Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka reaguar ashpër ndaj heshtjes së institucioneve shtetërore në raport me trajtimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjykatën speciale në Hagë. Hasani u shpreh se mënyra se si po zhvillohet procesi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve është e padrejtë dhe cenon jo vetëm të akuzuarit, por edhe gjithë bashkëluftëtarët e tyre. “Situata politike në Kosovë u konvenon vetëm atyre që po heshtin, por nuk u konvenon neve që jemi pjesë e kësaj historie. Nëse Hashim Thaçi shpallet fajtor nën nenin 35 të aktakuzës për ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’, atëherë edhe unë jam kriminel. Sepse sipas asaj logjike, edhe ti që po flet me mua, po flet me një kriminel,” u shpreh Hasani, duke kritikuar konceptin e përgjegjësisë kolektive. Procesi i Hagës ka devijuar nga parimet e drejtësisë, duke u shndërruar në një formë izolimi ekstrem dhe dehumanizues për të akuzuarit, për të cilët ai tha se po iu mohohet e drejta për vizita të dinjitetshme dhe për komunikim elementar me familjarët. “Në vizita familjarët janë të shoqëruar nga gardiani, përkthyesi dhe kasetofoni. Kjo nuk është drejtësi, kjo është izolim si në burgjet e Serbisë,” tha Hasani, duke e krahasuar trajtimin aktual në Hagë me përvojat e rënda që ish-të burgosurit politikë shqiptarë kanë kaluar gjatë regjimit të Millosheviqit. Deputeti i PDK-së bëri thirrje për angazhim institucional, për të mos lejuar që drejtësia të përdoret si instrument ndëshkimi politik dhe historik ndaj figurave që përfaqësojnë simbolin e luftës për liri në Kosovë.
