Në Fortesë, është përkujtuar fillimi i Epopesë së Korrikut në Rahovec

Me nderimin e dëshmorëve Gani Paqarizi, Agim Kelmendi dhe Tafil Zyberaj në Fortesë, është përkujtuar fillimi i Epopesë së Korrikut në Rahovec. Lufta, trimëria e sakrifica e kësaj treve do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e shqiptarëve kudo që jetojnë. Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi me këtë rast në fjalën e tij ka thënë: Sot është 21-vjetori i përkujtimit të ngjarjeve të pashlyeshme nga kujtesa jonë. Data 18 korrik 1998 nuk është e zakonshme, jo vetëm për faktin se ishim në luftë, por më shumë, për përmasat dramatike të zhvillimeve që i përjetuam në ato ditë të nxehta korriku. Me 17 korrik 1998, forcat e UÇK-së u futën në qytetin e Rahovecit. Pati luftime të ashpra me forcat pushtuese serbe. UÇK-ja mori përsipër edhe një barrë tjetër, akoma më të rëndë. Në mbështetje të këtij hapi të hedhur nga UÇK-ja, u deshtë të gjejmë rrugë, mënyra dhe të dalim me pozicione të reja, duke u përshtatur me situatën e re të krijuar pas hyrjes së njësiteve të UÇK-së në Rahovec. Në rrjedhën e këtyre zhvillimeve, në mëngjesin e hershëm, njësitet e UÇK-së u pozicionuan në Fortesë ( Bellacërkë ) në të dy anët e rrugës kryesore (istikamet emergjente të kryera gjatë natës në Ballabreg e në pjesë të tjera), që lidh Xërxën me Rahovec, si dhe ato në brendi të fshatit, nën rrugë. Atë ditë pati luftime dhe rezistenca bëhej me qëllim të parandalimit të mësymjes së forcave ushtarake serbe, që synonin të futeshin në Rahovecin e ‘çliruar’ nga UÇK-ja. Ishte përballja e pare serioze në një arenë të gjerë lufte. Lufta ishte e ashpër dhe e pabarabartë. Forcat serbe angazhuan edhe ushtrinë me tanke e artileri të rëndë. Kjo ngjarje mbetet në histori, si luftë urbane dhe përpjekje për çlirim të vendeve urbane, por çmimi I kësaj përpjekjeje ishte i lartë. Është gjaku i Gani Paçarizit (udhëheqës i Policisë Ushtarake, luftëtar dhe veprimtar i hershëm i LPRK-së), i Agim Kelmendit, veprimtar i dëshmuar i LKÇK- së dhe luftëtar i sprovuar i UÇK-së, Tafil Zyberajt, luftëtarit të lirisë, të orëve të para, që me akte heroizmi i dhanë vulën kësaj dite të vështirë të luftës në këtë anë. Liria jonë i ka rrënjët në gjakun e atyre që u flijuan në këtë betejë dhe në përballjet e tjera me armikun shekullor. Me 18 korrik 1998, u plagosën rëndë e më lehtë luftëtarët: Isuf Gashi nga Drenoci, Halim Kelmendi, unë, etj. Po ashtu, u zunë rob luftëtarët Vehbi Muharremi nga Drenoci, Isak Hoti, Nisret Hoti dhe Sokol Morina nga Ratkoci. “Epopeja e Fortesës” padyshim se ka peshën e madhe në tërësinë e zhvillimeve dhe aktiviteteve luftarake, që nisën me 17 korrik 1998 dhe vazhduan me luftimet e shumta në qytet, duke u përjetësuar ato përmes rënieve heroike të trimave tanë, si: Gëzim Hamza – Piktori, Avdulla Bugari, Agim Qelaj, Gëzim Mullabazi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Faik Rama, Bajram Veliu nga Rahoveci, Sadik Shala, Afrim Krasniqi, Remzi Ukshini, Ramadan Morina, Ruzhdi Xhyliqi, Shkëlzim Zllanoga, Hamdi Berisha, Habib Berisha, Liman Gegaj, Mizahir Isma, Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati dhe Arian Ibrahimi-SHKODRANI si dhe u plagos rëndë luftëtari Fatmir Isma, në vendin e pagëzuar për nder të luftëtarit trim nga Shkodra – Maja e Shkodranit. Me të drejtë themi se, “Epopeja e Fortesës”, për gati 30 orë e vonoi depërtimin e forcave serbe në qytet, falë rezistencës dhe heroizmit të djemve të UÇK-së. Dihet se, për 10 ditë (17-26 korrik ’98 ) u zhvilluan luftime dramatike dhe të përgjakshme në këtë zonë, në Fortesë e Rahovec. Si pasojë e tyre, patëm dhjetëra luftëtarë që u flijuan, shumë prej tyre u plagosën dhe shumë shqiptarë të paarmatosur, u vranë ose u masakruan. Mirëpo, dihet se, pati humbje të pamohueshme edhe nga radhët e armiqve tanë, të cilët edhe vetë ata i pranojnë. UÇK- ja, edhe pse u dëmtua shumë nga ky operacion i rëndë i kryer prej forcave serbe, përsëri ri-morri veten dhe vazhdoi luftën për liri. Luftimet e përgjakshme të korrikut janë edhe një dëshmi e fortë e përpjekjes, kontributit dhe angazhimit, rolit dhe peshës, të sakrificës së jashtëzakonshme dhe vlerave që pati e ka Rahoveci me rrethinë. Të gjitha këto dëshmi flasin edhe për shpirtin e madh, bujar dhe liridashës që kanë qytetarët tanë. Nderim luftëtarëve të lirisë! Lavdi e përjetshme dëshmorëve të atdheut që ranë në betejën e Fortesës më 18 korrik 1998! Nderim dhe lavdi e përhershme për dëshmorët, gjithë të rënët në përballje dhe të vrarët, nga data 17- 26 korrik 1998! I paharruar qoftë kujtimi i tyre! Tha në fjalën e tij kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …