Muharrem Xhafa

Muharrem Xhafa: Takova dikë që të vriste për Enverin…

“Të merremi me të ardhmen, jo me të shkuarën”, më tha një shok i mirë, intelektual i viteve të socializmit, dhe më ftoi për kafe!

Po, se si m’u duk, ishte i zbehtë, i trembur!

Sa pa nisur bisedën, pashe që, përbri tavolinës “sonë”, ishin ulur dy të tjerë. Edhe ata po pinin kafe. Prej tyre, njërin e njihja mire, kishte qenë kuadër i njohur në një rreth kur unë në vitet e pushtetit popullor isha drejtues partie. U përshëndetëm dhe takuam duart me njeri-tjetrin, ndonëse e dinim që të dy se qëndrojmë nw pozicione të kundërta politike.

Unë epror e ai vartës, të dy “të vrisnim” për Enverin” në socializëm! Po, ndërsa, pas ndryshimit te sistemit, unë qëndrova në anën e Enverit, ai u pozicionua ashpër kundër tij! Ulur, qëndronte një koleg i tij, i cili i përkiste një mbiemri të njohur kundër LANÇ-it, po që fryhej “si një tullumbace”!

Përballë meje, i ngritur në këmbë, “miku i vjetër” me “thumboi” me fjalë, duke thënë se i kishte ndjekur shkrimet e mia në gazetën ‘DITA’ dhe se si shumë e mbroja Enverin!

– Po, i thashë, unë jam me Enverin, po ti që “të vrisje” për Enverin, pse je radhitur egër në krahun kundër tij? U ndje keq, sa për shkak të reagimit tim të menjëhershëm, aq edhe se i kujtova telegrafisht disa veprime të tij komprometuese, që e bënin shumë “borxhli” ndaj Enverit!

Ndërkohë që po ndaheshim, “miku” me thotë : Ndërruan kohët, o “shoku” Muharrem!

Replika qe “miqësore” dhe e ashpër, po, sidoqoftë, u ndamë “shoqërisht”!

Shokut, që më kishte ftuar për kafe, i kërkova falje për vonesën dhe, sapo zura vend në karrige, nisa t’i tregoja se kush ishte ai “zotëria” me të cilin bisedova më këmbë. Por “kolegu”më tha se i kishte dëgjuar gati krejt ato çfarë kisha biseduar me të.

– Me që e paske dëgjuar bisedën, të them se atij “zotërisë” i thashë të vërtetën, as e fyeva, po as me fyeu! Po ndonjë gjë edhe nuk e ke dëgjuar, se fola me zë të ulet, me qëllim që “kolegu” i tij ballist, të mos dëgjonte për çfarë po bisedonim!

– Po, ma ktheu “shoku” – madje m’u bë qejfi, që i fole ashtu, po si është ajo çështja e dërgimit të tij në Universitet?

– Dëgjo, unë, ti e ai jemi intelektualë, kemi qenë kuadro në vitet e pushtetit popullor dhe nuk na ka hije të shtrembërojmë të vërtetën e gjërave. Ndaj atij i thashë se “edhe unë i kam ndjekur shkrimet e tua, po ti nuk ke gojë të flasësh e të shkruash gënjeshtra për Enverin, për LANÇ-in e socializmin, për historinë e popullit shqiptar, të shtrembërosh të vërtetën nisur nga pozita bashkëpunëtorësh të pushtuesve të huaj!

-Ishte e fortë ajo që i kujtove, duke i vënë në dukje se je gjak i atyre, por njësoj si unë je shkolluar në Universitetin e Shtetëror të Tiranës!

– Saktë e paske dëgjuar, madje i kujtova se ka qenë goxha i mirëtrajtuar si kuadër. I thashë edhe se ke shkruar sa je lodhur për vlerat e asaj epoke, për Enverin dhe se je dërguar për studime universitare me porosi të Enverit! Se e atillë ishte vija e Partisë së Punës, e cila synonte të tërhiqeshin sa më shumë në jetën e vendit, përfshirë ata me “cene” në biografi, që meritonin sigurisht, tjetër që u treguan të ligj! Jo pa qëllim i thashë se edhe ish-komunistë, ish-kuadro e intelektuale të asaj epoke”, u treguan “plehra”, mohuan deri vlerat e saj, që bota i çmon sot si arritje të pamohueshme!

– Si të bëjmë, i thashë “kolegut”, të mos flasim për LANÇ-in, për socializmin, për pushtetin popullor, për Enver Hoxhën? Për të shkuarën, për të sotmen e për të ardhmen?!

– Ok, ma ktheu “kolegu”, po të merren historianët me të shkuarën, jo ne!

– Po, historianët le të merren, por kjo nuk pengon të merren edhe njerëzit e thjeshtë, masat e popullit, se nuk është fjala për të shkruar histori të mirëfilltë. Ti e di që historinë e bën populli, e bëjnë masat e popullit, kurse historianët e shkruajnë, apo jo?

– Për cilët historianë e ke fjalën, m’u drejtua “kolegu”?

– Flas për historianë të vërtetë, serioze, jo për “historianë politikanë”, që nuk janë as historianë e as politikanë, po ish-mësues, ish-agronomë, militantë partish me arsim shtatëvjeçar, të mesëm e diploma të blera, të cilët kanë ndërruar bojë, madje disa bij e bija, nipa e mbesa të bashkëpunëtorëve të pushtuesve të huaj, janë bërë tepër agresive. Janë tjetër historianët e vërtetë! Veç, pa dashur t’i fus të gjithë në një “thes”, edhe këta kanë frikë të dalin në rrugë e jo më të flasin e të mbrojnë të vërtetën historike publikisht për LANÇ-in, socializmin, pushtetin popullor e Enver Hoxhën! Pse, a nuk të ka rënë në sy që, në shkrimet e në debatet e televizive, nëse këta bëjnë ndonjë vlerësim për socializmin, menjëherë pasojnë me vërejtje e kritika pa vend, me qellim që politika në fuqi e kolegët e tyre borgjezë të mos u thonë : Ja, edhe ju jeni “enveristë”!

S’po e zgjas më tej bisedën, që vijoi për këtë çështje, por i thashë mikut: Si mund ta lemë të shkuarën socialiste? Kjo është historia e afërt e popullit tonë, e bërë jo prej ndonjë populli tjetër! Kjo është pjesë e historisë shekullore të popullit shqiptar, ndaj duhet të flasim për të, siç ajo ka qenë, me të mirat e me problemet e veta. Se janë gati 50 vjet jetë e vrullshme, ndryshimesh e transformimesh të gjithanshme, të bëra nga populli ynë, që nuk mund të fshihen kurrë! Ti je intelektual dhe është e tepërt të të them se një popull, që nuk njeh historinë e vendit te tij, ai nuk mund të ndërtojë as të ardhmen e vet! Se s’ka vend në botë që të mos këtë historinë e tij ose që të këtë tjetërsuar e fshirë të shkuarën e tij, siç po ndodh në vendin tonë. Mos harro se çdo popull ka një të shkuar, dmth ka historinë e vet, ka të tashmen e tij, siç ka edhe të ardhmen e tij. Se e tashmja e një vendi, e një populli, nuk mund të ecë përpara duke fshirë vlerat, arritjet, historinë e tij të afërt e të largët! Prandaj them se njohja e vlerësimi i historisë amtare edukon atdhetarizmin, zhvillon ndjenjën e dinjitetit e të krenarisë kombëtare, rrit kërkesën për ruajtjen e dinjitetit si popull. Po kështu, cilido popull qoftë, ai nuk mund të këtë përkushtim as për të sotmen e as për të ardhmen e tij, pa histori, pa pretendime për identitetin e vet, pa krenari kombëtare dhe pa xhelozi për individualitetin e tij.

– Dakord, po nëse do të merremi me të shkuarën socialiste, vijoi bashkëbiseduesi, do të duhet të merremi edhe me Enverin, të cilit i janë veshur të gjitha të këqiat! Se, bie fjala, për LANÇ-in, “janë” edhe pëdëistët, po nuk e duan Enverin si Komandant të Përgjithshëm e udhëheqës politik i saj!

– Kjo është një temë e gjerë, i thashë, dhe nuk mund ta ezaurojmë këtu, po edhe me Enverin duhet te merremi, edhe me Skënderbeun duhet te merremi, edhe me Ismail Qemalin duhet te merremi, edhe me Ahmet Zogun duhet te merremi, edhe me socializmin e pushtetin popullor duhet te merremi, edhe cfare përfaqëson e çfarë po bën e tashmja borgjeze për popullin shqiptar duhet të merremi, edhe me Iliret duhet të merremi! Se çdo periudhe e secili personalitet i kohës, le të vlerësohet e duhet të vlerësohet për atë çfarë ka bërë e ka dhënë për popullin e për vendin e tij, jo për xhepin, sojin e oborrin e tij! Ju, intelektualët, i thashë bashkëbiseduesit, duhet të jeni të parët në mbrojtje të së vërtetës, të nxirrni mësime të parët për dhunimin që i është bërë historisë së LANÇ-it e të socializmit, të vlerësoni periudhat historike nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë dhe të jeni në vijën e parë të mbrojtjes me devizën: Pa vlerësuar qartë të kaluarën, askush nuk mund të punojë mirë për të tashmen e për të ardhmen e popullit të vet.

– Po, mor po, më tha. Po, nëse do të flasim të vërtetën për Enver Hoxhën e për socializmin, sa shumë ato i kanë dhënë popullit për ndërtimin e zhvillimin e gjithanshëm të atdheut, për lirinë e pavarësinë e vendit, për shkollën, punësimin, arsimin, shëndetësinë, jetën e njeriut, rendin, për elektrifikimin etj., etj., etj., kurrkush nuk të merr në punë, madje i heqin nga puna, jo vetëm ne, prindërit, po edhe fëmijët tanë! Zotëri, s’ka demokraci pluraliste në Shqipëri!

Duke u ndarë të përshëndetur, ndoshta edhe që i pëlqeu “kafja”, bashkëbiseduesi m’u lut t’i bëja publike këto mendime në facebook e, po të mundesha, edhe në shtyp, me idenë që intelektualët luajnë një rol të madh në progresin e një populli, të gjithë shoqërisë! (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …