leoni

Burgu

“Në Burgun e Prishtinës, në vitin 1966”, fragment nga romani në dorëshkrim, “Vegimtari”

Në orët e vona të pas ditës, Urtan Qiri ishte paraqitur para dyerve të Burgut të Qarkut, në Prishtinë, ku një vit më parë, kishte qëndruar vetëm tri ditë dhe meqë dënimi ishte bërë i plotfuqishëm duhej të mbante dy muaj burg nga gjashtë sa ishte dënuar me kusht, në rast se brenda dy viteve nuk do të akuzohej për ndonjë vepër penale. Në kohën kur e kishin dënuar kishte qenë i mitur dhe dënimi për të mitur, sipas ligjeve të asaj kohe, kishte rrethana lehtësuese.

Burgun e Prishtinës e kishin projektuar italianët të cilët edhe kishin kryer shumicën e ndërtimeve gjatë kohës të qëndrimit të tyre për tri vjet, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në  Kosovë. Ndërtesa ishte konstruktuar në gjysmë të rrethit. Korridori ndodhej në anën e jashtme, ndërsa qelitë në anën e brendshme të rrethit.

Dritaret e vogla me grila po ashtu ishin në anën e jashtme. Në to, nuk mund të depërtonte dielli për shkak se në anën lindore ishte godina e lartë e Sekretariatit të Punëve të Brendshme, e cila ishte ndërtuar në vitet e para të pas luftës.

Burgu kishte katin përdhes dhe katin e parë. Në secilën gjysmë të gjysmërrethit ndodhej nga një shëtitore trekëndëshe, si dhe  një banjo primitive, ku të burgosurve u  lejohej të pastroheshin dy herë në muaj.

Urtanin e fusin po në atë qeli ku kishte qenë një vit më parë. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Në këndin nga dritarja ishte po ai dyshek i lerosur të cilin ku di kush e kishte lënë para sa e sa viteve. Dikush kishte lënë edhe një jorgan, që  ishte bërë si myshema nga papastërtia. Nuk kishte batanije as çarçafë.

E kishte kapluar një ndjenjë e thellë e trishtimit derisa po mendonte se pikërisht në atë dhomë duhej të ngryste gjashtëdhjetë ditë. Po ç` ishin ato ditë në krahasim me ditët, muajt e vitet e atyre që ishin dënuar nga 10 e 15 vjet. Të burgosurit e Lëvizjes Revolucionare të Adem Demaçit, të cilët i kishin arrestuar në qershorin e vitit 1964 i kishin deportuar nëpër burgjet e Jugosllavisë. Në burgun e Prishtinës mbaheshin ngujuar të burgosurit, për vepra të tjera penale, derisa ishin nën hetime si dhe ata që ishin dënuar  për kundërvajtje të ndryshme.

Dysheku i lerosur ishte vend mbi të cilin do ta kalonte natën. Ose mbi të ose në dyshemenë e betonuar. Jorgani ia shtinte kruptë kur e shikonte. Ishte mbështjellë në setrën e tij të hollë, por nga të ftohtit nuk e zinte gjumi. Tani po e kuptonte sa rëndë kishte gabuar që nuk e kishte marrë batanijen dhe jastëkun e vogël që ia kishte bërë gati nëna e tij, Hirja. E kishte refuzuar me arrogancë, duke besuar se në vuajtje të dënimit nuk do fusnin sërish në qeli. I vinte për turp ta shihnin njerëzit me batanijen ngarkuar mbi supe.  Xhaxhai e kishte përcjellë deri te Stacioni i trenit në Ulpian. Në ndarje i kishte premtuar se do ta vizitonte për çdo javë…

Sa herë që nuk e kishte dëgjuar të ëmën ashtu kishte pësuar. Ajo, ishte mësuar me burgun që në rininë e saj të hershme. Sa e sa anëtarë të familjes ia kishte  burgosur regjimi i Titos. Babanë, ia kishin pushkatuar dhe familja nuk ia dinin as varrin. Po ashtu regjimi ia kishte vrarë edhe dy xhaxhallarë dhe një kushëri…

Pas një kohe me sy mbyllur kishte tërheqë jorganin e pa pastër dhe me te ishte mbuluar deri në brez. Sapo ishte ngrohur paksa e kishte zënë gjumi…

Krejt njëjtë sikur një vit më parë…

I dukej se ndodhej në një  guvë të humbur të një vendi të largët. Nuk kishte asnjeri pranë. Nuk dinte se për ku ishte nisur dhe ku e kishte humbur rrugën. Vendi përreth ishte tërë gurë formash e trajtash të ndryshme. Disa nga format i dukeshin si shtatore me figura njerëzish.

