leoni

Ali Hertica

Mr.Ali Hertica: Format e padrejta të shtetit

Nëse filozofët nuk bëhen mbretër, ose ata që quhen mbretër nuk bëhen filozofë të vërtetë; nëse pushteti politik dhe filozofia nuk bëhen një, atëherë mjerimi nuk do të ketë fund.

Pyetjet se çfarë i karakterizon format e padrejta apo të paplotësuara të shtetit ngrihen në pjesët e mëpasme të “Shtetit”, dhe për çdo formë shteti që analizohet përshkruhet edhe lloji përkatës i personalitetit. Kjo sistematikë mbështetet në mësimet e Sokratit mbi tri pjesët e shtetit dhe të shpirtit. Problemi që ngrihet është: çfarë ndodh kur arsyeja dhe maturia nuk janë më forcat lëvizëse?

Fillimisht përshkruhet timokratia, parimi qeverisës i së cilës është ndershmëria – “tim” do të thotë nder. Më poshtë vjen oligarkia. Edhe pse fjala “oligarki” nënkupton “zotërimin e pakicës”, këtu ajo cilëson një formë shteti që bazohet në vlerësimin e pasurisë. Në këtë formë të shtetit, parimi qeverisës është lakmia, një dukuri që e shohim shpesh te disa qeveritarë të Kosovës: lakmia për përfitime, merita të rreme dhe pasuri.

Forma e tretë e qeverisjes është demokracia, që do të thotë qeverisje popullore – “demos”, popull, ose qeverisje nga shumica. Ky është varianti më ekstrem i demokracisë për të cilin flet filozofia politike. Sipas shumë teoricienëve, një shtet që nuk drejtohet as nga arsyeja, as nga motivi i ndershmërisë, as nga kufizimet e pasurisë, kthehet në një shoqëri ku kërkesa e qytetarëve për liri bëhet aq e madhe, saqë minon plotësisht qeverisjen – duke çuar në anarki.

Më në fund kemi formën më të keqe të të gjitha shteteve: tiraninë, e cila qeveriset nga pushtetarë të sunduar nga lakmia e shfrenuar, nga ide të gabuara dhe nga paaftësia.

Përshkrimi i këtyre formave të ndryshme të padrejta të shtetit, i llojeve të personaliteteve në Kosovë dhe i kalimit nga njëri sistem te tjetri, përmban analiza që lidhen me marrëdhënie e situata të kohës sonë po aq fort sa edhe me ato të Athinës së lashtë.

Në përshkrimin e kësaj demokracie zbulohet pamja e një shoqërie që sot do ta quanim “liberale”, një qëllim i larmishëm me shumë ngjyra. Shteti i Kosovës shfaq të gjitha ngjyrimet e karakterit njerëzor. Marrëdhëniet e shtetasve me autoritetin janë të çliruara nga detyrat, ndalimet dhe kufizimet që autoriteti duhet t’i ketë. Në këtë shtet, kushtet që të funksionojë shteti shpesh nuk kuptohen dhe as respektohen.

Askush nuk shqetësohet se çfarë ka bërë më parë një njeri që futet në politikë. Ata shpesh mbulohen me nderime dhe lavdata vetëm pse “e do populli”. Në një shtet të tillë, siç është shpesh edhe Kosova, disa politikanë shfrytëzojnë mundësi dhe rrethana për mashtrime të padënuara, dhe krijojnë dyshime mbi ata që protestojnë apo flasin kundër keqpërdorimeve të tyre. Kështu krijohen mundësitë që një udhëheqës me pushtet të madh të bëhet i papëlqyer për qytetarët.

Nëse filozofët nuk bëhen mbretër, ose ata që quhen mbretër nuk bëhen filozofë të vërtetë; nëse pushteti politik dhe filozofia nuk bashkohen, mjerimi nuk do të ketë fund.

Kontrolloni gjithashtu

Mr.Ali Hertica

Mr.Ali Hertica: Lidershipi shkatërrues dhe shteti demokratik në Kosovë

Ka shumë fokus në lidershipin frymëzues dhe personal aspektet negative të lidershipit rrallë trajtohen. Jo …