Me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka përcjellë urimet e tij për të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë dhe më gjerë. Në mesazhin e tij, Tërnava theksoi rëndësinë shpirtërore dhe simbolikën e kësaj feste, duke uruar që “paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju dhe mbi familjet tuaja!”. Ai uroi që kjo ditë e bekuar t’i gjejë besimtarët me zemra të qeta, me shëndet e mirëqenie, dhe me vlera të thelluara shpirtërore. “Festa e Kurban Bajramit është përkujtim i sakrificës së Profetit Ibrahim a.s., e cila përçon një mesazh të thellë për dorëzimin e plotë ndaj vullnetit të Zotit, përkushtimin e sinqertë dhe gatishmërinë për të bërë mirë në emër të besimit,” theksoi Myftiu i Kosovës. Ai nënvizoi se në këtë ditë të madhe, përveç lutjeve dhe afërsisë me Zotin, myslimanët janë të thirrur të tregojnë solidaritet dhe bujari, të shtrijnë dorën ndaj atyre që kanë nevojë dhe të forcojnë lidhjet me familjen dhe komunitetin. Tërnava e përmbylli urimin e tij duke u lutur që kjo festë të sjellë paqe, harmoni dhe forcim të besimit në mesin e popullit shqiptar.
