Zyra për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës së Deçanit, në bashkëpunim me Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik, organizoi një takim tematik me titull: “Gratë në bujqësi dhe zhvillim ekonomik”.
Në takim morën pjesë përfaqësues të sektorit të bujqësisë dhe bizneseve lokale. Takimin e udhëhoqi Ajne Iberhysaj, Ushtruese e Detyres të Zyrtares për Barazi Gjinore.
Nga diskutimi i pjesëmarrësve u evidentuan këto kërkesa kryesore:
Nevoja për pajisje bujqësore dhe përkrahje përmes skemave të zhvillimit rural, me fokus të veçantë në fuqizimin ekonomik të grave;
Nevoja për ofrimin e ndihmës rreth procedurave për aplikim në grante dhe subvencione për gratë në bujqësi;
Mbështetje teknike për përpilimin e aplikacioneve, me rekomandimin që Komuna të angazhojë një ekspert të trajnuar për të ndihmuar në këtë proces.
Isuf Demhasaj, Drejtor për Zhvillim Ekonomik, theksoi përkushtimin e drejtorisë për mbështetjen e bizneseve vendore, në veçanti atyre të udhëhequra nga gratë. Ai gjithashtu informoi për organizimin e Panairit Veror, ku gratë prodhuese do të kenë mundësi të prezantojnë produktet e tyre bujqësore dhe artizanale.
Syzana Krasniqi, zyrtare nga Drejtoria për Bujqësi, njoftoi për lehtësimet dhe shërbimet që ofron drejtoria për gratë fermere dhe për prodhuesit e produkteve bujqësore.
Komuna e Deçanit, përmes Zyrës për Barazi Gjinore, planifikon që në kuadër të procesit të buxhetimit të ndajë mjete të veçanta për subvencionimin e grave në bujqësi dhe ekonomi, në bashkëpunim të ngushtë me drejtoritë përkatëse.
Në përfundim të takimit, u dakordua që Zyra e Kryetarit të angazhojë një ekspert të jashtëm, i cili do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë në përgatitjen e aplikacioneve për grante dhe subvencione.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Komunës së Deçanit për fuqizimin e gruas, zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe promovimin e barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës.