Në kuadër të aktiviteteve kulturore e përkujtimore ,,JAVA E DËSHMORËVE”, mbrëmë në prani të artdashësve që mbushën amfiteatrin në kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Gradish, u dha shfaqja koreografike “MBRETËRESHA E FUNDIT”. Ishte një vepër artistike e veçantë, që përmes vallëzimit bashkëkohor dhe elementeve të folklorit tonë, solli figurën madhështore të mbretëreshës ilire, TEUTA.
Ishte një shfaqje ku trupi u kthye në gjuhë të heshtur dhe skena në një udhëtim emocional në kohë për të treguar historinë tonë të lashtë.
“MBRETËRESHA E FUNDIT”, nuk ishte vetëm një rrëfim për një figurë historike, por një kujtesë e fuqishme për qëndresën, identitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore, ka shkruar në llogarin e tij në facebook, kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi, i cili ka falënderuar koreografin Gëzim Sertollaj, udhëheqësin artistik Muharrem Morina, koordinatoren Blerta Hasani dhe të gjithë ata që kishin përgatitur këtë vepër artistike me vlerë!

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
