mësues, predikues, kadi dhe myfti. Myfti ishte deri në vitin 1929. Përveç që ishte besimtar, Hafiz Ibrahim Pallaska ishte atdhetar, atdhetar i kishte e miqët më të ngusht, ndër ta dallohej atdhetari i njohur, Mulla Haxhi Zeka (1832-1902) me të cilin kishin shkuar në vendet e shenjta, në haxh, në Mekke dhe Medine të Hixhazit, sot Arabia Saudite. Udhëtimin deri në vendet e shenjta e kishin bërë në këmbë, shkuarje-ardhje, që ka zgjatur rreth dhjetë muaj!Ka shërbye si imam në Xhaminë e Mahmud Pashësh në Çarshinë e Vogël dhe në Xhaminë e Sefës, që e kishte afër shtëpisë. Përveç detyrës së imamit në xhami, që nga viti 1907, kur ende ishte Perandoria Osmane në trojet tona, Hafiz Ibrahim Pallaska ka qenë Kadi i Gjakovës, kurse më vonë deri në vitin 1929 ishte Myfti i Gjakovës. Ndërroi jetë në Gjakovë në vitin 1935, kur ishte në moshën 60 vjeçare. La në shtëpi ku banonte një bibliotekë të pasur me libra në gjuhët orientale, me përmbajtje fetare, historike, filozofike, mistike, kishte fjalor, enciklopedi, drejtësi, gjuhësi, udhëpërshkrime, letërsi,  në gjuhën osmane, arabe dhe perse, të cilat, djali i tij, dr. Talat Pallaska ia dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, të cilat ruhen në një vend të veçantë…

Hafiz Ibrahim Pallaska ka lënë dy djem, Shaniu, aktor dhe dr.Talatin.  Shani Pallaska (1928-1999) është djali i Hafiz Ibrahim Pallaskës, që ishte aktor i teatrit, filmit televiziv, dhe ekranit të madh. Shani Pallaska u lind në Gjakovë 1928, por artin e tij e përkreu në  Teatrin Krahinor të Prishtinës (TKP) dhe në studion filmike Kosovafilmi. Bashkë me aktorët Abdurrahman Shala, Istref Begolli dhe Muharrem Qena, Shani Pallaska ishte pionier i aktrimit kosovar. Pas suksesit në Kosovë, Shaniu morri pjesë edhe në projekte filmike në pjesë tjera të ish-Jugosllavisë. Ndrroi jetë në Prishtinë më 13 janar 1999.

Dr. Talat Pallaska, (1930- 2011) është djali i Hafiz Ibrahim Pallaskës. Dr. Talat Pallaska ka qenë mjek i specializuar për sëmundjet e veshëve, hundës dhe fytit, (otorinolaringolog), profesor  i Univerzitetit të Prishtinës, ishte kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. Kryetar i Shoqatës së arsimtarve universitar të ish Jugosllavisë. Ishte anëtar i këshillit redaktues të revistës shkencore “Sinopsia ORL Yugoslavica” dhe një nga mjekët më të shquar që kontribuoj në organizimin e revistës “Praxis medica”, anëtar i Këshillit redaktues i së cilës ishte një kohë. Dr. Talat Pallaska ishte nxitës dhe aktivist i hapjes së Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, i cili filloi punën në vitin 1969. Në Fakultet të Mjekësisë u zgjodh ligjerues më 1972. Pas dy vite më 1974, morri titullin “Docent” në lëndën e otorinolaringologjisë, pas katër viteve u zgjodh “Profesor inordinar”. Ishte Prodekan i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë gjatë viteve 1972 -1974, ndërsa në vitin shkollor 1979 – 1981ushtroi detyrën e Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Shumë kohë ishte drejtor i Klinikës së Otorinolaringologjisë dhe udhëheqës i katedrës së ORL-së.Me ardhjen e masave të dhunshme serbe në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1990, me që ishte nënshkrues i Apelit 215, Talat Pallaska u detyrua të jap dorheqje në postin e drejtorit të Klinikës së ORL -së në Prishtinë. Më vonë, në vitin 1991, u largua nga puna me dhunë nga okupatorët serbë, mirëpo edhe më tutje, por në kushte shumë të vështira ushtroj detyren e mësimdhënësit në Fakultetin e Mjekësisë. Në atë kohë mësimi mbahej në shtëpi private. Në Klinikë të ORL-së u kthye në qershor të vitit 1999, në detyrë të Kryeshefit të repartit operativ me njësinë intesive. Talat Pallaska u pensionua në vitin 2001. Edhe pas pensionimit vazhdoj bashkpunimin me Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, deri në vitin 2003.  Dr. Talat Pallaska ndrroi jetë në Prishtinë më 25 qershor Prishtinë, u varros në Gjakovë më 26 qershor 2011 n’ora 17 në varrezat e qytetit ku lindi.

