Nasim Haradinaj, ka vlerësuar lartë paraqitjen e katër ish-drejtuesve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, duke theksuar se ata kanë mbajtur një qëndrim dinjitoz dhe të qëndrueshëm përgjatë gjithë procesit gjyqësor. Ai deklaroi se secili prej tyre është përballur me akuzat me përgjegjësi dhe seriozitet, duke e konsideruar përballjen e tyre si një akt në funksion të Kosovës dhe të së vërtetës. “Kanë pasur paraqitje dinjitoze secili prej tyre. Gjatë gjithë kohës kanë mbajtur qëndrim dinjitoz. Ata kanë pranuar, për hir të Kosovës, që vetë të merren me këtë çështje dhe t’i dalin ballë, duke pritur drejtësi,” ka thënë Haradinaj. Sipas tij, kohëzgjatja e procesit ka qenë tepër e rëndë për të akuzuarit dhe familjet e tyre. Ai theksoi se edhe një vendim pafajësie nuk do të ishte i mjaftueshëm për të kompensuar vitet e kaluara në procedura gjyqësore. “Edhe vetëm pafajësia është pak për kohën që iu ka marrë atyre,” u shpreh Haradinaj, duke shtuar se sakrifica e tyre gjatë këtij procesi mbetet e madhe.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
