Nasim Haradinaj: Gjykata Speciale po mban peng krerët e UÇK-së – padrejtësitë në Hagë po vazhdojnë

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Hagë, duke e cilësuar Gjykatën Speciale si një mekanizëm me karakter të theksuar politik. Në një deklaratë publike të dhënë për media, Haradinaj theksoi se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen peng në mënyrë të padrejtë dhe pa baza të drejta ligjore. “Gjykata po vazhdon padrejtësitë ndaj luftëtarëve të lirisë. Kjo është një gjykatë politike që synon të deformojë historinë e luftës sonë çlirimtare. Krerët e UÇK-së po mbahen peng për interesa politike dhe për përfitime të brendshme të disa partive politike në Kosovë”, deklaroi Haradinaj. Ai shprehu zhgënjimin edhe ndaj institucioneve vendore, duke e veçuar mandatin e zgjatur të Gjykatës dhe EULEX-it, pa konsultime me qytetarët apo veteranët. “Kam filluar të dyshoj në vullnetin e mirëfilltë të partive politike – jo vetëm te ajo që ka shumicën, por edhe te të tjerat. Duke i mbajtur liderët tanë në Hagë, po përpiqen të ruajnë pushtetin në emër të sakrificës së tyre,” u shpreh ai. Haradinaj theksoi se ndonëse SHBA nuk e pengon drejtësinë për të provuar pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së, pa vullnet të brendshëm dhe pa veprim institucional e shoqëror, nuk mund të priten ndryshime thelbësore.

Kontrolloni gjithashtu

Armend Zemaj

Armend Zemaj: As i dyti nuk ka shumicë, Qeveria e unitetit mbetet zgjidhja për krizën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se asnjëra nga partitë politike, …