Mexhid Yvejsi: Hafiz Fahri ef.Iljazi (1903-1985)

Myderrizi, Hafiz Fahri Efendi Iljazi ishte njëri prej hoxhallarëve më të ditur, jo vetëm të Gjakovës, jo vetëm të Kosovës, por ishte një nga më të dalluarit, një nga më të shquarit në nivel kombëtar, në të gjitha trojet ku ka shqiptarë….

                                   Prejardhja familjare

Rrjedh prej një familje të njohur gjakovare, prej së cilës ndër shekuj kanë dalë shumë intelektualë, dijetarë, myfti, myderrizë, hafizë, hoxhallarë, atdhetarë…

Fahri Efendi Iljazi lindi në vitin 1903, në Gjakovë. Është djali i myderrizit, Hafiz Iljaz Efendiut, i cili ishte djali i myderrizit, Hafiz Muhamedi Efendiut, i cili ishte njëri nga pesë djemt e Yvejs Efendiut, të gjithë hoxhallarë të njohur, të nderuar, të cilët janë: Muhamed Efendiu, Hafiz Ismail Efendiu, Hafiz Muhamedi Efendiu, Jahja Efendiu dhe Hysein Efendiu.

    Yvejs Efendiu, babai i pesë hoxhallarëve të shquar, ka qenë myderrizi i parë në Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila ishte vatra kryesore edukative, arsimore, kulturore, jo vetëm e Gjakovës, por e tërë Kosovës…

                                 Shkollimi dhe shërbimi

   Fahri Efendi Iljazi mësimet fillestare i kreu në Gjakovë, ku krahas mësimeve, pranë babait, myderrizit, Hafiz Iljaz Efendiut, e mësoi Kur’anin e Shenjtë përmendësh, në moshën 11- të vjeçare dhe e fitoi titullin e nderuar: Hafiz. Hafiz ishte edhe babai i tij, Myderriz Iljaz Efendiu, që nga mosha 9-të vjeçare…

    Hafiz Fahri Efendi Iljazi i vazhdoi mësimet në Medresenë e Madhe në Gjakovë, pranë babait, Myderriz Iljaz Efendiut, deri në vitin 1920, viti kur ndrroi jetë babai i tij i nderuar.

    I vijoi studimet në Medresenë “Mehmed Pasha” në Prizren, pranë Myderrizit të shquar Nusret Efendi Galibit, i cili ka qenë Myfti i Prizrenit, kryeqyteti shpirtërorë e historik i shqiptarëve…

    Gjatë studimeve në Prizren, Fahri Efendi Iljazi, ishte njëri prej studentëve më të zgjuar, më të talentuar, aq sa, ka ndodhur shpesh, në mungesë të myderrizëve, edhe myderrizët i ka zëvendësuar…! Me përfundimin e studimeve, me sukses shembullorë, përveç diplomës e përfitoi edhe titullin e nderuar, titullin e çmuar: Myderriz. Këtë titull të çmuar, si sot akademik, për ta fituar, iu nështruar provimit para komisionit të përbër nga tre myderrizë, të cilët janë: Myderriz Rexheb Efendiu nga Mitrovica, Myderriz Ataullah Efendiu nga Shkupi dhe Myderriz Nusret Efendi Galibi nga Prizreni.

                 Shërbimet dhe vlerësimet

     Që nga janari i vitit 1930 e deri në vitin 1948, kur e mbyllën komunistët, Hafiz Fahri Efendi Iljazi ka qenë Myderriz, udhëheqësi kryesor, në Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila i ka dhënë dritë tërë Kosovës…

    Gjatë 18 viteve sa shërbeu në Medresenë e Madhe në Gjakovë, ku kanë studiuar 93 studentë, nga të gjitha trevat shqiptare, mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Në programin arsimor të Medresesë, Hafiz Fahri Efendia, përveç lëndëve që ishin në të kaluarën, futi lëndë të reja, si Kelami (Apologjetika) Ibnu Feraiz (E drejta trashëgimore), Filozofia Islame, Tesavufi Islam, Fizika, të cilën e ligjëronte Beqir Efendi Baraku, i cili ka qenë edhe poet…!

     Në vitin 1938 doli gjenerata e parë e të diplomuarëve nga Hafiz Fahri Efendia dhe për këtë ngjarje nga Sarajeva erdhi një delegacion në krye me Reisin (Kryetarin) Xhemaludin Çausheviç dhe mysafirë të shquar nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët qëndruan bashkarisht tri ditë në Medrese, në Gjakovë. Të diplomuarit e gjeneratës së parë nga Gjakova janë: Hafiz Teufik Ef. Nahi, Hafiz Selim Ef. Yvejsi, Jahja Ef.Bakalli dhe Qamil Ef. Ferizi.

   Shumica prej nxënësve të Myderriz Fahri Efendiut, pasi kanë diplomuar, u bënë dijetarë të shquar, atdhetarë e luftëtarë të dalluar, prej tyre vlenë të përmenden disa emra të paharruar si: Mulla Zekë Bërdynaj, Mulla Ramush Shatri, Haxhi Jahja Daci, Mulla Iljaz Broja, Hafiz Muhamed Gashi, Mulla Hajriz Demaku etj.

     Në vitin 1948 u mbyll me dry Medreseja e Madhe e Gjakovës nga komunistët, me arsyetim banal se kinse nuk i plotëson kushtet hygjenike…! Me gjithë këtë, Hafiz Fahriu e vazhdoi edhe për dy-tri vjet në fshehtësi mësimin me disa studentë të rinj…!

    Më 15 nëntor të vitit 1957 në Sarajevë u zgjodh kryetari i ri  i myslimanëve të ish Jugosllavi, Haxhi Sulejman ef.Kemura. Kurse më 8 dhjetor 1957 u zhvillue në Sarajevë ceremonia në Begova Xhaminë pranimi i detyrës dhe betimi. Për këtë ngjarje me rëndësi, ishin ftuar në Sarajevë, me rastin e shpalljes, betimit, të Reisit (Kryetarit) të ri të Bashkësisë Islame për Jugosllavi, Sulejman Efendi Kemura, përveç delegacioneve vendore, kishte edhe delegacione nga vende të ndryshme arabe-islame, ishte caktuar që Hafiz Fahri Efendia nga Gjakova të lexonte tekstin e Betimit (Menshura) në gjuhën arabe, ashtu edhe ndodhi. Kjo nuk ishte rastësi, por ishte një vendim me rëndësi nga  dijetarët që kuptojnë, që dinë të vlerësojnë dijetarët, vlerat e një personaliteti të shquar të Kosovës, siç ishte Hafiz Fahri Efendia i Gjakovës.

    Në vitin 1963, një delegacion fetar nga ish-Jugosllavia viziton Marokon, ndër anëtarët e delegacionit ishte edhe Hafiz Fahriu, aty i pret Mbreti i Marokos Hasani i Dytë dhe kur foli Hafiz Fahriu në gjuhën arabe, pastër, rrjedhshëm, me maturi, zhgjuartësi, mbreti mbeti i habitur…! Pas disa vitesh, Mbreti Hasan i Dytë, e kishte pyetur Fadil Hoxhën në Maroko: “A e njeh Hafiz Fahri Efendiun, është nga vendi i juaj? Po, bile jemi nga i njëjti qytet, nga Gjakova, ishte përgjigjur Fadil Hoxha. Kurse, Mbreti Hasan i kishte thënë: “Një kokë si e tij, plotë urtësi, i mjafton vendit tuaj!”

