MILUSH KOPILIQI II

V
Të dhëna të tjera për Milush Kopiliqin

Në Drenicë prej shumë vjetësh e shekujsh ekziston fshati i quajtur Kopiliq. Në saje të konfiguracionit dhe shtrirjes gjeografike fshati është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e sipërme dhe në atë të poshtme. Kopiliqi i Epërm dhe Kopiliqi i Poshtëm. Shqiptarët e Drenicës pa kurrfarë rezerve pranojnë përkatësinë shqiptare të trimit të tyre Milush Kopili, i cili e ka vrarë Sulltan Muratin. Në Kopiliq ruhen edhe shumë emërtime vendesh që lidhen me heroin e mesjetës si: Mullini i Milushit, Livadhet e Milushit, Kodra e Milushit e të tjera.
Bedri Tahiri Përtëritja rrëfime Prishtinë 2002, f.12.)
Në këtë truall, te shqiptarët, paralel me këngën, organikisht jetojnë edhe një sërë legjendash, kujtimesh, toponimesh etj. Sipas legjendës popullore: “Miloshi ka pas lindur në Kopiliqin e Epërm, por më vonë është vendosur në Kopiliqin e Poshtëm”. Pleqtë e Drenicës tregojnë se “Milosh Kopiliqi â kanë prej ktuhit” (Drenicës). Ata vënë një vijë të qartë demarkacioni: “Car Lazari â kanë i serbëve, Milosh Kopiliqi i yni”; “Milosh Kopiliqi â kanë më i madhi kreshnik i shqiptarëve në luftën e Kosovës”. Në Kopiliq të Poshtëm ka vende që quhen: “Te trolli i Miloshit”, “Veneshta e Miloshit”, “Te kisha e Miloshit” etj. Në Sallabajë gjendet “Vorri i Milosh Kopiliqit”. “Miloshi e mbante ushtrinë në pyjet e Çiçavicës e të Kukës” (pyje të Drenicës). “Car Lazari… venin e tij e ka pas kah Kraleva dhe jo në Kosovë”. Qerim Dalipi.

Banorët e Kopiliqit janë vendës të hershëm të cilët nuk dinë për kurrfarë shpërnguljeje. Ata kanë ruajtur nga brezi në brez rrëfimin për trimin e tyre dhe të tërë Kosovës. Këngët më të përkushtuara për luftën e Kosovës dhe për Milush Kopiliqin janë shënuar pikërisht në Kopiliq, në Polac e fshatra të tjera të Drenicës. Banorët e këtij fshati në mesjetë ishin shqiptarë të krishterë, të cilët kah fundi i shekullit të 18 kaluan në fenë isalme, por kurrë nuk e mohuan përkatësinë e tyre të vjetër. Deri në gjysmën e parë të shekullit të njëzet banorët e Kopiliqit ashtu sikurse edhe banorët e krejt Drenicës i kanë shënuar festat tradicionale të krishtera si: Shën Gjergjin, Shën Mitrin, Shën Markun, Ditën e Aligjynit, Bozhiqin e festa të tjera. Këto festa të krishtera janë të emërtuara në një shqipe të pastër, dhe janë festa tradicionale të shqiptarëve ortodoksë që ende ruhen te vëllezërit e tyre ortodoksë në Shqipëri e gjetkë.
As para shkenca tendencioze serbe nuk e mohon mundësinë që Milush Kopiliqi të ketë qenë banor vendës i Kopiliqit. Në praktikën shqipfolëse, burri i cili ka bërë emër për trimëri apo mençuri thirret në emër të fshatit apo të krahinës si Leka i Dukagjinit, Azem Galica. Kjo formë identifikuese nuk është aq e pranishme ndër serbë, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që në mesjetë të ketë qenë e pranishme, nën ndikimin e popullatës shumicë shqiptare.
Milush Kopiliqi, ishte fëmijë jetim të cilin nga mëshira për ta shpëtuar, e mori dhe e rriti Mbreti Stefan, thotë rrëfimi shqiptar, të cilin nuk e kundërshton as rrëfimi serb. Milushi mbeti kundërshtar i rrethit në të cilin ishte rritur. Atë e quan gjakpërzier, tradhtar, dhe si të tillë, të përbuzur pa shkas, nuk e duronte vjehrri as miku, as prijësit e tjerë të krishterë. Ai kishte një origjinë të panjohur dhe për më keq ishte i etiketuar si bir i një nëne të çuditshme, uloke.
Milush Kopiliqi gjithnjë sipas rrëfimeve shqiptare dhe sllave, ka qenë trim, kryengritës, në pamje, sipas rrëfimeve popullore ishte shtathedhur, tejet i zhvilluar fizikisht, i aftë në përdorimin e shpatës dhe kalorës shumë i përgatitur në fushën e artit luftarak. Këto cilësi ia njeh edhe historiografia turke, evropiane dhe botërore. Ai ishte kalorës i veçantë edhe në pikëpamje të përgatitjes së tij luftarake. Kur kishte vendosur të depërtonte në kampin armik, paraprakisht ishte kalitur te armëpunuesit në parzmore hekuri. Po në parzmore hekuri kishte farkuar edhe kalin.
Duke përshkruar figurën e këtij kalorësi trim, e sidomos pajisjet e tij luftarake të hekurta, historiani i mirënjohur i Perandorisë Otomane, austriaku Josef Von Hammer, thotë se Milush Kopiliqi ( pas vdekjes) ishte më i lavdëruar ndër turq se sa ndër serbë. Rrobat e tij, shpata dhe parzmorja e çeliktë ruhet në muzeun e Stambollit (Hammer…Historia e Perandorisë Otomane f 75… 76).
Duke folur për eposin popullor shqiptar të luftës së Kosovës, studiuesi i mirënjohur serb, Glisha Elezoviq, ka pranuar se motivet e eposit shqiptar për luftën e Kosovës, e në veçanti për Milush Kopiliqin janë shumë më të forta dhe më tipike se sa këngët dhe rrëfimet serbe. Ai ishte habitur kur kishte shënuar Këngën e Luftës së Kosovës, në burg, nga një kryengritës shqiptar i dënuar me vdekje nga regjimi në kohën e pushtimit serb të Kosovës. Elezoviq kishte shënuar variantin më të plotë dhe më të sintetizuar deri atëherë në një këngë të vetme me motiv nga lufta e Kosovës e vitit 1389.
Vështirë se mund të mohohet përkatësia shqiptare e Milush Kopiliqit. Këtë nuk do ta mohonte asnjë studiues objektiv qoftë serb, kroat apo bullgar, sepse të gjitha të dhënat, emri mbiemri, jeta e tij, karakteri kryengritës, mospajtimet që kishte me miqtë sllavë, tregojnë se ai ishte diçka tjetër në gjak, por i njëjtë në fe, mbase edhe në gjuhë, meqë gjuhë e fronit mbretëror dhe gjuhë e predikimeve fetare në kishë ishte gjuha greke e pak më vonë edhe gjuha e vjetër sllave.
Studiues të historisë shqiptare nuk e kanë studiuar si duhet dhe sa duhet jetën dhe veprën e Milush Kopiliqit për shumë arsye. Në radhë të parë, historiografia jonë ka filluar të shkruhet pas historisë sllave, serbe greke e bullgare. Si e tillë ajo ka trashëguar të dhënat nga këto burime, të cilat trimin më të njohur të mesjetës e trajtojnë me përkatësi serbe. Të tillë e trajtonte dhe ende e trajton edhe historiografia e përgjithshme e krishtere evropiane. Miti serb për Milosh Obiliqin ka pësuar tronditje të shumta dhe falsifikime pikërisht nga kisha shënsaviste serbe. Edhe pse historiografia turke dhe përgjithësisht burimet e mesjetës heroin e luftës së Kosovës e njohin me emrin Milush Kopiliq, ose Bilesh (Milesh) Kopil, sikur e quan historiani turk Ashik Pashazade ( Lufta shqiptaro- turke, në shekullin 15. Tiranë 1968. f 55). serbët mbiemrin e tij, mbase për shkak të kuptimit pezhorativ e kanë konvertuar në Milosh Obiliq, bazuar në emrin e një vendbanimi afër Prishtinës, apo afër vendit ku mendohej se ishte zhvilluar Beteja e Kosovës. Serbët, në kohën kur i kanë bërë këto ndërrime si duket nuk kanë pasur të dhëna mbi përkatësinë e vërtetët të Milush Kopiliqit, ose konvertimin e kanë bërë me qëllim të falsifikimit.
Në rrëfimet epike legjendare shqiptare nuk është shënuar asnjëherë trajta e konvertuar sllave, por është ruajtur emërtimi burimor, nga antroponimi Kopil, trajta sllavofone Kopiliq me prapashtesën sllave -iq.
Përkatësia e gjuhës dhe e racës së Milush Kopilit asnjëherë nuk ka qenë objekt i studimeve të thella shkencore. Edhe pse kemi të bëjmë me një personazh historik, edhe pse kemi të bëjmë me një luftëtar ( të mirënjohur) uniforma e luftës, shpata, parzmorja e të cilit së bashku me pajisjet e kalit të tij ruhen në Muzeun e Stambollit.
(J.V Hammer, vepra e cituar f. 76.)
Kjo figurë impozante dhe tejet e rëndësishme e historisë së Ballkanit dhe të Evropës, duket sikur për një qëllim të caktuar iu ka lënë mëshirës dhe mjegullës mitologjike. Historiografia serbe nuk ka bërë përpjekje për të aktivizuar ndonjë ekspeditë shkencore në terren, veçmas në Drenicë, për të mësuar të vërtetën për Milush Kopiliqin. Ky fakt tregon mungesën e interesimit të tyre të mirëfilltë shkencor për ta ndriçuar këtë figurë tejet të rëndësishme të së kaluarës, apo zbulon edhe frikën e arsyeshme se rezultatet e ekspeditës mund të zbardhin fakte që dëshmojnë përkatësinë e tij të vërtetë.
Historiografia jonë në këtë drejtim është treguar tejet indolente, edhe me faktin se ajo vuan nga shumë mani të natyrës ideologjike dhe fetare. Përkatësia e krishtere e Milush Kopiliqit, ose fakti se ai e mbyti me hanxhar sulltan Muratin, fenë e të cilit më vonë në rrethana të caktuara e pranoi shumica shqiptare, nuk janë fakte të qëndrueshme, për të mos gjurmuar përkatësinë shqiptare ortodokse të Milush Kopiliqit, i cili është personazh tejet i rëndësishëm i mbamendjes tonë popullore, prezent në eposin heroik dhe në kujtesën e popullit.
E kaluara fetare shqiptare nuk do të duhej të ishte kurrfarë pengese për të pranuar të vërtetën lidhur me përkatësinë e dikurshme të shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë ardhur nga Azia as nga Karpatet. Ata kanë qenë dhe janë vendës, janë populli i dytë pas helenëve që e pranoi krishterimin qysh në periudhën e parë të përhapjes, në periudhën e quajtur apostolike. Shqiptarët në përgjithësi si të krishterë kanë gjalluar më shumë se 1700 apo 1800 vjet. Pjesa tjetër pakicë ortodokse dhe katolike ende gjallon me përkatësinë e dikurshme fetare. Dhe pikërisht për këtë shqiptarët kanë nivelin e lartë të kulturës së tolerancës fetare.
Të gjitha aspektet studimore, duke filluar nga këngët popullore, fragmentet e mjaftueshme nga historia turke, serbe, shqiptare dhe evropiane përgjithësisht, japin informacione të mjaftueshme për ta ndriçuar personazhin e Milush Kopiliqit në të gjitha segmentet hulumtuese. Faktet, që duhet të kihen para sysh me rastin e gjurmimeve të tjera në lëmenj relevantë shkencorë për këtë trim të mirënjohur të së kaluarës, janë të shumta. Milush Kopiliqi është personash realist i historisë, i tillë si Skënderbeu, Lekë Dukagjini apo Gjergj Ballsha. Shënimet historike, për këtë trim të Drenicës të kohës së mesjetës nuk mungojnë. Prezenca e tij në këngët heroike historike shqiptare, dhe jo vetëm shqiptare, gjallon edhe sot. Dihet fshati ku ai ka lindur. Gjurmët toponimike të pranisë së tij fizike në Kopiliq janë ruajtur deri në ditët tona. Milushi, sipas burimeve të vërteta historike nga kronikat turke, ishte i vetmi ndër princërit e rangut të lartë që depërtoi në fushën e betejës në kampin armik, i vetmi që ishte betuar se do ta vriste sulltan Muratin dhe besën e dhënë e çoi në vend, sepse përkushtimi për ta çuar në vend besën, ishte përkushtim tipik i njeriut të racës shqiptare.
Thellimi i studimeve në këtë segment do të qartësonte mjegullën mesjetare, të cilën e ka shkaktuar mitologjia serbe. Ajo, me apo pa qëllim, për Milush Kopiliqin ka dhënë informacione të gabuara për përkatësinë fetare, klasore dhe etnike, në kuptimin mesjetar të fjalës.
Zbërthimi i përkatësisë etnike të Milush Kopiliqit, përveç tjerash i vetëdijëson serbët e shekullit 21 se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë në radhë të parë shqiptare. Se, kryetrimi i mesjetës dhe më trimi ndër princërit e aleancës së krishterë nuk ishte serb, por shqiptar ortodoks i fshatit Kopiliq të Drenicës, i cili u rrit në pallatin e mbretit Dushan për shkak se ishte fëmijë i mbetur bonjak.
Shumica shqiptare në të kaluarën në rrethana të caktuara dhe të njohura ka hequr dorë nga feja e krishterë, por kurrsesi edhe nga tradita historike mijëvjeçare e krishterimit dhe e ngjarjeve të së kaluarës historike. Edhe pas pranimit të islamit shqiptarët e luftuan sundimin turk dhe klasa e shqiptarëve liridashës asnjëherë nuk u pajtua me robërinë, për hir të fesë së përbashkët me turqit.
Aktualisht shqiptarët e Kosovës nuk do të lejojnë të mbesin peng i një historie të falsifikuar, sikur është historia e mitizuar serbe, një histori që ka mbjellë urrejtje, ndasi, përçarje, luftë e shkatërrime ndër më mizoret.
Ndriçimi i gjithanshëm i figurës së Milush Kopilit do të ishte një argument tjetër i pakontestueshëm, për të dëshmuar para tërë botës se e drejta e ashtuquajtur historike e serbëve për Kosovën, nuk është e drejtë e natyrshme, por një falsifikim që mbështetet pikërisht në historinë e mesjetës dhe pikërisht në personazhin e Milush Kopiliqit, trashëgimtarët e të cilit, sipas të gjitha gjasave janë banorët e sotëm të Kopiliqit të Drenicës.
Rikthimi në vendin e merituar, rikthimi në panteonin e trimërisë tradicionale të këtij princi me gjak arbri, është detyrë e historianëve dhe e studiuesve edhe të lëmenjve të tjerë relevantë, sepse trimëria fenomenale e Milush Kopiliqit e kryer më 15 qershor të vitit 1389, në Fushë të Kosovës, pas 589 vjetësh më 5.6.dhe 7 mars të vitit 1998, shpërtheu në kullën e Jasharëve në Prekaz, jo shumë larg fshatit Kopiliq. Kjo përsëritje ciklike e historisë, në esencë është e njëjtë, por e ndodhur në kushte dhe rrethana të tjera historike. Sfida dhe sakrifica që bëri kryetrimi i Shqipërisë së kohës sonë Adem Jashari, kundër pushtuesit serb, tregon se kush ka sakrifikuar dikur dhe sot, për të mbrojtur këto troje.
VI
Kënga e Luftës së Kosovës e treguar gojarisht në burg, nga rapsodi martir, Hamëz Xhemë Bojkoviqi, nga fshati Dërvar i Vushtrrisë, shënuar nga Gligorije Bajraktareviq

Variantin e prezantuar e kam zbërthyer analogjikisht me këngët e kënduara të këtij lloji, duke ruajtur tërësisht origjinalin, por duke stilizuar vargjet dhe duke përfillur rrokjet, duke plotësuar ndonjë element ndihmës figurativ e letrar, tipik për këngët e tilla. Kjo është bërë meqë rapsodi e kishte rrëfyer këtë këngë, kur ndodhej në burg dhe nuk i lejohej ta këndonte.

(Pjesa e parë)

Paska kanë ai Sulltan Murati,
Mirë avdesin ai e paska marrë,
E jacinë e paska pas’falë,
Paska ramun mbreti për me fjetë
Thonë, ni andërr ai e paska pa,
Gjumin andrra ia paska nxjerrë.
Çohet mreti fort koka kujtue,
Apet avdes ai paska marrë,
Paska ra rishtas për me pushue,
Apet andrra iu ka diftue,
Apet gjumin ia paska nxjerrë.
E sulltani në kambë koka çue,
Paska çue nanën paska thirrë,
-Ti bre nanë, dishka mem kallxue,
-Qe dy andrra në gjumë i kam pa.
-Nuk po muj un’ gjumin rahat me ba!
-Kallxo andrrën!- nana i ka thanë,
Nis Sulltani andrrën pe kallxon.
– I pash’ dy orla mue m’ kanë ardhë,
-N’ krah të djathtë mue m’ kan ra.
-Qiell e tokë seç janë bashkue,
-Hanë e diell në det na kanë ramun!
-Hajrli koftë nana i ka thanun,

Kur ma fali Zoti sabahun,
Shka po ban ai Sulltan Murati,
Çoj e thirri dime takbirxhinë,
Çoj e thirri at’ Shejhul-islamin,
Çojka thirrka edhe Sadrazemin,
Bashk me ta e xhihon Serasqerin,
Kta t’ katër shpejt kokan çue,
Fill te mreti ata paskan shkue,
-Shka don babë!- ti shka ke urdhnue?
-Un nji ander mbramë qi e kam pa,
-Ju takbir keni me ma ba,
-Kallxo andrren, o baba Sulltan!
-Kallxo andrren ata i ka thanë,
Niske mbreti andrren pe kallxon,
-I pashë dy orla mu m’ kishin ardhë,
-N krah të djathë orlat mu kanë ndalë,
-Tana yjzit prej qielli kanë ra,
-Qiell e tokë sikur janë bashkue,
-Hana e dielli në det kishin ra.

Kqyr shka thojke dime takbirxhia:
-Ata orlat në krah qi t’ kanë ra,
-Në krah të djathtë orlat qi t’ kan ra,
-Ke me marrë Sanxhakisherifin,
-Tan asqerin ke për m’ i bashkue,
-Se n Kosovë me ta ki me dalë,
-Ti Kosovën ke për me zaptue,
-Vet shehid ti ki për me shkue,
-Vet shehid ti ki per me mbetë,
-Hana e dielli në det qi kanë ra,
-Ti shehit në Kosovë ke m’u ba,
-Pa Dovlet hanë as diell nuk nxejnë…

Kqyr shka bani ai Sulltan Murati:
N’tan’ gjytetet ai fjalë paska çue
-Tan’ asqerin un’ këtu e due,
-Pashallarët ketu me mi prue.
Gjithë ushtria koka kanë shtrëngue
Se te mreti ata paskan shkue.
Kqyr shka bani ai Sulltan Murati.
Mirë ma mori Sanxhakishefifin,
Te ushtria me ta paska shkue,
Niske mreti fjalën ka fillue,
-Ngoni bij shka kam me kallzue
-Un’ për veti gadi sot jam ba
-Se n’ Kosovë na dona me dalë,
Mirë asqerin mbreti po numron,
Shtatdhetmijë në tubim i kanë ardhë.
Shka po thojka ai Sulltan Murati,
-A po ngoni ju o evladt’ e mi,
-Ju pishman në kofshi për me ardhë,
-Keni leje në shpi për me shkue,
-N harxhe t’ mija në shpi kam me ju çue
-Se familja shumë të dhimbshem janë.
Fjalën mretit ia paskan ndigjue,
Shumë asqerë mreti ju kanë da
Tridhet mijë veç i paskan mbet’.

Po merr rrugën mreti asht shtrëngue
Shpejt te deti me asqer ka dalë,
Xhemitë para tek i paskan ardhë,
Po dron mreti në xhemi per me hypë,
Po i dhimben ushtarët mos pi mbytë,
Duert drejt qiellit i paska drejtue,
-Hej Allah ty tu kam drejtue.
-Detin mue me ma prapue,
-Neper t’ thatë detin me kalue.
Edhe Zoti lutjen ia ka pranue,
Në dy anash deti asht prapue,
Me ordi nëpër det ka shkue
Kanë kalue detin paskan dalë,
Kokan ulun ata me pushue,
Mreti ushtarëve iu ka drejtue:
-A po ngoni ju evladt’ e mi,
-Ju qi s’ doni me mu’ per me ardhë,
-Ju qi rrugës pushman i keni ra
-Te shpija ju mundeni mu’ kthye.
-Edhe ju haramin qi e hani
-Edhe ju pesë vaktet qi nuk i falni,
-Kthenu mbrapa sa nuk asht mshelë deti.
Shumë asqer mrapa kokan kthye
Tetëmbdhetë mijë thonë janë largue
Dymbdhet mijë sahi paskan mbetë.
Apet mreti dua paska ba,
Apet mreti ju paska drejtue:
-Ju pishman n’ koftë qi jeni bae
-Mir’te shpija ju mundi me shkue.
Kqyr asqeri shka paskan pasë thanë:
-Aman babë o baba Sulltan!
-Asnja ma na pishman nuk jemi,
-Kurrë Allahu mos na daftë prej teje,
-Na haramin kabull nuk e bajmë,
-Të pesë vaktet na kena me i falë,
-Na me ty së bashku kem me vdekë,
Atëher mreti n’ kamb’ koka çue
Me ushtarë ai asht hallallue
Tanë asqeri avdes qi po marrin
Menjiherë luftën kanë fillue,
Tana vendet i kanë shpartallue
Selanikun e paskan pushtue,
Ditë për ditë po shkojnë tue luftue,
Deri n Shkup ata paskan shkue,
S’ po del kush me ta me qindrue,
Te nji lum asqeri kan’ ndalue,
Ni asqer nji mollë e ka marrë,
Veç nji herë e kishte kafshue,
Edhe mollën me veti e merr,
Urra!- bajshin n kambë kokan çue,
Apet luftën e paskan fillue,
Luftë e madhe fort ish’ marue,
Tym e mjegull Zoti e ka lshue,
Shumë shehidë ata paskan ra,
Në Kaçanik ushtria paska mbrri,
Luftë e madhe aty ish kan ba,
Hiç përpara nuk po mujn’ me shkue,
Shumë asker shehid paskan mbet’.
Paska metë edhe Sheh Islami,
Sheh Islami paska met’ me nipin,
Paska metë edhe Sadrazemi,
Sadrazemi paska met’ me të birin.
Fort arsqeri ishin kan’ lodhun,
Tym e mjegull Zoti e ka ba,
Shoqi- shoqin nuk po mujnë me pa,
Shka po bajke ai Sulltan Murati,
Duert drejt qiellit i kishte drejtue
-Ej Allah qi je hak taman!
-Ti ket mjegull mu me ma prapue!
-Sa t’ i shoh asqerin ku e kam!
Menjëherë mjegulla asht prapue,
Krejt asqerin mbreti e ka tubue,
Me asqer ai ka besatua,
-Nuk po mujmë, Babë, përpara me shkue!
-Shumë shehidë neve na kanë metë
-Shej Islami ka mbetë me gjithë nipin,
-Sadrazemi ka metë me djalë t vet.
Dhimtë të madhe Sulltani ka pasë
Por be n’ Zotin ai paska ba,
Luftën kurr’ un’ nuk ka me ndalë,
Deri në gu gjaku për pa ardhë.
-A po ndini ju evlat e mi!
-Në hak t’ huj ju mos keni hi,
-Në hak t’ huej ju mos keni ra,
-Qi s po mujmë përpara me ba
-Me hak t’ huej lufta mbarë s’ na shkon
-Danju anash ju n’ hak qi keni hi.
Tanë asqeri janë kanë turbullue,
-Na hak t’ huej babë nuk kemi marrë.
-Tana vaktet na i kemi falë,
Ni asqer anash ish ka nda.
-Ni mollë n lum’ une e kam gjetë,
-N’ ujë ish kan’, mollën e kam marrë,
-Veç ni here un’ e kam kafshue,
Ktu me veti un’ mollen e kam.
Kqyr shka thojke ai Sulltan Murati,
-Nisuni drejt lumit ju me shkue,
-T zotin e mollës ju me takue,
-T zotin e mollës ju me gjetë,
-Ju hallallin me ja lypë,
-Ai hallallin mos jau dhashtë
-Epni grosh sa ka me lypë.
Teposhtë lumit kokan lshue,
Edhe pemën e kanë gjetë,
T’ zotin e mollës e kanë takue,
Ni asqer iu ka drejtue
-Na ni mollë ta kemi marrë,
-Ti hallall a po na ban?
Hallall mollën i zoti nuk jau ban.
-Lyp sa t du’sh grosh kem me t’ dhanë!
-Ti me pare mollën me na shitë
-Hiq me pare mollën nuk e shes
-Veç m’ baftë mreti mue Sadrazem
Shkojnë asqet mbreti i kanë kallxue
Kqyr Sulltani shka ka punue,
-Shkoni t’ zotin ktu per me prue
, E te mreti asqert e kanë çue
Sadrazem mbreti e ka emnue,
Edhe nishanat ja ka dhanë
-Para evlat! ju ka thanë
Shpejt asqeri janë shrëngue,
Shpejt avdes ata paskan marrë,
Krejt ndër veti kokan hallallue,
Menjiherë lufta ka fillue,
Kërkund shkau nuk po mun me pritë,
Se n’ Golesh kur paskan mb’rri
Nuk po gjajnë askund ujë me pi.
Hiq askund ujë nuk po gjajnë,
Etja asqerin e paska tha,
Krejt për tokë ata paskan ra
Shkojnë Sulltanit i paskan kallxue
Na pa ujë krejt kena marue
Askund ujë na n’ ket’ vend s po gjajmë
Atherë mbreti në kambë koka que,
Duert drejt qiellit i paska drejtue,
-Ej Allah qi je hak taman,
-Ti nji ujë mue me ma falë
Merr me shpatë nji guri i ka ra
Ka fillue, uji paska dalë.
Tanë asqeri ujë paskan pi
Edhe hajvanati ujë i paskan dhanë
Edhe avdes asqert paskan marrë
Se n atë vend namazin e kanë falë,
Mirë aty ata kanë pushue
Po vonue lufta ka fillue
Nuk po mundet shkau me qindrue,
Hiq kërkund asqerin s’ po e pret
Në Ferizaj kur kokan ra,
Luftë e madhe ish’ kan’ ba,
Deri n gu gjaku ka shku,
Se n Prishtinë ata paskan mbrri
Aty Sulltani ka ndalu’,
Atu qadrat i ka shpalu’,
I ka marrë dyrbit po kqyrë
Qyqavicën e ka pa,
Bardh’ shtatë kulla i ka pa
Shtat baloza n’ kulla kokan kanë
Kullat mbreti mirë na i ka kqyrë
Se n frengji kullat janë marue,
Ndermjet veti balozat me luftue,
Kqyre mreti shka paska punue
Sadrazemin e paska afrue,
-Shka janë kullat ti me m’ kallxue?
Sadrazemi i paska kallxue,
-Shtatë baloza n’ kulla janë ngujue
-Për çdo ditë nder veti tue luftue.
(Pjesa e dytë)

Atëherë mbreti n’ kamb’ koka çue
Kopiliqit letër i paska shkrue
Milosh Kopiliqit fjalë i paska çue,
T’ nantë kalave, drynat, un’ ti due,
Ti teslim ki me mi ba mue,
Ose kena me luftue,
Ose luftë un’ me ty kam
Edhe letra Miloshit i ka shkue.
Merr Miloshi letren me kendue,
Afer gruja ju paska qillue,
-Ç’ka Milosh, letra shka po thot’?
E Miloshi letren ja kallon:
-Në Kosovë mreti neve na ka ardhë,
-Luftë me ne ai po don me ba,
-Nuk di hallit si me ia ba!
At’her’ gruja shka i paska than’
-Hajt Milosh marak mos u ban!
-Tye mbreti nuk ka shka t’ ban!
Fort Miloshi, thon’, koka idhnue,
Grues s vet grusht i paska mshue.
E Miloshi n’ kambë koka çue,
Mirë atkijës në shpinë ju ka gjue,
Drejt në Pejë ai paska shkue,
Atje kralit i paska kallxue,
-Se Sulltani në Prishtinë ka mbrri,
-Luftë po lypë ose mu dorëzue,
-Qysh po thu’ Milosh, shka me marue,
-Ma mirë na bjen me u dorëzue,
-Ma mirë teslim na mbretit me ju ba.
-Nuk po mujmë me ta me luftue.
E Miloshi kqyr shka i ka thanë:
-Kurr teslim un’ nuk kam mu ba!
-Për pa e therrë mretin s kam me la!

Atherë krali shka paska pas’ ba,
Urdhën krali paska pas’ dha,
-Tridhjet vajza ju me i shtërngue,
-Me i veshë, e mirë me i marue,
-Shumë dukat me veti me ju dhanë,
-E n’ ordi të turkut për me i çue,
-Noshta asqerin kan’ me mashtrue, -Me marrë vesh asqerin si e ka!
Edhe vajzat tek i kanë shtrëngue,
Tridhjet vajza ma të bukra po i gjajnë,
Shumë dukat u paskan pas’dhanë.
Atherë krali vajzave iu ka drejtue,
-Në ordi t’ mretit ju keni me shkue,
-Ju si n’ mujshi asqerin me mashtrue,
-N’ koftë asqeri paret me jav marrë,
-Krejt kur t’ kthehi ju me na kallxue.
Atëherë vajzat n’ kambë kokan çue,
Me dukat hjeshëm janë marue,
N’ ordi t mretit ato paskan shkue,
Tri ditë shpejt paskan pas’ kalue,
Askush vajzat me sy s’ i ka shikue,
As dukatin nuk jau kanë marrë,
Kush me dorë nuk i paska prekë,
As me pare bukë nuk ju paskan dhanë,
Mbas tri dite Sulltanit i kanë kallxue,
-Tridhet vajza krali na i ka çue,
-Janë lodhë uje krejt kanë marue,
-As me pare bukë s’ ju kemi dhanë.
Atëherë mbreti shka ju paska thanë:
-Jepnu bukë, evlad, ju ka thanë,
-Por dukatin ju mos me marrë,
-As me dorë nuk ban për me i prekë.
Atëherë vajzat shka kanë ba,
Te Miloshi vajzat paskan shku’,
Nis Miloshi vajzat po i pvetë,
-Si ish Turku?- oj çika!- po thotë?
Aty çikat shka i paskan thanë,
-Tri ditë e net na aty kemi mbetë,
-Kush me dorë neve s na ka prekë,
-Askush paret neve s’na ka marrë,
-As me sy nuk na kanë shikue,
-Shum asqert’ mbreti i ka prue,
-Ju me ta s’ mundni me qindrue.

Nisë Miloshi koka kanë kujtue,
Edhe çikave ju paska drejtue:
-Na te krali bashk’ kena me shkue,
-K’shtu kralit n’ koftë me i kallxue,
-T’tanave kryet kam me jau shkurtue,
-Na te krali kur të shkojmë,
-K’shtu ju kralit kemi për mi thanë:
Dergjë e madhe asqerit i kish ra
Ishin lodhë asqeri me dekë,
Se asqeri neve na ka kapë,
Edhe paret neve na i kanë marrë!
Fill te krali Miloshi ka shkue

Tridhet çikat përpara i ka çitë
Para kralit ato paskan dalë,
-Qysh ish turku oj bija?- jau ban’,
Edhe çikat shka i paskan than’:
-Dergjë e madhe asqerit i ka ra,
-Ishin lodhë asqeri me dekë,
-Paret neve na i kan marrë,
-Asqeri neve na ka kapë!
Atherë krali shka paska marue,
Shumë ushtarë na i ka tubue,
Janë ba gati don’ për me luftue,
Kqyr Miloshi shka ju paska thanë:
-Ndal kadal’, o kral, ja ban,
-Edhe un’ kam me u shtrëngue,
-Vet te mbreti un’ kam me shkue,
-Se n’ ma dhashtë mbreti dorën mue,
-Unë atij kam me ju dorëzue,
-Se n ma dhashtë ai kamben mue,
-Me nanxhar un’ kam me shitue!
Mirë Miloshi koka kanë shtrëngue,
Ni pobratim ai e kish pasë,
-Pobratim bre!- ai i ka thanë,
-Ti me mue sot a don me ardhë,
Pobratimi koka kanë pajtue,
N’ shpinë atikjave iu paskan gjue,
Se te mbreti ata kan’shkue,
Nibetxhitë Miloshin e kanë ndalue.
-Ku po don Milosh ti me shkue?
-Un’ te mreti duo për me shkue.
-Ndalu ktu!- mretit kem me i kallxue
Edhe mretit i paskan kallxue,

Atëherë mreti shka ka marue,
Shejhul islamit iu ka drejtue:
-Qysh po ban, ti, qysh po m thue?
-Ne Miloshi tash qi po na vjen,
-Ma lypë dorën aj me ja dhanë,
-Me ja dhanë a mos me ja dhanë?
-Ktu Miloshi kur të vjen,
-Atij dorën mos me ja dhanë,
-Kambën n’ vend dorës me ja dhanë.
Fill Miloshi te mreti ka shkue,
Qojke kambën mreti ja ka dhanë,
Miloshi hanxharin në dorë e kish pasë,
Me hanxhar mretit i ka ra,
Dekun në tokë mbretin e ka la.
Shpjet Miloshi ka tfillue
Në shpinë atkisë ju paska gjue,
Marrka udhën ka t’fillue,
Shumë asqeri mbrapa i kanë shkue,
Po mundohen Miloshin me pre,
Nuk po mujn’ Miloshin me pre,
Kur janë shkue në Babimos,
Ni shkinë plakë e paskan gjetë,
Aty shkina ju ka thanë
-Shka keni turq, ju shka po doni?
-Miloshi mretin na ka therë,
-Nuk po mujmë Miloshin me pre.
Atëherë shkina shka u ka thanë:
-Ju nuk mundni Miloshin me pre,
-Se i veshun në hekur ai asht,
-Edhe atkinë veshun n’ hekur e ka,
-Por ju shpatat ne dhe me i palue,
-Atkijes në bylyzyk keni me i ra
-Edhe kambën keni me ja premun,
-Atherë Miloshin ju keni me zanun.
-Ju si n mujshi Miloshin me zanun,
-Qelsat e pancirit në musteqe i ka.
Dhe asqeri shka kanë marue,
Tana shpatat për tokë i kanë shtri,
Mir’ atkijen në shej e kanë marrë,
N’ bylyzyk, atkisë i kanë ra.
Përnjëherë atkija në tokë ka ramun.
Gjallë Miloshin asqert’ e kanë zanun,
Po dojnë kryet Miloshit me ja pre.
-Amanet po thot’ e kam ni fjalë,
-Ni shkinë plakë ktu ju me ma thirrë,
-Fort për mallë un’ shkinën qi e kam,
-Kam dy fjalë shkinës me ja thanë,
Edhe shkinën para ja kanë çue,
-Afromu ngat, oj hallë, po ja ban,
-Ty çirak une du me të ba,
-Shumë e mallin un’ kam me ta dha,
Edhe shkina afër po i shkon,
Shkina afër koka kan’ afrue,
Kqyr Miloshi atherë shka po ban.
Ja ka ngulë ai shkinës ni dham’
Me dham’ shkines ai ja paska ngjitë,
N’Babimos e paska pas’çit.
Dhe asqeri kryet ja kanë pre.

Kqyr shka bajke Milosh Kopiliqi,
Kryet n’ sjetull ai e paska marrë,
Po shkon para, ai po fluturon,
N’Sallabajë, ai kur paska shkue,
Nji nanë me çikën paskan qillue,
Tue la rroba paskan kanë,
-E po sheh ti mori nanë,
-Ni njeri pa krye qysh po shkon,
Atherë Miloshi shka ka thanë:
-Un’ pa kry, ju mbetshi pa sy!
E n at’ vend Miloshi ka mbetë.
Pa vonue popat janë tubue,
Edhe shkrimet i paskan shfletue,
Me mujtë ni kish’n’at vend me marue,
Për pa knue knojsit e sabahit,
Miloshi paska për me mu çue.
Kanë nisë kishen e paskan marue,
Qeremidet ata tuj ja çitë,
N’ sabah knojsit paskan knue,
Dhe Miloshi atëherë jetë ka nd’rrue.
Në at vend ku ai po nd’rron jetë,
Nji ujë t’ madh Zoti e ka falë,
Për ilaç ai ujë koka metë.

(Pjesa e tretë)
fragment
Shka ka ba nana e Sulltanit,
Për të birin ajo ka marrë vesh,
Qi Miloshi, djalin, ja ka pre.
Dhimbje t’ madhe nana paska pasë,
-Ej Kosovë!- ajo paska thanë,
-Ej Kosovë e shkretë!- kish’ pas thanë,
-Pa evlad ti mu m’ paske lanë,
-Bereqeti n’ ty’ fort u baftë,
-Por ragbet kurr ni sen’ mos pastë.
-Kurr’ pa gjak ai vend mos u marrtë!

(pjesa e katërt)
fragment
Nji çikë t’amës shka i ka thanë:
-Ku po shkojmë na mori nanë?
-Po ikim prej turku!- nana bijës i ka thanë,
-E kur kthehemi, mori nanë?
-Kur të prishet turku si na!- i ka thanë,
-Kur Qyqavia t’ bahet ashtu si asht kanë,
-Atëherë Kosovën na kena me marrë.
Visaret e kombit I Shkodër 1937.)

Kjo këngë ka një organikë artistike kompozicionale të lidhur për mrekulli. Pavarësisht se është rrëfim popullor, këngëtari Hamzë Xhema, ka rrëfyer mbase variantin më të plotë dhe më autentik të krejt eposit popullor, jo vetëm shqiptar, të Luftës së Kosovës.
Kjo këngë është pa dyshim një homeriadë e veçantë shqiptare, e cila mjerisht asnjëherë nuk është trajtuar meritorisht dhe ende nuk është hulumtuar as është ndriçuar sa duhet përmbajtja e saj për kohën dhe hapësirën për të cilën flet kënga.

Është fatkeqësi që kënga është rrëfyer dhe nuk është kënduar me instrument popullor, i cili e përmbajtëson dhe e kompleton tërësinë stilistike e artistike, figuracionin e pasur që motivon dhe përshtreson fragmentet. Megjithatë, shënimi korrekt i autorit serb, mjafton për ta rindërtuar sërish këtë këngë, meqë ajo e ka shumë të fortë bazamentin, shtyllat dhe tërësinë organike kompozicionale.
Dy pjesët e fundit, fragmentare, të kësaj kënge epike heroike kompletojnë një periudhë historike duke lënë edhe porosinë e cila rrëfehet përmes dialogut të ëmës me bijën e re.
Folkloristi dhe studiuesi serb Bajraktareviq nuk ka dhënë sqarime të duhura lidhur me shënimet. Mbase edhe pa qëllim ai ka lënë pa përshkruar gjendjen fizike dhe shpirtërore të një rapsodi shqiptar, i cili mbase priste dënimin me vdekje. Ai nuk ka treguar asgjë më shumë, veçse ka bërë të ditur se rrëfimtarin shqiptar e kishte takuar në burg dhe atje e kishte shënuar këngën në formë rrëfimi. Ai ka pranuar me korrektësi se kënga në mungesë të kushteve normale të këndimit ka humbur koloritin e duhur ndërtimor e fragmentar, edhe pse thotë se këngën e ka shënuar me korrektësi. Të metat në pikëpamje të rrëfimit do të kishin qenë më të pakta sikur ta kishte këndue ( me zë dhe në përcjellje muzikore) këtë këngë, por në atë vend ku e kam takue, ai nuk deshi t‘ia përmend më gjatë kërkesën time… Të gjithë këtë këngë “ma tregoi me fjalë” dhe unë e shënova. Koloriti leksik nuk u ndryshue…( Visaret e Kombit I Shtypshkronja Nikaj, Tiranë, 1937. fq. 18.).

Literatura:

1. Visaret e Kombit, I, Shkodër, 1937.
2. Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV- (burime osmane), Tiranë, 1968.
3. Joseph von Hammer “Historia Turskog Osmanskog Cartsva” Zagreb 1979.
4. Gjurmime albanologjike, Prishtinë, 1. 1962.
5. Studime orientale, Prishtinë, 2002.
6. Enciklopedijski leksikon Mozaik Znanja, Interpres Beograd, 1970.
7. Autoktonia e shqiptarëve, Prishtinë 1995.
8. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe. Prishtinë 1981, f.867.
9. Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, III, Prishtinë, 1976.
10. T. Vukanoviq Drenica, Druga Sveta Srpska Gora.
Prishtinë, 1998.
11. Këngë popullore historike, Prishtinë 1973.
12. M. Tërnava Popullsia e Kosovës në shekullin XIV-XVI. Prishtinë, 1995.
13. Këngë legjendare për Milush Kopiliqin, kënduar nga këngëtari anonim në festivalin e Gjirokastrës 1988.
14. Islam Dobra Lufta e Drenicës 1941-1945 Prishtinë 1997.
15. Kënga e Milush Kopiliqit
16. Në internet Boj na Kosovu……
17. Srpski Nacionalisti
18. Qerim Dalipi
19. Bedri Tahiri
20. Istorija srba etj.
21.Boj na Kosovu, në internet.

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …