Duke folur për krijimin dhe pasojat e Gjykatës Speciale në Hagë, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasasni ka thënë se presioni për krijimin e kësaj gjykate, ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i papërballueshëm për kohën. Ai ka saktësuar më tutje se kjo gjykatë është krijuar për trafikim të organeve dhe në momentin që nuk janë gjetur fakte për këto akuza, kjo gjykatë është dashur të mbyllet e jo të vazhdoj më tutje, sikur ndodhi. “Por me presionin ndërkombëtar, që ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe ka qenë i papërballueshëm në kuptimin politik të kohës, dhe me premtimet po ashtu se ne do të qëndrojmë me juve, në mbrojtje të vlerave, dhe nuk do të lejojmë keqpërdorimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bankën e akuzuarve, por që do të merret me çështjen e individëve, po kjo politikë ka qenë jo e drejtë, për shkak se është kërkuar drejtpërdrejt edhe nga unë që ta jap votën, pikërisht për Gjykatën. Në bisedë të drejtpërdrejtë me Hashimin, Kadrinë, brenda grupit, kam thënë ‘jo’, s’ka mundësi ta votoj një gjykatë që gjykon luftën tonë. Askund në botë nuk ka gjykata etnike, gjykata bëhen për krime lufte, pavarësisht etnitetit, gjuhës, fesë. Por te ne ishte e përcaktuar, Gjykatë Speciale për dënimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka theksuar deputeti, Nait Hasani.