   Veprimtaria e Hafiz Fahriut është shumë e gjërë, është shumë e gjatë, ka shërbye me përkushtim, mbi gjysmë shekulli, ditë e natë…

    Ka shërbye si imam në disa xhami, ka shërbye si kryeimam i Gjakovës, edhe i një pjese të Kosovës, që quhet Dukagjin, duke përfshi Pejën, Istogun deri në Klinë.

    Ka qenë Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, gjithashtu, ka shërbye në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës…

    Ka shërbye për shumë vite në Xhaminë e Hadumit, e cila është xhamia e parë e Gjakovës, bukuroshja e Kosovës, themelue me 1594, nga një shqiptar, nga Sylejman Efendiu apo siç njihet në popull me emrin Hadum Aga.

    Në Xhaminë e Hadumit, që kur isha fëmi, i kam përcjellë në vazhdimësi, ligjëratat, hytbet, predikimet e tij. Predikimet e tij kanë qenë në nivel superior,  ishte klasik, por edhe bashkohor. Gjithnjë ka qenë i përgatitur, çdo fjali e tij ishte e ndritur…Kurrë s’ka folë me hamendje, përherë ia qëllonte, dëgjohej me respekt e vëmendje…!

  Myderriz, Hafiz Fahri Ef.Iljazi, ulur në mes, me nxënësit e tij në Medresenë e Madhe në Gjakovë, i pari majtas, ulur, Hafiz Selim Yvejsi, fotografue në vitin 1937.

              Kanë thënë për Medresenë e Madhe të Gjakovës

             të udhëhequr nga Hafiz Fahri Efendi Iljazi

      Në vitin 1941, një delegacion i Komunitetit Musliman Shqiptar me qendër në Tiranë nën udhëheqje e dr.Behxhet Shapatit vizituan Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila udhëhiqej nga Myderriz Fahri ef.Iljazi:

     ”Myderrizi (Fahri ef. Iljazi) së bashku me popullin dhe prijësit fetarë na udhëhoqën për në Medrese, pranë së cilës kishin dalë dhe ishin rreshtuar një tufë studentësh duke na uruar mirëseardhje.

     Qetësi e gëzim, të një ritmi fetar, konstatuam në fytyrat e tyre. Na çuan në sallën e Medresesë, sallë kjo e shtruar mirë dhe pastër. Këtu gjetëm të gjithë komoditetet për të cilat ka nevojë udhëtari.

     Këtu pamë edhe programin e Medresesë, të cilin e gjetëm krejt të plotësuar e sidomos në disa mësime si në Filozofi Islame, Etikë, Jurispodencë Islame etj., të cilat duhet vihen edhe në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë.”   (Revista”Kultura Islame”, Nr. 3, Tiranë, 1941)

                       Kanë thënë për Hafiz Fahri ef. Iljazin

     Prof. Fejzullah Haxhibajriç nga Sarajeva në librin e tij “Nekrolozi” ndër të tjera thotë:

“Sipas meje, e them me plotë bindje se Hafiz Fahri Efendiu është njohësi më i madh i tesavufit dhe jurispodencës islame në Ballkan.  Nuk e ka njohur dhe komentuar Ibën Arabiun më mirë se ai askush në Ballkan”.

     Në një intervistë me Hajriz Demakun, ish-nxënës i Hafiz Fahri Efendiut, ish-luftëtar i Shaban Polluzhës, babai i shkrimtarit të njohur Daut Demaku, nga Drenica, gazetari e pyet: “Mixha Hajriz, kush është për ty më i pari për pushkë, trimni, dhe për dituni?

Mixha Hajriz tha: Për pushkë e trimni si Shaban Polluzha s’ka, kurse për ilm, dituni si Hafiz Fahri Efenija i Gjakovës, shtatë shokë myderrizë, s’ka asnja! Këtë intervistë mund të kërkoni në internet, e gjeni leht!

                          Ka thënë Hafiz Fahri Efendija

          Myderrizi, Hafiz Fahri Efendija ishte enciklopedi, këtu mjafton të shënojmë tri thënie të tij!

       “Nuk na mbetet tjetër veçse ta dojmë, ta ndërtojmë dhe ta çmojmë njani-tjetrin”

         ”Të zhvillohemi në pikëpamje shpirtnore, intelektuale dhe atdhetare.”

          ”Ditunija asht arma ma e fortë kundër anmikut”

    Hafiz Fahri Iljazi, ishte një personalitet i madh, si një figurë e shquar, gjithnjë ka qenë i vëzhguar, i përgjuar, nga kundërshtarët, që ishin anti-fetarët, anti-shqiptarët…

    Përveç veprimtarisë fetare, edukative, arsimore, Hafiz Fahri Efendiu është marrë edhe me veprimtari kulturore. Rreth vitit 1950, e ka bërë transkriptimin në gjuhën shqipe të veprës “Vehbije” (Dhuratë), të myderriz Tahir Efendi Gjakovës, shkrue e botue në Stamboll, me 1835. E ka përmirësuar, e ka pastruar, nga fjalët e hueja, veprën “Mevludi” , të Tahir Efendi Popovës, që këndohet nëpër të gjitha trevat e Kosovës. Ka marrë pjesë në hartimin, përpilimin, e të parit doracak “Ilmihal i Vogël”, që është botuar në Prishtinë me 1957, nga Kryesia e Bashkësisë Islame.  Ka lënë në dorëshkrim veprën “Jasin”, përkthim nga gjuha arabe, por me komentim…

    Emri i Myderrizit, Hafiz Fahri Iljazi, si një dijetar, si një personalitet i rrallë, përmendet me nderim edhe sot e kësaj dite, jo vetëm në Gjakovë, jo vetëm në Kosovë, por që nga Shkodra deri në Vlorë, nga Sarajeva në Shkup, Dibër, Tetovë deri në Stamboll…!

     Hafiz Fahriu ndrroi jetë me 19 Nëntor 1985, në moshën 82 vjeçare. Shërbimet e fundit mortore, në këtë jetë të përkohshme tokësore, i kreu kushërini i tij, nxënësi i tij, Hafiz Selim Yvejsi. Në përcjelljën e fundit, përveç popullit, morën pjesë të gjithë hoxhallarët e Gjakovës, morën pjesë hoxhallarët nga çdo anë e Kosovës…!

    Atë ditë, komunistët e Gjakovës, duke e parë gjithë atë popull, qindra hoxhallarë, shejhlerë, dukeshin të tronditur, këtë nuk e kishin pritur, vështronin si të hutuar me sy, ishin bërë si pulat pa kry…!

    Namazi i xhenazës u falë pranë Xhamisë së Hadumit, ku oborri ishte mbushur përplotë xhematli, ndërsa u varros në oborrin e Xhamisë, Xhamisë së Hadumit, ku kishte shërbye me përkushtim, derisa i erdhi ftesa prej Krijuesit për n’Amshim…

     Ky burrë, ky dijetar, pedagog, atdhetar, e meriton që së paku një rrugë, shkollë të emërtohet me emrin e tij të nderuar Hafiz Fahri Iljazi…

Mexhid YVEJSI: Mexhid Yvejsi: Hoxhë Kadri Prishtina dijetar, atdhetar, politikan, diplomat, publicist, dhe jurist

Hoxhë Kadri Prishtina lindi më 1878, vdiq më 20 janar 1925. Në historinë e popullit shqiptar, Kadri Prishtinë ka hyrë nga dyert e mëdha dhe ka mbetur ndër personalitetet më të shquara të kombit.  Hoxha Kadriu, ka qenë dijetar, atdhetar, politikan, diplomat, publicist, jurist.

Lindi në vitin 1878, në vitin historik, kur u themelua”Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, organizata politike-ushtarake, e cila e zgjoi vetëdijen kombëtare në të gjitha trojet shqiptare…

Mësimet fillestare i kreu në Prishtinë, në gjuhën turke, ndërsa ato të mesme në Shkup, në shkollën e njohur “Dar ul-Mualimin”.

Studimet i vazhdoi në Stamboll, në shkollën e quajtur “Dar-ut-Tedris”, që ishte Shkollë e Lartë Pedagogjike. Atëherë, menjëherë, u regjistrua në Medresenë e famshme “Fatih”, ku edhe aty diplomoi me rezultat të shkëlqyeshëm.

Në vitin 1904, në moshën 26 vjeçare, Hoxha Kadri Prishtina jo vetëm që ishte jurist, por ai tashmë kishte fitue titullin Myderriz (Profesor) dhe titullin Hoxha, (Dijetar).

Po në këtë vit, me 1904, Kadri Prishtina, duke qenë jurist, profesor e hoxhë, në moshën 26 vjeçare, u arrestua në Stamboll, ku edhe u burgos për veprimtari atdhetare…

Gjatë pesë vjetëve, sa ishte në burg, në Jedikule, ku vuanin dënimin edhe të burgosur tjerë politikë, Hoxha Kadriu u sëmur rëndë, aq rëndë sa iu desh ta amputonte këmbën.

Hoxha Kadriu, edhe pse me një këmbë të amputuar, kurrë nuk është dorëzuar, e vazhdoi veprimtarinë e tij, që Shqipnija të bëhet Shqipni, e pavarur, e bashkueme e përparueme…

Këtë e dëshmoi, kur në Shkodër, me 1915, e krijoi një komitet me emrin “Komiteti i Fshehtë”, kurse pas tri vjetësh me një grup atdhetarësh, intelektualësh, kryesisht nga Kosova, e themeloi një organizatë politike, e cila do ta organizonte popullin shqiptar në luftë për çlirim e bashkim kombëtar…

Kështu, si fryt i kësaj veprimtarie, nën udhëheqjen e Hoxha Kadriut, me 1 Maj 1918, në Shkodër, u themelue Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” , në përbërje të tij kishte Këshillin Qendror, ku bënin pjesë shtatë anëtarë, të cilët e zgjodhën kryetar Hoxha Kadri Prishtinën, nënkryetar Hysni Currin dhe sekretar Bedri Pejanin…

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, përveç degëve që kishte në gjithë Shqipninë, e kishte organin e vet, gazetën “Populli”, e cila botohej në Shkodër, nën drejtimin e mësuesit atdhetar, Salih Nivica.

Në vitin 1919, për t’u ndihmuar kryengritësve Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në udhëheqjen e Hoxha Kadriut, përgatiti Programin e përgjithshëm të kryengritjes në Kosovës me këtë përmbajtje:

  1. Asnjë kryengritës nuk guxon t’i dëmtojë shkiet e vendit veç atyre që qëndrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar.
  2. Asnjë kryengritës nuk guxon të djegë shtëpia, të rrënojë kisha e gjëra të tjera.

III. Plaçka është jasak (e ndaluar) e kryengritjes.

  1. Asnjë kryengritës nuk guxon të bëjë ndonjë shëmtim mbi trupat e të vrarëve të armikut, as t’i zhvesh ata armiq që vdesin a plagosen ose që zihen robër.
  2. Veprimi më i gjallë është kundër ushtrisë, xhandarmërisë, kundër komitëve të armikut që kundërshtojnë me armë në dorë…
  3. Një tradhtar që kundërshton luftën krahas me armikun ose veç është kundër qëllimit shqiptar, ka për t’u vrarë pa gjyq e pa afat e kushdo që të jetë. Por, një tradhtar pa armë në dorë ka për t’u gjykuar para gjyqit të kryengritjes (pas) e ka për t’u dënuar mbas dokumentesh e jo vetëm sipas thashethemeve të hallkut.

VII. Me të zbatuarit e jo me të çliruar të një katundi serb, shkiet e vendit, ashtu edhe çarshia të ruhen me njerëz, besnikëria e kryengritjes të ndjekë armikun pa afat e pa bjerrë asnjë dakik nëpër qytet e nëpër katunde.

VIII. Kot e pa nevojë, as gjaku i popullit tonë as gjaku i popullit të armikut, s’ka pse të derdhet. Por aty ku është nevoja një kryengritës nuk guxon të kursejë aspak gjakun e vet.

