Në kuadër të akademisë përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së profesorit Ahmet Qeriqi, u promovuan edhe dy libra që ai i kishte lënë të përgatitur për botim, duke dëshmuar edhe një herë pasurinë dhe përmasën e veprës së tij krijuese. Me këtë rast, analisti Ibrahim Shala, paraqiti një vështrim të gjerë për librin Saga e Malmirit, një vepër që përbën një rrëfim të thellë historik dhe shpirtëror për vendlindjen dhe njerëzit e saj. Shala, theksoi se libri është i ndarë në dy pjesë, ku pjesa e parë përbëhet nga 11 kapituj, ndërsa pjesa e dytë nga 9 kapituj, të cilat së bashku ndërtojnë një rrëfim të gjerë për historinë, jetën dhe përjetimet e banorëve të Malmirit. Sipas tij, kjo vepër nuk është vetëm një kronikë e jetës së malmirasve, por edhe një pasqyrim i ndjenjave, kujtimeve dhe përjetimeve personale të vetë autorit, i cili lindi dhe u rrit në Malmirin e tij të dashur, vend që zë një vend të veçantë në krijimtarinë dhe kujtesën e tij. Në këtë libër, profesori Ahmet Qeriqi ndërthur kujtimet personale me historinë kolektive të vendit të tij, duke sjellë para lexuesit jo vetëm ngjarje e rrëfime të jetuara, por edhe një tablo të gjallë të traditës, kulturës dhe qëndresës së njerëzve të kësaj treve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
