Në moshën 58-vjare ka ndërruar jetë i burgosuri politik i vitit 1981, veprimtari, Agim Latif Leci

Në moshën 58-vjeçare ka ndërruar jetë i burgosuri politik i vitit 1981, veprimtari, Agim Latif Leci

Pas një sëmundje të gjatë, pasojë e të cilave ishin edhe vitet e kaluara  në burgjet e ish Jugosllavisë,  dhe nga torturat  fizike që kishte ushtruar regjimi okupator i kohës,  ka ndërruar jetë, Agim Latif Leci, nga fshati Barilevë, varrimi bëhet më 1 shkurt 2021 në orën 15:00, në varrezat e Fshatit Barilevë.

 

 

Agim Leci ka qenë njëri ndër prijatarët e flamurtarët e parë kërkesës për Republikën e Kosovës, i cili me bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët e tij, mori pjesë aktive në demonstratat e protestat e marsit dhe prillit të vitit 1981. 

Më 2 prill të vitit 1981, protestat e ligjshme të rinisë shqiptare, e cila nuk kërkonte asgjë më shumë se liri e barazi, kishin marrë përmasa të një revolte të përgjithshme popullore, jo vetëm në Prishtinë, ku ishte bërthama e qëndresës dhe e të gjitha zhvillimeve, por edhe në mbarë qytetet e Kosovës. Atë ditë janë shënuar edhe disa elemente të kryengritjes së përgjithshme popullore, sikur ishte rasti i rrëmbimit të armëve nga një grup i të rinjve shqiptarë, në mesin q grupit të parë, të cilët u barrikaduan në fshatin Besi, në hyrje të Prishtinës, duke mos lejuar forcat policore serbe që na Serbia të futeshin në Kosovë.

Ditën e dy prillit të vitit 1981, krahas grushteve të ngritur nga studentët në protesta, të cilët ishin përgjakur nga forcat pushtuese dhe ato mercenare, një grup i të rinjve militantë, llapjanë, në fshatin Besi të Prishtinës, shkoi edhe më larg. Ata, duke parë se policia po përdorte armë kundër protestuesve duarthatë, rrëmbyen armët dhe vendosën një barrikadë të kundërvënies, në dalje të Prishtinës në fshatin Besi dhe në rrugën për në Besianë, (ish-Pudujevë). Grupi ishte i organizuar dhe kishte synim të përshkallëzonte revoltën në formë të kundërvënies, meqë atë ditë, forcat intervencioniste serbe kishin martirizuar dhjetëra protestues shqiptarë dhe kishin plagosur me armë zjarri qindra të tjerë. Në këtë grup bënin pjesë kryesisht nxënës, punëtorë dhe arsimtarë, të cilët gjatë tërë muajit mars kishin marrë pjesë në demonstrata. Në mesin e tyre kishte protestues të rritur, por edhe të mitur.

Grupin e parë të të rriturve që ishin barrikaduar në fshatin Besi të Prishtinës e përbënin:

Ruzhdi Hajdini, nga fshati Miroc,

Sami Leci nga fshati Barilevë,

Zijadin Hoxha nga Prishtina,

Vehbi Leci nga Barileva,

Osman Krasniqi nga Bërnica e Epërme,

Ibush Kelmendi nga fshati Prugoc,

Agim Selmani nga Barileva,

Agim Leci, po ashtu nga Barileva,

dhe Hajrullah Dragusha nga Prugoci.

 

 

Agim Leci ishte kalitur nëpër burgje, dhe dhuna fizike e psikike  që kishte ushtruar regjimi kundër tij, jo vetëm që nuk e kishin luhatur, por e kishin kalitur dhe e kishin kthyer në një kryengritës idealist, i cili u kishte përballuar të gjitha torturave, në mënyrë heroike e dinjiotoze.

Pas daljes nga burgu, nuk kishte vazhduar shkollimin as studimet për shkak të kushteve të rënda ekonomike  të familjes me shumë anëtarë. Kishte punuar së bashku me babanë, Latifin dhe vëllezërit për ta mbajtur dhe për ta ngritur familjen, Ishte në rrjedha të zhvillimeve politike të kohës, duke mbështetur në radhë të parë rrugën që udhëhiqte, Simboli i Lëvizjes së Rezistencës, Adem Demaçi.

Agim Leci kishte natyrën e njeriut të heshtur, që i beson vetvetes. Kurdoherë ishte buzagaz dhe i shoqërueshëm, i përmbajtur dhe i rezervuar, qëndrestar  i dinjitetshëm, idealist i pathyeshëm.

Me Agim Lecin më lidhin kujtimet më të paharrueshme të burgut, në Suboticë të Vojvodinës, ku me shumë se dy vjet kemi qëndruar në një dhomë me të por  edhe me të burgosur të tjerë. Disa nga momentet e kaluara me të në humbëtirat e kazamateve jugosllave i kam shënuar në romanin “Burgu”. Emri i tij i  koduar është, Gim Celi.

Edhe në kohën pas burgut, e sidomos pas çlirimit nga robëria serbe, kam mbajtur kontakte me Agim Lecin dhe shokët e tij e të mi të burgut. Para disa vitesh, Agimi ishte identifikuar me një sëmundje në mushkëri, që drejtpërdrejt ishte pasojë e jetës  nëpër burgje, e torturave dhe mizorive që kishin ushtruar regjentët e regjimit okupator, që kishin goditur tinëzisht e mizorisht në mënyrë që pasojat të mbeteshin edhe pas lirimit nga burgu.

Agim, përjetë do të mbetesh i paharrueshëm për familjet, shokët e farefisin që të kanë dashur dhe i ke dashur aq shumë. E paharrueshme do të mbetet edhe jeta e vepra jote në shërbim të kombit e atdheut.

Lamtumirë, Agim i paharrueshëm!

Ahmet Qeriqi

  1. 1 2021

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Prej nga po ushtrohen presionet mbi hetuesit e korrupsionit në Policinë e Kosovës

Largimi i Shemsi Hazirit, drejtuesit të Njësisë së Veçantë Hetimore brenda Policisë së Kosovës, ka …