Tek tuk vërente ndonjë skelet njeriu. Duke ecur gjithnjë në thellësi të guvës, dhe duke hulumtuar daljen, vëren një  tubë të madhe të skeleteve, të cilët  ndriçonin si stalagmitë, në mungesë të dritës. Më tutje kishte parë një si tempull të madh. Nuk e merrte dot me mend se si mund të kishte ndërtuar dikush tempull nën tokë. Bën tutje te tempulli dhe futet në të. Nuk kishte as dyer as dritare. Ishte si  një lloj pagode hinduse. Nuk kishte kryqe, por as shenja të tjera dalluese të ndonjë faltoreje të caktuar. Futet brenda dhe mbështetet për murin e një këndi. Përballë vëren një skelet të gjatë të një saurusi parahistorik. Afrohet dhe për habinë e tij të papritur skeleti fillon të lëviz ritmikisht, duke nxjerrë tinguj të hollë, si tinguj zilesh të deleve. Ishte frikësuar nga melodia ritmike e zileve, e cila sa vinte e bëhej më e shpejtë dhe më  zhurmuese…

 

Zgjohet befasisht  nga alarmi i zgjimit. Meqë në burg nuk kishte zile elektrike, gardiani kujdestar me një rrangallë hekuri godiste  fuqishëm grilat e  metalta të derës së korridorit. Ishte mbase edhe një lloj përdhunimi i veçantë, i shpikur qëllimshëm për t` ua bërë të burgosurve jetën edhe më të zezë dhe më të padurueshme, për çdo ditë që nga momenti i zgjimit në orën 5 të mëngjesit.

Dita në burg fillonte herët. Pas zgjimit fillonte shpërndarja e ushqimit. Për “kafjall” të burgosurit i takonte një  gotë kafe e elbit, pa asnjë gram sheqer, sepse sheqerin që parashihej për kafe thuhej se  e kontrabandonte kryekuzhinieri dhe gardianët. Buka 400 gramë jepej në drekë, për 24 orë. Në mesditë zakonisht lëng fasuleje dhe tek-tuk në një enë qeramike dhe ndonjë kokërr e vogël e fasules. Në mbrëmje, qull, ose kaçamak, projë, të përgatitej  të mbeturat e ushqimeve të drekës.

Brenda në qeli në kibllën e qeramikës kryhej nevoja e vogël dhe nevoja e madhe. Vetëm kur kiblla mbushej plot gardiani lejonte të burgosurin, që ta derdhte në nevojtore.  Ishte fat që ndodhej  vet në qeli, sepse njeriu nga vetvetja  neveritet më pak.

Në orët e mbrëmjes hapet dera e qelisë. Sipas rregullit, kur gardiani hap derën i burgosuri duhej të qëndronte në këmbë, kokulur dhe duart lidhur nga prapa. Urtani nuk e kishte përfillur rregullin, ndërsa gardiani serb ia kishte tërhequr vërejtjen  duke e paralajmëruar se herën tjetër do ta ndëshkonte.

– Është burg këtu apo shtëpia jote? Këtu ka rregulla dhe ato duhet të zbatohen me përpikëri, dëgjon ti, i kishte thënë me kërcënim dhe arrogancë duke prekur kamxhikun me dorën e djathtë?

Urtani si zakonisht në raste të tilla nuk përgjigjej në pyetjet e milicit, por as kundërshtonte.

Pas pak në qeli futet një burrë rreth të tridhjetave. Gardiani e mbyll derën me rrëmbim duke e përplasur fuqishëm.

-Unë jam Toma, nga Janjeva, thotë i sapoardhuri, i cili ia zgjat dorën.

Urtani  tregon emrin e vet, po ashtu i bën me dije se e kanë dënuar dy muaj burg.

Toma ishte shtathedhur. Në kokë mbante një qeleshe të bardhë. Kishte mustaqe të zeza e të përdredhura me majat përpjetë. Trupin e bëshëm e kishte veshur me tirq të rinj, të zezë. Shtatin e kishte përthekuar me një xhurdi. Ishte një malësor me veshje të  kohës që kishte filluar të  perëndonte.

– Më zu belaja pa pritë e pa kujtue, mor vëlla, i drejtohet Urtanit. Dy shkie ma sulmuan motrën, Tonen 22 vjeçare. Në mbramje sapo ra terri hynë në shtëpi dhe deshtën ta rrëmbejnë. Për fat të saj e për taksirat të tyne, në momentin ku ata po e tërhiqnin zvarrë nga shtëpia, unë u gjeta te dera. Dy ditë më parë pata shkue te një mik, ndërsa motra kishte mbetur vetëm me babën plak, që po dergjet në ditët e fundit të jetës dhe nanës që ecë me një patericë. Edhe ajo me patericën e saj mundohej t’i ndihmonte Tonës. Mora  sëpatën te ahuri dhe iu zura pritë, në dalje të oborrit. Të parin, Bozhën e Radiqit e shitova në vend, me një të rame në kokë, ndërsa Ivica, një hrvat i dreqit fillon me ikë. I lëshohem vrap dhe pa kaluar 100 metra e zë dhe e përplasa për tokë. Mujsha mos me vra qenin, sepse mu dorëzue, dhe më përbejti në Krisht, por kur e kujtova sesi me ato duar të pista kishte tërhequr motrën time për flokësh, e kishte përplasur për tokë nënën time,   mbylla sytë dhe e qarta. Ia çava kokën, si me kanë pjepën.

Rrëfimi i Tomës e kishte shkundur me një befasi të papritur, por edhe i kishte dhënë zemër.  Ndihej krenar se po shihte një shqiptar, i cili kishte vrarë dy shkije dhe as donte të dinte për ta. E kishin prekur në nder dhe ai kishte vepruar sipas ligjit të mbrojtjes së nderit të  familjes.

Pasi kishte ndezur një cigare, ai kishte fsharë  thellë dhe i iu kishte drejtuar Urtanit:

– Po ti mos vëlla, çka ke ba ti, që të paskan ngujuar në ket farë humneret?

– Nuk kam bërë gjë. Më dënuan sepse unë, dhe disa si unë, kërkojmë më shumë të drejta, kërkojmë liri dhe barazi me të tjerët.

– Ashtu, a, domethënë për politikë të kanë dënuar, a ?

– Si të thuash, ç`është e vërteta  asgjë nuk kemi bërë veç fjalëve, por e pësuam, humba shkollën dhe ja tani edhe burgu, por nuk merakosem.

– Jo mor vëlla mos ta ndien! Nuk je dënue për marre as për bracni. Qenke i ri fare dhe dy muaj burg  kalojnë shpejt. Po Tomë zezën nuk di se sa vjet kanë me e dënue.

– Nuk kanë arsye të dënojnë, ti je vetëmbrojtur? Ia kthen Urtani.

– Po, sa i përket Bozhës, sepse atë e vrava brenda oborrit po, atë farë qen, Ivicën, e kam mbytë 100 metra larg shtëpisë. Dhe qe besa, do ta kisha ndjekun tanë natën dhe kurrë pa ia marrë shpirtin nuk e kisha lanë… Po por sipas ligjit të këtij hyqymeti, kjo vepër është e dënueshme.

– Po ama ti e vrave përdhunuesin e motrës, dhe po atë moment, jo pas një jave apo pas një muaji!- thotë Urtani, duke u munduar të tregonte se ai tashmë kishte përvojë edhe në ligjet…

– Po mor vëlla, po! Ashtu është, po të përfillet e drejta, por e drejta për shqiptarë asht prapa diellit. Hyn shkau në shtëpi me ta dhunue motrën e shtëpinë dhe të thonë, nuk ke pasur të drejtë t`ia marrësh shpirtin mbasi ka arritur të ikë. Kjo do të thotë të hyn i huaji në shtëpi ta  dhunon motrën apo gruan dhe ti nuk ke të drejtë të mbrohesh?

– Më mirë po e vuaj burgun, se me pas’ pësue motra jeme, si bija e Jak Miriqit. Një vit më parë  dy veta, e ndoshta këta dy qenat kanë kenë, se rasti nuk u zbulue deri sot, e dhunuen të bijen e Jakut, Dilën e shkretë, e cila nga dhuna e turpi e humbi të folunit. Jaku i mjerë e çoi në Zagreb për ta shërue, po Dila nuk flet. Tash e bane murgeshë në një kishë të Zagrebit…

– Jo mor, jo! Toma, i ka pleqnue punët vet, si ujku,- thotë dhe ngrihet në këmbë. Në shpirtin e tij vlonte ndjenja e ligjshme dhe e natyrshme e vetëmbrojtjes. Madje, natyra ia kishte falur të gjitha, forcën fizike, por edhe gjykimin realist. Po të mos kishte forcë dhe vendosmëri, të dy dhunuesit mbase do ta kishin vrarë atë, ndërsa motrën do t`ia kishin dhunuar, po mendonte Urtani. Për herë të parë, po e kuptonte se sa e nevojshme ishte edhe forca fizike, krahas mendjes dhe gjykimit të shëndoshë. Po kur e shikonte veten të dobët dhe ashtu i hajthëm sikur ishte, nuk kishte si të mos dëshpërohej.

 Vetëm katër ditë kishte qëndruar në një qeli me Tomë Jakun. Ditën e pestë gardiani e hapë derën dhe e urdhëron Urtanin që sa më parë të dalë në korridor. Përshëndetet me Tomën dhe niset drejt derës e cila çonte në rrethin e brendshëm të burgut.

– Prej sot do të qëndrosh në mesin e këtyre të burgosurve, nëse punon ashtu sikur duhet dhe nuk bën probleme, këtu do të jesh derisa të kryesh dënimin, në të kundërtën, të kthejmë në qeli!  i thotë gardianin me nam të keq,  të cilin e quanin, Iliq.

Në momentin e takimit me një dyzinë të burgosurish të panjohur, po mendonte se shumë më mirë  ta kishte kaluar me Tomën në qeli se sa në pavijonin gjysmë të hapur.

Një polic plak e evidenton në njësitin e punës dhe i tregon shtratin në një dhomë të vogël. Objekti tredhomësh ishte i ndërtuar prej drurit. Dy dhomat anash ishin fjetore, ndërsa dhoma e mesit ishte një si kuzhinë dhe vendi ku rrinin të burgosurit pas orarit të punës. Në dukje të parë të gjithë i dukeshin si fytyra të njohura, por asnjërin nuk mund ta thërriste në emër.

– Hej, djalosh shka je hutue bre!- eja ulu këtu? dëgjon një zë nga mesi i të burgosurve, të cilët po bëheshin gati për t u nisur në kantierin e punës.

– Si e ke emrin? pyet ai.

Urtani i tregon.

– A po më njeh mua? I thotë pas pak, duke buzëqeshur.

– Ndoshta edhe jemi parë, por nuk po më bie ndër mend, ia kthen Urtani duke e shikuar me vëmendje.

I burgosuri me të cilin  njoftohet, quhej Zaim dhe ishte nga fshati Petraj, në afërsi të Malmirit. Edhe pse  më i moshuar, ai e njihte Urtanin dhe babanë e tij, Zanin, me të cilin kishte punuar në Shkup, pas tërmetit. Për shkak të rrahjes dhe therrjes me thika me disa fshatarë të tij, ai së bashku me dy vëllezër ishte dënuar me burg.

Puna në kantier ishte shumë e rëndë. Brenda rrethit të punëtorisë së madhe  ndodhej një ofiçinë e vjetër e prodhimit të dyerve dhe dritareve. Të burgosurit që dinin mjeshtri punonin në prodhim, ndërsa të tjerët sistemonin dhe ofronin materialin e drurit. Ndodhte që për një dërrasë, për të cilin kryemjeshtri mendonte se i duhej për ndonjë punë të caktuar, paraprakisht urdhëronte të largoheshin  nga vendi një apo dy metra kub dërrasa. Urtanit fillimisht i caktojnë të punojë me një të burgosur moshatar, të cilin e quanin, Zenel. Ai nuk tregonte përse e kishin dënuar, as për sa kohë. Ishte hokatar nga natyra, edhe pse  i ri, dukej se ishte kalitur nëpër burgje. Në kohën kur duhej ngritur dërrasa,  apo pjesa e shtafnës, ai zakonisht orientohej nga ana më e lehtë, ndërsa ankohej se e kishin dëmtuar fizikisht duke e detyruar të tërhiqte  pesha të rënda.

Zeneli i tregon Urtanit se shumica e të burgosurve, sipas tij, ishin spiunë.

Ndërkohë, derisa po bisedonte me Zenelin, brenda në kantier futet një kamion i madh, i ngarkuar me dërrasa, fosne 5 centimetra të trasha, ndërsa gjashtë metra të gjata. Tërë sasinë e dërrasave nga kamioni duhej ta shkarkonin dy apo tre të burgosur. Zeneli, sapo e sheh kryepunëtorin, të cilin e quanin “Zekë spiuni”, po ashtu i burgosur, i cili drejtohet kah kamioni, i kishte zënë ijët me dorë i shtirë  sikur kishte shtrëngim në stomak. Urtani nuk i dinte forat e Zenelit.

– Hej ju të dy!- ejani sa më shpejtë, ua bën me dorë kryepunëtori, Urtanit dhe Zenelit.

– Unë po vij, por Zeneli është i sëmurë, nuk mundet! – ia kthen Urtani

– Kush të tha ty nuk mundet. Sa herë që sheh kamionë të ngarkuar ai e kap barkun me dorë dhe shtiret.

– Po vjen apo po i tregoj policit?- i ngërmohet

– Tregoi nënës tënde, edhe policit!- ia kthen Zeneli me zemërim.

Kryepunëtori pa bërë zë niset në drejtim të dhomës në hyrje të kantierit, ku rrinte polici kujdestar.

– A të thashë se krejt janë spiunë, e ky qenë është krye-spiuni i thotë Urtanit dhe shtrihet  mbi një dërrasë duke improvizuar ngërqe në stomak.

Pa vonuar, kryepunëtori që e quanin Zekë, vjen së bashku me policin, i cili në dorë mbante pendrekun. Zekë Hysakaj dikur kishte qenë polic, por në gjendje të dehur, kishte vrarë dy kolegë të vet, gjatë një ahengu, një milic  shqiptar dhe një malazias. E kishin dënuar tetë vjet. Edhe pse i burgosur ai gëzonte shumë privilegje, ndërsa brenda pavijonit sillej më me egërsi se policët.

– Përse nuk je paraqitur te mjeku në mëngjes nëse je i sëmurë?-pyet milici, Iliq  të burgosurin Zenel që po improvizonte.

-Në mëngjes isha fare mirë, por ky, bën me dorë në drejtim të Zekës, më detyroi të hiqja njëzet dërrasa të rënda, për një dërrasë të njëjtë me atë të parën. Dhe, tash nuk mundem më. Më mirë shkoj në qeli.

– Shpejt në kamion!- iu ngërmohet polici të dyve.

Urtani i afrohet Zenelit me qëllim që t`i ndihmojë për t`u ngritur.

– Hip lart ti, ka kush kujdeset për të!- thotë polici derisa Zenelit i mëshon në shpinë me pendrek.

– Ose e kryen punën që ta kanë caktuar ose t`i theva brinjët! -i ngërmohet.

Zeneli ngrihet me ngadalë duke i mbajtur ijët me dorë. Ne çastin kur kapet për kanatën e kamionit, i rrëshqet dora dhe befasisht përplaset në platonë e betonit. Pavarësisht se më parë mund të kishte improvizuar, nga përplasja  kishte mbetur në vend dhe iu kishte ndalur fryma. Urtani kërcen nga kamioni për t`i dhënë ndihmë. Ende pa e kapur për krahu Zenelin, i cili po përpëlitej nga përplasja, polici Iliq e godet në shpinë me pendrek.

-Çka bëra unë që më godet, i drejtohet policit, pa menduar për pasojat, ndërsa ai, e godet edhe më të fortë. Disa të burgosur të tjerë, po shikonin vjedhurazi, se ç po ndodhte me Urtanin dhe Zenelin.

Urtani kishte mbetur si i vrarë, dhe nuk bënte tutje. Tashmë po e kuptonte se ishte e ndalura t’ i ndihmosh shokut të burgut në prani të milicëve.

-Nuk ke të drejtë të sillesh kështu me njerëzit,- unë nuk e refuzova punën, thotë Urtani i cili kishte shpërthyer i revoltuar sa nga dhembja e pendrekut, aq edhe nga zemërimi dhe dhembja për shokun që kishte mbetur pa frymë.

– T`i tregoj unë të drejtat tua, thotë dhe e godet për të tretën herë.

Derisa Urtani kishte mbetur pranë kamionit, i rrahur dhe i poshtëruar në prani të dhjetëra të burgosurve, një i burgosur i moshuar i shkon në ndihmë Zenelit. Vetëm pasi e shtrijnë në shpinë e vjen fryma. Zeneli, nuk po improvizonte më. Ai përveç goditjes mizore me pendrek, për pak kishte shpëtuar gjallë nga përplasja e shkujdesur, mirëpo kishte pëlcitur ashtin e  krahut të dorës së majtë.

Polici kishte urdhëruar Urtanin që të ecte përpara.

Tri ditë e kishin mbajtur në vetmi, por nuk e kishin ndëshkuar.

Ndërkohë Urtani kishte kërkuar të bisedonte me drejtorin e burgut për padrejtësinë, që sipas tij ia kishte punuar polici kujdestar, i cili e kishte rrahur pa asnjë arsye. Mirëpo askush nuk e kishte përfillur kërkesën e tij.

Ditën e katërt, gardiani që quhej Stevo, e nxjerr nga vetmia dhe e kthen sërish në pavijonin gjysmë të hapur.

-Më me dëshirë do të qëndroja këtu, -i kishte thënë policit, një burrë plak të cilin po e shihte për herë të parë.

– Më mirë do të ishe në shtëpinë tënde, mor bir! -por këtu nuk ta merr kush para sysh dëshirën. Pas pak kishte shtuar: Bën përpjekje ta ulësh krenarinë, sepse ajo nuk të ka hije në burg. Sjellja e gardianit plak i kishte ngjallur një çikë shpresë. Mbase nuk janë të gjithë si mizori Iliç, mendonte derisa ecte krahas policit plak.

Urtanin sërish e kishin kthyer në pavijonin  gjysmë të hapur. Nga të burgosurit kishte mësuar se Zenelin e kishin shtrirë në spital, meqë  nga përplasja prej kamionit e kishte lënduar rëndë krahun dhe shpinën. Po ashtu nga  ajo ditë ia kishin ndërruar vendin edhe policit, Iliq. Shumica e të burgosurve e kishte mirëpritur kthimin e Urtanit në Pavijon. Nuk kishte folur me të vetëm kryepunëtori që quhej, Zekë Hysakaj dhe dy të burgosur të tjerë, që silleshin me indiferencë ndaj gjithë të burgosurve por vazhdimisht ishin bashkë, për çka edhe përfliteshin me dyshime, për “ashiki”.

Ditët në pavijonin e hapur kalonin me shpejtësi. Puna ishte e rëndë por ushqimi ishte i mirë. Për çdo racion mund të merrje bukë aq sa mund të haje. Në gjellën e përgatitur për drekë kishte edhe një copë të madhe të mishit. Të burgosurve që punonin, iu lejonin të blinin edhe gjësende të tjera, nëse kishin të holla.

Urtani iu kishte adaptuar kushteve të punës, edhe pse ishte ende i ri dhe i hajthëm. I mbante mëri të burgosurit të quhej Zekë, i cili nuk kishte ndërruar aspak qëndrimin e tij të pështirosur ndaj të burgosurve. Edhe ai nga ana e tij e kishte hetuar se Urtani e shikonte vëngër. Një ditë derisa po bisedonte me të burgosurin  Dali Mani, një djalosh llapjan i zhvilluar fizikisht, kryepunëtori Zekë iu drejtohet:

– Ju të dy, duhet t`i largoni nga vendi ato shtafnet atje dhe t`i palosni mbi listela, sepse ashtu si janë shkarkuar njëra mbi tjetrën,  nuk thahen.

– Kush je ti këtu që urdhëron?- ia kthen Urtani tërë zemërim.

– Ti e di mirë kush jam, dhe mos më detyro të shkoj te gardiani, ia kthen Zeka.

– Shko ti ma mirë në të nanës tande, -ia kthen idhshëm llapjani, i cili po ashtu i mbante mëri Zekës, që po largohej kokulur dhe pa bërë zë.

Ndërkohë Urtani dhe Daliu merren vesh që të fillojnë zhvendosjen e shtafneve, në vendin e caktuar,  me qëllim që nëse kthehej  Zeka me ndonjë polic, të mos pranonin se kishin folur me të, pasi që nuk i kishte dëgjuar askush.  Pa vonuar Zeka dhe një polic, të cilin e quanin Turku, kthehen te vendi ku po punonin ngeshëm, Urtani dhe Daliu.

– Me demek qashtu, a? Niher po thuni jo, masandej po punoni pej zori, thotë polici turk duke u krekosur.

– Ne po punojmë ku na kanë caktuar punën, ia kthen Urtani.

Pasi polici dhe kryepunëtori Zekë largohen, Urtani dhe Daliu fillojnë t`i palosin shtafnet në vendin paraprak. Merren vesh, që në rast se Zeka do të kthehej, të ziheshin me fjalë duke e akuzuar se ashtu kishte urdhëruar vet, vetëm për mërinë që mbante ndaj tyre. Një orë para mbarimit të punës ditore Zeka e heton se shtafnet sërish ishin kthyer në vendin paraprak. Pas pak së bashku me dy policët, Turkun dhe Stevon kthehet në vendin ku punonin Urtani dhe Daliu.

– Çka ja keni ba kështu? -Iu drejtohet turku.

– Po ky Zeka njëherë na thotë çitni andej, herën tjetër kthehet e thotë, ktheni sërish në vendin e parë. Ju po i besoni, ndërsa ky po luen me ne, shpjegon Urtani.

– Pse po rreni ndër sy bre? -Iu drejtohet Zeka i sëkëlldisur.

– Nuk po rrejnë jo! ndërhyn një i burgosur tjetër, i cili si duket e kishte kuptuar hilen e Urtanit dhe të Daliut. Ai iu shpjegon gardianëve se nga këndi ku po punonte, aty afër, kishte vërejtur se Zeka po i mundonte me qëllim që këta të akuzoheshin se nuk po i kryejnë urdhrat e tij.

Polici Stevo i drejtohet Zekës.

– Nëse këta dy po rrejnë, a do thotë kjo se edhe ky i treti po rren?

– Edhe ai po rren, të gjithë po rrejnë. Këtyre vetëm milici Iliq iu vjen hakut, dërdëllis Zeka, pa menduar se ishte pikërisht polici Stevo që e kishin  emëruar në vend të Iliqit.

– Nisu  përpara, e urdhëron kryepunëtorin Zekë polici plak, i cili sillej me drejtësi ndaj të burgosurve, ndërsa Turku tërë mrrola fillon të ngërdhesh dhëmbët, duke i shikuar vëngër Urtanin dhe Daliun.

Ata ia  kishin punuar Zekës, me ndihmën e një të burgosuri, që flitej se kishte 12 vjet që po e mbanin në burg. Prej asaj dite, Zekë spiunin sikur e thërrisnin të gjithë, e caktojnë të punojë me një kantier tjetër. Mirëpo në mbrëmje  flinte në fjetoret e përbashkët të burgosurve. Shumica e të burgosurve i kishin mëri Zekës, por kishte edhe të tillë që e përkrahnin, sepse ai iu jepte cigare dhe nuk i detyronte të punojnë punë të rënda. Ata që e urrenin ishin shumicë dërrmuese. Dy  javë më vonë, ishte kthyer në Pavijonin gjysmë të hapur edhe Zeneli. Krahun e kishte në gips. Meqë ende trajtohej si i paaftë për  punë, e caktojnë në detyrë  të rojës, te kuzhina, e cila ishte afër fjetores.

Një javë pas kthimit të Zenelit në Pavijon, Daliu dhe Urtani kishin biseduar se si do t`ia punonin spiunit. Pas shumë bisedimesh ishte pranuar versioni i Zenelit. Meqë fjetoret nuk mbylleshin me qelës, gjatë ditës  as gjatë natës, Zeneli kishte shfrytëzuar rastin kur në to nuk ndodhej askush, dhe në ditën e caktuar kishte derdhur një govatë ujë të pistë në shtratin e Zekës. Pastaj e kishte mbuluar shtratin me çarçaf dhe batanije. Meqë Zeka rrinte deri në orët e vona të natës në kuzhinë, së bashku me policët kujdestarë, ai kishte hyrë në dhomë pasi kishin fjetur, apo shtireshin se kishin fjetur disa q[ kishin dëgjura të pëshpëritej për një ndodhi. Në kohën kur Zeka ishte shtrirë në shtrat heton dyshekun e lagur dhe të ftohtë. Ngrihet duke sharë dhe e kyç dritën elektrike, edhe pse ishte e ndaluar të ndriçohej dhoma në kohën e fjetjes.

– Fike atë dritë se është koha e gjumit, kishte bërtitur një i burgosur, ndërsa Zeka kishte  zbritur nga shtratin e cili lëshonte një erë të keqe.

– Kush e ka ndezur dritën? pyet Daliu. Ndërkohë zgjohen edhe disa të burgosur të tjerë.

– Kush më ka pshurrë në shtrat nënën ia q… thotë Zeka duke kërcënuar.

– Vet je pshurrë mor pleh, pi raki deri në dy pasmesnatës. E sheh si po i vjen era dhomës, bre shtazë, ia kthen i burgosuri Dan Statoci i  cili po vuante vitin e 12-të dhe të fundit të dënimit me burg.

– Ti ma ke kurdisur, i drejtohet Daliut, Zeka i mllefosur.

Daliu kishte kërcyer nga krevati dhe ishte nisur në drejtim të Zekës. Dikush nga të burgosurit e kishte fikur dritën. Urtani, nga prapa ia kishte hedhur batanijen në kokë, Zekës, ndërsa disa të burgosur të tjerë kishin filluar të godasin pamëshirshëm. Zhurma, britmat, sharjet, ishin dëgjuar edhe në fjetoren tjetër. Pas disa minutave kishte intervenuar roja kujdestare e policëve të pavijonit. Në kohën kur tre policë kishin hyrë në fjetore, të gjithë të burgosurit ishin shtrirë nëpër shtretërit e tyre.

Zekë Hysakaj qëndronte shtrirë në dysheme, i mbuluar me batanije dhe i përgjakur. Gardianët e kishin tërhequr për krahësh  Zekën dhe e kishin mbyllur me dry dhomën e fjetjes nga frika se të burgosurit mund të iknin nga pavijoni. Gjysmë orë më vonë, jepet alarmi. Dhjetëra policë kishin depërtuar në fjetoren numër 2. Kishin urdhëruar të burgosurit që askush të mos ngrihej nga shtrati, ndërsa nga dy policë me kamxhikë në duar ishin pozicionuar nëpër radhët e shtretërve. Fillimisht e kishin shikuar vendin ku ishte sulmuar, Zekë Hysakaj. Pastaj e kishin kontrolluar secilin të burgosur, për të vërtetuar ndonjë shenj apo gjurmë gjaku. Në dorën e Daliut kishin zbuluar gjurmë të gjakut. Po ashtu gjurmë të gjakut ishin zbuluar edhe te dy të burgosur të tjerë. Pas një kohe polici kujdestar thërret emrat e të burgosurve. Nga mesi i tyre nxjerrin jashtë: Dali Manin, Dan Statocin, Urtan Qirin, Hak Ruhanin dhe Milaz Prekën. Të pestit i ndajnë dhe  i ngujojnë nëpër qelitë e burgut.

Herët në mëngjes organet e SPB-së kishin filluar hetimet për të zbuluar organizatorët që e kishin rrahur, Zekë Hysakajn, i burgosur por edhe agjent shumë i besuar i sigurimit. Plani nuk ishte zbuluar. Pesë të burgosurit, të akuzuar për rrahje tinëz, dhe me pasoja fizike për të dëmtuarin, Zekë Hysakaj, i dënojnë nga dhjetë ditë, në vetmi. Po atë ditë i kishin ndëshkuar fizikisht të pestit. Dhjetë ditë më vonë të gjithë i kthejnë në pavijon, ndërsa spiunin Hysakaj, e kishin deportuar në një burg tjetër. Dy ditë pas lirimit nga vetmia, Urtan Qiri kryen dënimin dhe lirohet nga burgu…

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …