Në Klinë u mbajt manifestimi “Ditët e Kulturës Japoneze”

Në përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me JICA Alumni Asociacioni i Kosovës dhe Agjencionit Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, është organizuar manifestimin kulturor, “ Ditët e Kulturës Japoneze”, në të cilin ka marrë pjesë kryetari Zenun Elezaj, nënkryetari Besim Hoti, drejtorë komunal, prijës fetarë, këngë-autori nga Lezha, Gjon Frroku dhe personalitete tjera të jetës politike e kulturore. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Komunës së Klinës, Prof.Dr. Zenun Elezaj, fillimisht ka përshëndetur Qeverinë Japoneze, Ambasadën Japoneze, me seli në Vjenë, Agjencionin Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Alumni Asociacioni i Kosovës. “Jemi mbledhur sot për të shënuar Ditën e Kulturës Japoneze në qytetin e Klinës. Me lejoni që në emër timin personal, institucionit që përfaqësoj- Komunës së Klinës dhe gjithë qytetarëve të Komunës sonë t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhje në këtë manifestim. Ky takim i sotëm, padyshim, shënon një etapë të re të komunikimit dhe bashkëpunimit mes nesh. Ngjarja e sotme ngërthen një rëndësi të veçantë, të cilin e vlerësojmë si një hap të rëndësishëm, nga i cili takim po konkretizojmë një të arritur të përbashkët, me pretendime që në të ardhmen të vazhdojmë edhe me hapat të tjerë në fushat e ndryshme të bashkëpunimit. Kultura dhe traditat i bashkojnë popujt, pasi duke njohur kulturën dhe historinë e një populli, njeh dhe respekton më shumë vlerat dhe njerëzit e tij. Ju jemi mirënjohës popullit japonez për gjithë atë që ka bërë për popullin e Kosovës pas luftës për ngritjen dhe forcimin e institucioneve të vendit tonë. Qeveria Japoneze, është angazhuar edhe në ndihmë në sektorin e shëndetësisë në Komunën e Klinës përmes të cilit janë krijuar parametra për ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore”, ka thënë Elezaj, me shpresën se bashkëpunimi me Qeverinë Japoneze do të rritet edhe në lëmit tjera, si ekonomike, ruajtje të mjedisit e tjera. Përmes videobimit është përcjellë një mesazh urimi edhe nga Ambasadori i Kosovës në Japoni, Luan Malazogu. Nizakete Hakaj, përfaqësuese e Shoqatës JICA, ka thënë, se qëllimi i takimit të sotëm është promovimi i diversitetit kulturor japonez, që do të na ofrojë një horizont të ri për t’u njoftuar me kulturën dhe traditën e lashtë të popullit japoneze. Sipas saj, “Ditët e Kulturës Japoneze”, është një mundësi e shkëlqyer për forcimin e bashkëpunimit midis Japonisë dhe Kosovës, si dhe do të nxisë ngritjen e efikasitetit të përpjekjeve individuale dhe të përbashkëta, që do të kontribuojnë në zhvillimin e vendit tonë. Më këtë rast, po ashtu, u shfaq edhe një program kulturo-artistik, me pika muzikore dhe valle nga nxënës të Klinës; është shtruar sofra me ushqime tradicionale japoneze, ekspozita me foto të lojërave të ndryshme japoneze për fëmijë, foto të qyteteve të Japonisë dhe aktivitete tjera.

Kontrolloni gjithashtu

NIS HARDH FESTI, FESTA E VJELJES SË RRUSHIT

Komuna e Rahovecit përmes një postimi në rrjete sociale ka njoftuar se të premtën më …