Në kuadër të fushatës informuese dhe ndërgjegjësuese “16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës në Familje dhe në Baza Gjinore”, sot u mbajtën ligjërata informuese në Shkollën Fillore “Maxhun Çeku” në Irzniq, “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan dhe “Drita” në Gramaçel.
Koordinatorja komunale kundër dhunës në familje, Ajne Iberhysaj, informoi nxënësit për rëndësinë dhe qëllimin e aktiviteteve, ndërsa ligjëratat u zhvilluan nga:
• Xhavit Nimanaj, shef i sektorit hetues kundër dhunës në familje;
• Violeta Kukalaj, zyrtare për arsim;
• Begije Jonuzaj, psikologe shkollore.
Nxënësit shfaqën interesim të veçantë për funksionimin e mekanizmit kundër dhunës në familje, si dhe për mënyrën e trajtimit të rasteve nga policia dhe institucionet tjera. Ata parashtruan pyetje dhe morën përgjigje të drejtpërdrejta nga anëtarët e mekanizmit.
Në fund, u shpreh falënderim për stafin arsimor dhe nxënësit për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në këtë fushatë me rëndësi të veçantë për komunitetin.