Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi me bashkëpunëtor në Ratkoc kanë përkujtuar në 27-vjetorin e përjetësimit heroin Naser Krasniqi nga fshati Ratkoc.
“Naser Veli Krasniqi e zgjodhi rrugën e sakrificës, jo për lavdi, por për lirinë tonë. Rënia e tij ishte humbje e madhe për ne dhe për luftën çlirimtare, njëkohësisht betim dhe amanet për ta vazhduar luftën deri në çlirim. Emri dhe vepra atdhetare e Naserit dhe akti i përjetësimit të tij në altarin e lirisë, u bë dritë udhërrëfyese për ne brezat pas nesh.” – u shpreh kryetari Latifi.
Naseri u përndoq nga armiku për shkak të veprimtarisë së tij të hapur në demonstratat popullore 1989 dhe 1990 në Ratkoc dhe në Anadrin dhe për këtë shkak u detyrua të shkojë në Gjermani, duke u kthyer nga mërgimi edhe më i fortë dhe për tu rreshtuar plotësisht në luftën çlirimtare.
Nofka e luftës “LEKA”, si sinonim i Lekës së Madh, i shkonte Naserit, i cili përherë qe në ballë, i palëkundur dhe i guximshëm në beteja, sepse besonte në fitore. Me tërë qenien u përkushtua në rrugën e luftës dhe me shembullin e një luftëtari, me gjakun dhe jetën e tij e lartësoi idealin e çlirimit kombëtar. Lavdi përjetë heroit Naser Krasniqi dhe të gjithë dëshmorëve të atdheut, ka thënë kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.