  1. Çka i përket këtyre ka për t’u ruajtur me njerëz më besnikë e me të marrë vesh.
  2. Të vrarët shqiptarë s’kanë për t’u shti në dhe derisa të vijë një komision i huaj. Mizoritë e bëra prej armikut kanë për t’u shënuar dhe për t’iu dëftuar Evropës e Amerikës (Dr. Limon Rushiti, “Lëvizja kaçake në Kosovë”, Prishtinë, 1981, f. 94 – 95).

Më 24 prill 1919, filluan të shpërndahen thirrjet për kryengritje. Në ato, pos tjerash, shkruhej: “Vëllazen koha âsht tepër me rândësi.. S’kemi asnji minutë për të kapërcye në gjumë”. Dita e fillimit të kryengritjes u caktua dita e Shëngjergjit, më 6 maj 1919.

Sinjalin për fillimin e kryengritjes së përgjithshme në Kosovë, që më shumë do të njihet si Kryengritja e Llapushës, e dhanë Azem dhe Shotë Galica në Radishevën legjendare. Edhe në qendrat e tjera të Kosovës kishte filluar kryengritja në të njëjtën kohë. Në Llapushë lufta kishte shpërthyer shumë ashpër. Atje udhëheqnin trimat e njohur Sadik Rama i Gjurgjevikut, Ramadan Shabani i Kijevës dhe Beqir Rexha i Kërnicës.

Kryengritja përfshiu tërë Kosovën. Numri i kryengritësve arriti në rreth 10.000 veta…

Në Kongresin e Lushnjës (27 -31 janar, 1920) , ku iu vunë themelet e Shqipnisë, u zgjodh qeveria e re shqiptare, e dalë nga vendimet e kongresit që kryesohej nga kryeministri Sylejman Delvina, kurse Ministër i Drejtësisë u zgjodh Hoxha Kadri Prishtina.

Në qeverinë e Kryeministrit Sylejman Delvina, përveç

Ministrit të Drejtësisë, Hoxhës Kadri Prishtina, u zgjodhën edhe këta ministra: Ahmet Zogu, Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica, Ministër i Punëve të Jashtëme, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, Eshref Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomene Kosturi, Drejtori Përgjithshëm i Postë-telegrafave…

Hoxha Kadriu është zgjedhur disa herë përfaqësues i popullit (deputet) në parlamentin shqiptar në Tiranë, kurse në Shkodër, ku punonte si avokat, e botonte revistën mujore me titullin “Udha e s’Vërtetës”, numri i parë i së cilës doli në dritë në muejin tetor të vitit 1923…

Për veprimtarinë atdhetare të Hoxha Kadriut janë shkrue shumë artikuj, punime, studime, janë organizue Sesione Shkencore, është shkruar në Historinë e Shqipërisë, në Fjalorin Encilopedik Shqiptar, në Fjalor Enciklopedik, Toena, Tiranë, 2002.

Është botuar edhe një monografi nga Eqber Skëndi me titull:”Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina), 1992, por askund nuk është shkrue për veprimtarinë e tij fetare, përveç nga studiuesi, Mr.Qemajl Morina, prof. në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, i cili që në vitin 1997, në revistën “Dituria Islame”, revistë mujore, fetare, kulturore, shkencore, ka shkrue në disa vazhdime studimin me titull: “Idetë Islame të Hoxhë Kadriut në revistën “Udha e s’Vërtetës”…

Hoxha Kadriu ndrroi jetë me 20 janar 1925, në moshën 47 vjeçare, por la gjurmë të pashlyeshme për çështjen fetare-kombëtare. Duke marrë parasysh se Hoxhë Kadriu mbeti invalid qysh i ri, si pasojë e burgut në Turqi, ai meriton të jetë shembulltyrë për shqiptarë, për Shqipni…

 

II  Programi i organizatës Mbrojtja Kombëtare e Kosovës

 

Programi i parë dhe themelori i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës  ishte miratua në ditën në të cilën edhe ishte formua organizata, me 1 maj 1918. Pika më e rëndësishme e programit ka të bëjë me Nyjen e parë e cila në mënyrë decidive kërkonte bashkimin e të gjitha krahinave të banuara me shqiptar dhe në këtë mënyrë edhe vërehej qëllimi kryesor i komitetit ku thuhej se “Me u përpjekë para pushteteve të mëdha të Entantës e me kërkue bashkimin e krahinave të Kosovës (Shkup, Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, Kaçanik, Ferizoviq, Gjilan, Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë, Jeni Pazar, Rozhajë, Pejë, Guci, Gjakovë, Prizren) në Shqipin të lirë dhe vetëurdhënuese. Në pikën e dytë të programit thuhej se “Me protestue para Pushtetevet të Mëdha të Entantës kundër mizorinave sllave nder krahinat të Kosovës deri në ditët e sotit e qi dojnë me u ba edhe mas sotit”. Anëtarët e Komitetit kishin një eksperiencë dhe njohuri se forcat dhe pushtetet okupuese në tokat shqiptare po ushtronin dhunë e terror të paparë ndonjëherë ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, andaj edhe delte pika e dytë e programit në të cilën kërkohej përkrahja dhe ndihma nga shtete e mëdha që të mbrojnë popullatën shqiptare, por ekzistonte frika se ato barbari do të ushtrohen edhe në të ardhmen ndaj tyre dhe ishte e domosdoshme që këto vende të merren në mbrojtje nga fuqitë e mëdha. Ndërsa pika e tretë e programit kishte të bëjë me organizimin dhe zgjedhjen e një delegacioni njerëzish të zgjedhur për ti dërgonin në botë për ti mbrojtur dy pikat e para. Në pikën e tretë thuhej “Me zgjedhë e me çue nji delegacion për me i mbrojtë në fillim dy pikat e sipërpërmendura para botës zyrtare e jashtë zyrtare

Programi i dytë i Komitetit u miratua pas dy viteve të punës së organizatës, me 30 gusht 1920. Në programin e dytë gjejmë fuqizim dhe qartësim më të avancuar se në programin e vitit 1918 dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë së kësaj organizate në periudhën pasardhëse. Në pikën e parë të programit të 30 gushtit 1920, përcaktohej qëllimi i veprimtarisë së anëtarëve të Komitetit për “me i dal zot vetësundimit e anësisë tokësore të Shqipënisë”. Realizimin e plotë dhe përfundimtar të këtij qëllimi kryesor Komiteti e shikonte të lidhur ngushtë me realizimin e pikës së dytë të programit të tij, në të cilën kërkohej “me përdorue çdo mjet për me lirue Kosovën e Dibrën e çdo vend ku flitej shqip e me e bashkua nën sundim të Shqipënisë së lirë”. Në pikën e tretë të programit themeltar të vitit 1920, Komiteti përcaktonte qëndrimin e tij lidhur me politikën e brendshme dhe të jashtme, që duhej të udhëhiqej nga shteti i pavarur shqiptar…. Sipas këtij programi kërkohej përkrahja dhe mbrojtja e asaj politike të brendshme, e cila do ti hapte vendit perspektivat e zhvillimit dhe përparimit mbi bazën e bashkimit kombëtar, ndërsa në politikën e jashtme përkrahte zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit reciprok me ato shtete, që do të jenë për miqësi dhe Shqipërinë e lirë dhe me idealin e Komitetit.

Përgatitja për çlirimin e Kosovës. Komiteti  me seli në Shkodër, ishte i orientuar se përveç punës programore të fillonte përgatitjet për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit sllav. Por ky angazhim duhet të pasoi pas të gjitha përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të Kosovës si territor i Shqipërisë dhe të përmirësoj gabimet që ishte bërë me rastin e caktimit të kufijve në vitin 1913. Nëse të gjitha këto nuk do të jepnin fruta , atëherë ata kishin vendosur se duhej ndërmarr edhe aksione ushtarake. Për këtë qëllim anëtarët e Komitetit kishin përgatitur “Programin e përgjithshëm të kryengritjes në Kosovë më 1919”. Ky program me 16 pikat që kishte duhet të jetë plotësim i programit themeltar të Komitetit të 1 majit 1918 dhe përpilues të saj ishin oficerët e njohur e me përvojë: Ali Shefqeti, Hysni Curri, Ibrahim Gjakova etj, por orientimin politik ia kishte dhënë vetë Hoxhë Kadriu.

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …