Mr. Lulzim A. Beqiri

Mr. Lulzim A. Beqiri: Diskriminim në punësim nga shteti

Neni 5 i ligjit të punës përcakton qartë se diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi, mirëpo në realitet ky ligj është i mirë vetëm kur rri në raftet e Qeverisë dhe të ministrive përkatëse.

Sipas Institutit Kosovar për Media dhe Politika, sfida më e madhe me të cilën do të përballet Kosova në vitet e ardhshme, ka të bëjë me parimin e barazisë. Diskriminimi në tregun e punës në shoqërinë kosovare është aq i përhapur dhe dinamik, sa që nuk ka kohë për pritje nevojiten masa urgjente për ta ndalur atë.

Ndonëse nuk ka pasur vullnet politik për të luftuar këtë problem, Qeveria e Kosovës duhet të kuptoj rëndësinë e parimit të mundësive të barabarta si parakusht për drejtësi sociale dhe ekonomi të zhvilluar, dhe të hartojë kornizën ligjore për adoptimin e masave që e luftojnë diskriminimin në bazë të bindjeve politike, gjinisë, moshës dhe aftësive të kufizuara.

Nuk ka konkurs publik në Kosovë që hapet dhe nuk aplikojnë një numër i konsiderueshëm kandidatesh, dhe për atë vend pune veç është duke punuar dikush, thjesht kurdisje e çdo konkursi.

Raporti i Progresit  për vitin 2018 ka dhënë vërejtje serioze lidhur me politizimin e vazhdueshëm të administratës publike, pra nepotizmi ndikon negativisht në efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës publike.

Ryshfeti, lidhjet familjare, lidhjet partiake sipas UNDP-së janë faktori kyç për të siguruar një vend pune në sektorin publik, ky fenomen e ka përcjellë Kosovën që nga paslufta e këtej, asnjë Qeveri nuk e ka luftuar këtë të keqe, andaj edhe ka marr përmasa shqetësuese një praktikë e tillë.

Në vitin 2017 ATK-ja kishte shpallë konkurs pune për inspektor tatimor, në atë konkurs kishin konkuruar mbi 2000 punëkërkues dhe për kuriozitet ishin pranuar 30 zyrtar, shumica dominante e tyre pa i plotësuar kriteret, madje pa kaluar as testet elementare, pa diplomë Universiteti, pa përvoj pune, thjesht anëtar të partisë politike që kishte pushtetin në vitin 2017, për fat të mirë ky konkurs u anulua dhe u shkoj dëm ryshfeti që kishin marrë.

Gjithashtu ditë më parë Ministria e Punëve të jashtme kishte shpallur konkurs për disa pozita në këtë ministri, si gjithherë i kurdisur, në atë konkurs u pranua zyrtari i cili veçse  kishte një vit që kishte filluar punën, pra një maltretim për garuesit tjerë, me këtë rast edhe kanë shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës, lidhur me barazinë dhe mosdiskriminimin.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …