Zyra për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës së Deçanit ka organizuar trajnim me temën “Intervistimi i viktimës së dhunës në familje”, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Mekanizmit Komunal Kundër Dhunës në Familje dhe përfaqësuesve të tjerë të institucioneve relevante.
Takimin e udhëhoqi znj. Ajne Iberhysaj, zyrtare për barazi gjinore, e cila theksoi se qëllimi kryesor i këtij trajnimi është rritja e kapaciteteve profesionale dhe ndjeshmërisë institucionale për trajtimin e rasteve të dhunës në familje – me theks të veçantë në intervistimin etik, të kujdesshëm dhe të ndjeshëm të viktimës.
Ligjërues në trajnim ishte Dr. Nusret Pepaj, specialist i shëndetit mendor, i cili foli mbi format e dhunës – fizike, psikologjike, ekonomike dhe seksuale dhe ndikimin e tyre në shëndetin emocional e mendor të viktimës. Përmes diskutimeve interaktive dhe shembujve praktikë, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe respektimit të dinjitetit të viktimës në çdo hap të procesit hetimor dhe mbështetës.
Pjesëmarrës në trajnim ishin anëtare të Mekanizmit Komunal kundër Dhunës në Familje dhe përfaqësues të institucioneve kyçe:
-
Xhavit Nimonaj – Policia e Kosovës, Stacioni në Deçan
-
Amela Pejcinoviq-Kovaçeviq – Qendra për Punë Sociale
-
Luan Mehmetaj – Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave
-
Armend Tolaj – Administrator i Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan
-
Ajshe Bala – Qendra për Strehim të Viktimave të Dhunës