Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë mbledhjes së qeverisë, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizmin e vizave, përveç ratifikimit të projektligjit të demarkacionit me Malin e Zi. “Kemi konstatuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Kemi konstatuar që qeveria i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Mustafa, raporton Kosovapress. Kryeministri tha se së bashku me komisarin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, kanë lansuar agjendën evropiane. Raporti i Progresit për Kosovën ishte pozitiv në disa fusha me rendësi, si lufta kundër krimit e korrupsionit. “Na gëzon fakti që është dhënë një vlerësim i mirë sa i përket shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Mustafa tha se zgjedhjet nuk mund të lidhen asnjëherë me demarkacionin, duke shtuar se koalicioni qeverisës po bënë punë të shkëlqyer.
