Mjekët kanë bërë thirrje për kujdes nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta. Ata kanë thënë se kjo vlen sidomos për moshat e shtyra gjatë mesditës kur temperaturat arrijnë vlerat më të larta. Specialisti në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në Prishtinë, Rushit Ismajli, ka thënë për Ekonomia Online, se pas një maji të ftohtë, ngritja e menjëhershme e temperaturave në qershor ka shkaktuar vështirësi në përshtatjen e qytetarëve. “Ajo çka duhet të bëjnë kujdes është që në radhë të parë të shmangin pikun e ditës nga ora 10:00 deri 17:00, sepse në këtë kohë temperaturat janë të larta. Ajo çka do t’i këshilloj qytetarët, të gjitha grupmoshat, veçanërisht gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, që përpos të mos dalin në mesin e ditës, të konsumojnë sasinë e mjaftueshme të ujit, së paku dy litra në ditë . Po ashtu i këshillojmë që të mbajnë veshje me ngjyra të çelëta, të lehta si dhe të mbajnë kapela” ka këshilluar specialisti i mjekësisë, Rushit Ismajli.
