Adem Jashari

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe III

Në poezinë shqipe kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, jashtë së cilës kur e kur nuk mbeten as bashkëkohësit e tij, për të mos thënë as Drenica dhe historia e saj, janë karakteristike rindërtimet, përkatësisht mbindërtimet tematike, që nuk janë vetëm rezultat i ndikimit të poezisë bashkëkohore të poetëve më të shquar, si: Dritëro Agollit, Din Mehmetit, Xhevahir Spahiut etj., si dhe poetëve të letërsisë botërore, si: Viktor Hygos, Janis Ricosit, Bertol Brehtit, po edhe rindërtimet mbi poezinë popullore. Një poezi, përkatësisht poemth tipik, është përkushtimi i shkrimtarit Ali R. Berisha, Kushtuar Adem Jasharit, në të cilën rindërtohet imazhi i vjetër shqiptar i vajtimit të motrës së Gjergj Elez Alisë, të cilin ai e quan “Varg nga epopeja vajtimore e shekullit të ri”. Një rindërtim të kësaj natyre, për mitin e pavdekësisë së tij, kanë për motiv edhe krijuesit: Shefki Ollomoni, Rrustem Geci, Arif Molliqi e Halil Xani, qoftë duke rikthyer pasazhe të caktuara mitike a historike, qoftë duke përshtatur a bartur motive tragjike e etnografike nga njëra periudhë në tjetrën, sikur në këto vargje të poetit Shefki Ollomoni:

Në Konakun e Jasharajve

Shuaj trarin e kulmit që digjet

Duke ruajtur temën e madhe të flijimit individual dhe familjar të Jasharajve, poezia shqipe si edhe gjinitë e llojet e tjera letrare e estetike, do të ruajnë sintezën e madhe të rënies biblike të Jasharajve, por kjo nuk do të thotë që shkrimtarët dhe përgjithësisht krijuesit e arteve, të mos sjellin edhe tema dhe motive që lindin e rilindin në pasjetën e Jasharajve. Ne besojmë se përvjetorët e tyre, sidomos Nata e zjarreve do të bëhen drama e madhe kombëtare e kësaj historie krenare, prej së cilës do të vazhdojnë të motivohen për vepra dhe realizime brilante poetë, prozatorë e dramaturgë. Një shembull mjaft i mirë i kësaj natyre është poezia e Etlevë Durmishit, brenda së cilës janë realizuar mjaft vargje tashmë të njohura në letrat shqipe, por të reja për nga motivi:

Mos kërko nga hëna dritën

Zjarri natën do ta ndriçojë

(…)

Mos kërko zjarrin ta shuajnë

Zemrën flakë përbrenda e kanë

(…)

Mos kërko as vetëtimë

Vetëtimë zemrën e kanë

Mos kërko zemërgjerësinë

Zemërgjere si të parët janë

(…)

Mos kërko burrërinë

Trima e burra si Skënderbeu janë

Mos kërko as dashurinë

Dashurojnë si të parët Adami e Eva

Po e mbyllë vlerësimin e këtij bleni poetik për Adem Jasharin dhe Familjen e tij me një poezi të shkrimtarit, përkthyesit e pilotit nga Shkodra, Riza Lahu, jo edhe rastësisht! Shkrimtarit Riza Lahu, që duke qenë një nga përkthyesit e përkushtuar të dekadave të fundit ka njohur më mirë se shumë shkrimtarë të sotëm tragjedinë e përbotshme dhe lirikën universale, poezinë e tij e ka strukturuar mbi modelin e poezisë epike dhe historike. Duke rikonstruktuar betejën e madhe të Jasharajve, ai njëkohësisht rindërton të gjitha betejat më të njohura të luftëtarëve më të shquar në historinë kombëtare: Ali Pashajt, Azem Galicës, Çerçiz Topullit etj.

(…)

Dem Jashari mjekrosh

Sokëllin majë më majë,

“Rrnoftë Kosova” edhe shtie

si të qe gjallë Ali Pashaj.

(…)

Mjekroshi Dem Jashari

Mbi shpinë malet e Drenicës

Kokën të Ali Pashait

Zemrën të Azem Galicës..

(…)

Dyzet orë flakë qet kalaja.

Flakë qet e këngë këndon:

“Prite, bre Shaban Jasharin”

“Çerçiz Topulli më thonë…”

Karakteristikë e gjithë poezisë së tij del insistimi i poetit për të identifikuar tipare të jashtme dhe karaktere të brendshme të Adem Jasharit, duke e parë betejën e tij si një vazhdim të betejave më të njohura të historisë kombëtare. Ajo fillon si një këngë legjendare, ku sipas ligjësive bisedore të fenomenit fonetik të aferezës përgjithësisht në gegërishte: Adem(i) Jashari bëhet Dem Jashari dhe përfundon me diskursin e këngëve labe “Çerçiz Topulli më thonë…”

Përfundime

Parë në tërësinë e saj, në poezinë shqipe sakrifica e Adem Jasharit dhe Familjes së tij zënë një vend të nderuar dhe parësor në kontekstin e simboleve të krijuara, por në letërsinë shqipe ende nuk e kemi poezinë përfaqësuese, pa të cilën nuk do të mund të përgatitej Antologjia e poezisë së sotme shqipe. Krijimet e gjertanishme ende nuk i kanë tejkaluar këngët e kompozuara kushtuar Adem Jasharit, si ajo e Ilir Shaqirit, me tekst të Adem Gashit, Serish vjen marsi, apo ndonjë tjetër si kjo, as në kontekst të horizontit të pritjes as në kontekst të shprehësive stilististike, vlerave artistike dhe estetike njëkohësisht. Janë këngët epike dhe lirike për Adem Jasharin ato që këndoheshin nga ushtarët e UÇK-së ashtu siç këndoheshin Epet Oseanike nga ushtarët e Napoleonit në fushë të betejave. (Thiesse, 2004, f. 63) Kishim menduar se trajtat ligjërimore të letërsisë shqipe nga eposi dhe këngët mesjetare për Skënderbeun janë tejkaluar me poemat për Skënderbeun nga Naim Frashëri e Jeronim De Rada, por sot mund të themi se këngët për Adem Jasharin dhe sidomos kryekënga e këngëve Sërish vjen marsi, mbetet kulmi i krijimeve për Adem Jasharin dhe kujtesën për bëmat e tij.

Koha jonë ndërkaq kërkon jo kryekëngën po kryeveprën letrare dhe artistike për gjithë jetën dhe vdekjen e madhe të tij, pranë etërve dhe pasardhësve të tij, një vdekje biblike, një vdekje shumëdimensionale, fisnike, një vdekje tragjike si në këngë, por që ishte dhe mbeti drama e madhe e kombit tonë: drama të cilën shkrimtarët e shekullit XXI e kanë obligim ta bëjnë realitet artistik dhe estetik.

Le të thuhet ndërkaq se kjo vepër e kërkuar dhe e kurorëzuar me përmasat artistike e estetike që e kanë periudhat e tjera historike dhe letrare, letërsisë sonë i mungon. I mungon madje në të gjitha përmasat e saj letrare, krahasuar me Mesjetën, Rilindjen Kombëtare dhe i mungon madje edhe në përmasa të letërsisë për Luftën e Dytë Botërore, të njohur si letërsi e Luftës Nacional Çlirimtare!

Shkrimtarët shqiptarë, prozatorët, poetët dhe dramaturgët shqiptarë, ende nuk e kanë ofruar një vepër monumentale për luftën e fundit në Kosovë, sado përmasat tragjike të saj mbeten vetëm prapa përmasës tragjike të gjenocidit serb mbi popullin shqiptar gjatë Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë shkrimtarët shqiptarë, prozatorët, poetët dhe dramaturgët, ende nuk e kanë ofruar një vepër përfaqësuese të kësaj epoke, sado heroi tragjik dhe artistik i letërsisë së deridjeshme Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Çerçiz Topulli, Mujo Ulqinaku, Fahri Fazliu e Afrim Zhitija, në kohën tonë ka përmasa më të gjera dhe më universale: tani më nuk është vetëm individi (hero) po e gjithë familja (e heroizuar), një shembull tipik i munguar edhe ndër popuj të tjerë.

A do të arrijnë shkrimtarët e kohës sonë që këtë përmasë biblike të heroizmit të Adem Jasharit dhe flijimit të Familjes së tij, t’ia dhurojnë Europës, në ato përmasa që Skënderbeun dhe bëmat e tij ia ka dhuruar Marin Barleti, Jeronim de Rada, Fan Noli, Ismail Kadare e shkrimtarë të tjerë?

 

Literatura:

 

Clayer, N. (2012). Në fillimet e nacionalizimit shqiptar (Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë), Tiranë.

 

Colonnina, B. (2005). Fjalor mitologjik. Tiranë.

 

Dreshaj-Baliu, M. (2004). Konteksti i shkrimit (studime dhe ese). Prishtinë.

 

Dreshaj-Baliu, Myrvete (2010). Jusuf Gërvalla – jeta dhe vepra, Prishtinë.

 

Dreshaj-Baliu, Myrvete. Baliu, Begzad. (2011). Three views of Albanian woman’s: between oral Albanian literature, Canon and the antique Greek of antique literature. Central European University, Department of Medieval Studies, Nador u. 9, H-1051, Budapest, Hungary.

 

Geary, P. (2009). Miti i kombeve. Tiranë.

 

Genette, G. (2014). Diskursi i ri i rrëfimit. Tiranë.

 

Gjocaj, Z. (2011). Krahët e shqipes. Prishtinë.

 

Qosja, R. (1986). Porosia e madhe. Prishtinë.

 

Sahitaj, R.&Baliu, B. (red.) (2008). Prekazi dhe Familja Jasharaj në poezinë shqipe (Dorëshkrim me poezi të krijuesve shqiptarë). Prishtinë.

 

Shaqiri, I. (2018). Adem Jashari (Poemë). Prishtinë.

 

Thiesse, A.- M. (2004). Krijimi i identiteteve kombëtare (Europa e shekujve XVIII-XX). Pejë. Dukagjini.

 

Vinca, A. (1997). Struktura e zhvillit të poezisë shqipe (1945 – 1980). ETMMK. Prishtinë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një lajm i befasishëm dhe shumë i rrezikshëm (E shtunë 1 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një lajm i befasishëm dhe shumë i rrezikshëm (E shtunë 1 maj, 1999)

Sot në tendën tonë në Berishë, kanë ardhur nga Krojmiri Faruk Gashi dhe Nusret Gashi. …