Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka reaguar me shqetësim për mënyrën si po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Hasani ka ngritur alarmin për praninë e disa individëve që, sipas tij, po paraqiten si dëshmitarë kundër UÇK-së pa asnjë ndërgjegje morale e kombëtare, duke dëmtuar imazhin e një lufte që ishte e drejtë dhe çlirimtare. “Cila është arsyeja? Çfarë morali? Çfarë ndërgjegje njerëzore ka ai njeri kur shkon atje dhe dëshmon për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. ‘Ma paska dhanë një shuplakë. Ma paska rreh X-in e Y-lonin’. Ne kemi luftuar kundër Serbisë, si shtet edhe si pushtet. Kundër bashkëpunëtorëve të Serbisë për çlirimin e Kosovës,” deklaroi ai. Hasani kërkoi angazhim maksimal nga institucionet e Kosovës për të mbrojtur të vërtetën historike dhe për të dëshmuar në çdo forum se lufta e UÇK-së ishte legjitime, e pastër dhe në shërbim të lirisë së popullit shqiptar.
