Ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni priti në takim ambasadorin amerikan Jacob Walles, që aktualisht është këshilltar i lartë në Byronë e Antiterrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit. Në takimin midis tyre u bisedua për dukurinë ekstremizmit të dhunshëm, luftëtarëve të huaj dhe terrorizmit. Ambasadori Walles vlerësoi lartë punën që kanë bërë organet e rendit në Kosovë në parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në konfliktet e huaja. Në këtë takim u vlerësua lartë bashkëpunimi i shkëlqyeshëm i deritanishëm, po ashtu u bisedua edhe për aspektet e veçanta të bashkëpunimit në të ardhmen midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë fushë, thuhet në komunikatën për medie të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
