Në emër të familjes Qeriqi, bija e tij, Arbana, në një fjalim emocional dhe prekës, përcolli mesazhin e dhimbjes dhe krenarisë për jetën dhe veprën e babait të saj, Profesor Ahmet Qeriqi.
Ajo tha: “I dashur babi, na le shumë herët. Sëmundja e gjatë dhe e vështirë të mori, pasi të dërmoi deri në fund, por ti e luftove me guxim dhe qëndresë. Edhe në ato momente më të vështira, nuk u ndale së punuari. Punove për ne, për familjen, për atdheun, për çdo njeri që të nevojitej dhe për çdo çështje që kërkonte drejtësi. Edhe pse sëmurë, ti punoje lajmet me dedikimin maksimal dhe pa kursyer mundin. Çdo ditë, çdo orë, ti ishe atdhetar i vërtetë dhe një punëtor i palodhur.” Ajo theksoi se Profesor Qeriqi i qëndroi besnik idealeve të tij deri në fund, duke i dalë hakut familjes, kombit dhe shtetit. Me përkushtimin dhe këmbënguljen e tij, ai mbeti një zë i fuqishëm për të vërtetën dhe drejtësinë. Duke shprehur dhimbjen e papërshkrueshme të familjes për humbjen e tij, Arbana nënvizoi se mungesa e Profesor Qeriqit do të ndihet thellësisht, jo vetëm në familje, por edhe në mbarë kombin shqiptar. Ajo përfundoi fjalimin me një mesazh të fuqishëm për trashëgiminë që la pas babai i saj, duke e përkujtuar atë si një figurë të paharruar, jo vetëm për familjen, por për të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan punën dhe përkushtimin e tij. “Do të na mungosh në jetë të jetëve, por trashëgimia jote do të jetojë përgjithmonë, sepse ajo është e gjallë në zemrat tona dhe në kujtimet që kemi për ty. Ti do të mbetesh gjithmonë një figurë e paharruar, jo vetëm për ne si familje, por për të gjithë ata që kanë njohur forcën dhe mençurinë tënde.” Me mirënjohje për të gjithë të pranishmit, Arbana falënderoi ata që po ndanin dhimbjen dhe po nderonin kujtimin e babait të saj:
Ajo e përmbylli fjalimin me vargjet prekëse dedikuar babait të saj:
Ike, babi, ike nga kjo botë
Na porosite të mos derdhim lotë,
Por të bëhemi krenarë e të fortë,
Se jeta dhe vepra jote nuk ishte e kotë.