Në një bisedë në studion e TV-Diellit me redaktorin, Isuf Ismaili, profesor, Ahmet Qeriqi ka folur për krijimtarinë e tij letrare e publicistike

Në një bisedë në studion e TV-Diellit me redaktorin, Isuf Ismaili, profesor, Ahmet Qeriqi ka folur për krijimtarinë e tij letrare e publicistike

Ahmet Qeriqi, ka një biografi të pasur por edhe të rëndë e të vështirë, meqë qysh në kohën e rinisë së hershme, si pjesëtar i familjeve atdhetare nga babai dhe nëna, është ballafaquar me regjimit titist-rankoviçit, prej moshës 17-vjeçare e deri në përfundimin e luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qershor të vitit 1999. Në pyetjen për kohën e fillimit të krijimtarisë, ndikimin nga familja, pastaj aktiviteteve të ndryshme kulturore gjatë shkollimit e më pas gjatë studimeve, ai ka thënë:

Motivimin për krijimtari e kam marrë nga Gjyshi, Emin Miftar Shema, hoxhë kryengritës dhe shumë autoritar, i cili më rrëfente fragmente nga jeta e profetëve (pejgamberëve)  pastaj nga nëna (Xhevahirja) që dinte përmendsh mijëra vargje të këngëve të trimërisë, dhe nuk më vinte dot në gjumë pa më  rrëfyer, ( recituar) të paktën një prej tyre, si edhe nga gjyshja, (Isma) e cila edhe pse e lodhur dhe e sfilitur nga punët e ditës, më rrëfente kryesisht përralla të  shkurta të motiveve të ndryshme. Babai Aliu, punonte, ditë e natë dhe me të takohesha krejt rrallë dhe vetëm në mbrëmje.

 

Hartimet e mia, në Medresenë e Prishtinës ku kryeja shkollën e ulët fetare dhe  tetëvjeçaren, merreshin shembull nga profesorët e gjuhës, si Halil Vllahia, pastaj profesori i historisë, Ramadan Jusufi e të tjerë. Mësuesit e fesë, hoxhallarët më veçonin e më lavdëronin për shkrimin shumë të bukur të arabishtes.

Kam filluar të shkruaj shumë herët, por kam botuar relativisht vonë, për shkak të përmbajtjes së temave, të cilat i kam trajtuar në shkrimet e mia. Gjatë kohës së studimeve, kohë pas kohe  kam mbledhur lëndë folklorike dhe kam bashkëpunuar me revistën letrare, “Jeta e re”.

Duke qenë se regjimi kishte aplikuar censurë mbi baza ideologjike, konsideroja se shkrimet e mia  nuk mund të botoheshin, andaj edhe nuk i kam dërguar për botim. Shkrimet e  para datojnë nga shkolla e mesme. Profesorët e gjuhës i merrnin si shembull hartimet e mia shkollore. Më kujtohet profesori i letërsisë, Halil Vllahiu. Njëherë  kisha marrë guximin dhe i kishte dhënë për ta lexuar një tregim, i cili titullohej, “Varri i Sutës” ku flitej për një vajzë të braktisur, e vetmja që kishte shpëtuar nga familja me rastin e bombardimit të shtëpisë nga forcat partizane në Luftën e Drenicës, në dimër të vitit 1945. Ajo kishte jetuar te dajallarët  dhe kishte vdekur tri ditë para se të bëhej nuse”.  Profesori e kishte lexuar tregimin në klasë dhe pas mbarimit të mësimit më kishte ndaluar. Më kishte vështruar me habi. Ma kishte kthyer tregimin duke më bërë me dije  se tregimi i tillë jo vetëm që nuk do të botohej, por mund të bëhej shkas edhe për burg. “Disa muaj më vonë, në pranverë të vitit 1964, kthinën përdhese të ndërtuar me qerpiçë dhe shpatëza druri, në të cilën banoja me shokun tim, Eshref Islami, gjatë një vërshimi  e kishte marrë uji, meqë ndodhej buzë lumit, Vellusha, në Prishtinë. Uji kishte përfshirë të gjitha, në atë mes edhe fletoren time të tregimeve.

Në vitin 1979, gjatë një kontrollimi të befasishëm të inspektorëve të UDB-së, në shtëpinë time, në Shtime, inspektori i UDB-së, Adem Goga, (Ibrahimi) më kishte marrë dy fletore me krijime artistike. Ata kërkonin libra të ndaluar, por ato i mbaja fshehtas dhe nuk i zbuluan kurrë. Pasi i kishte lexuar tregimet, duke hetuar përmbajtjen sociale por edhe revolucionare,  fletoret me shënime i kishte marrë me vete dhe ia kishte dërguar prokurorit komunal në Ferizaj, i cili kishte kërkuar hapjen e procedurës për vepër penale, sipas nenit 133 të LPJ-së. Sado që skicat dhe tregimet ishin shkruar me një gjuhë lakonike, gjykatësi hetues kishte zbuluar se tregimet ishin të orientuara kundër bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë dhe kundër regjimit të fuqi. Ata kishin zbuluar një poezi në akrostih për Adem Demaçin, pasi nga pakujdesia, kisha nënvizuar shkronjat e emrit dhe mbiemrit të tij. Po ashtu skicat e rrëfimet ishin trajtuar si të errëta, pesimiste që stigmatizonin regjimin. Fillimisht më kishin dënuar 6 muaj burg, ndërkohë që Shkalla e Dytë, me kërkesë të prokurorit, Reshat Millaku, dënimin e plotfuqishëm e kishte rritur në 18 muaj burg, edhe pse ato shkrime nuk i kisha botuar as i kishte lexuar kush, por mbajtja ilegale e librave të ndalura dhe e shkrimeve me temë atdhetare, çlirimtare, dënohej sipas ligjeve të kohës, veçmas në Kosovë.

Shkrime të ndryshme publicistike, letrare, madje  edhe përkthime kam botuar në gazetën “Rilindja” më vonë  në “Bujku”, pastaj në ndonjë gazetë javore, mujore apo periodike etj.

Pas luftës së UÇK-së dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia kam botuar disa vepra letrare e publicistike, të cilat janë mirëpritur nga kritika letrare.

 

Në kërkesën e redaktorit, Isuf Ismaili  gjatë bisedës lidhur me veprat e botuara deri tani si dhe përmbajtjes së shkurtër të tyre, Ahmet Qeriqi ka folur shkurtimisht për veprat publicistike, letrare dhe përkthimet që i ka botuar deri tani.

Kam shkruar pandërprerë gjatë tërë jetës sime, që nga shkolla e mesme, gjatë studimeve, gjatë kohës së arratisë në vitet 1981-1982, gjatë kohës në burg deri në vitin 1988 dhe pas daljes nga burgu. Për shkak të temave që kam trajtuar, në periudhën para çlirimit të Kosovës, veprat i kam “konservuar” për botim dhe ato janë botuar pas luftës. Në vitet 90-të kam botuar në shtypin e kohës, kryesisht studime, përkthime, fejtone etj.

Deri tani kam botuar këto vepra publicistike, letrare dhe dy romane të përkthyera.

 

Në gjurmim të lashtësisë,

Meditime në arrati,

Fenomene shqiptare,

Milush Kopiliqi serb apo shqiptar?

Luftëtarë të NDSH-së I II

Burgu,

Krojmiri,

Koha e jeniçerëve,

Gjurmime dhe studime,

Çlirimtarë dhe mercenarë,

20-vjet Zëri i Lirisë,

Sadri Sahit Çatani,

Januz Bajçinca me bijtë,

Kam përkthyer nga hungarishtja:

Trëndafili i bardhë dhe Luani i Janinës, romane të shkrimtarit të njohur hungarez, Jokai Mor.

Kohë më parë ka dalë nga shtypi, kronika historike letrare,  Guri i Betimit.

Jam bashkautor dhe redaktor i monografisë “Feniksët e lirisë”, projekt i Redaksisë, “Dëshmorët e UÇK-së”, e cila deri tani ka nxjerrë në dritë 18 vëllime si dhe redaktor i shumë veprave të autorëve të ndryshëm, në Kosovë e më gjerë.

 

Pjesa e dytë e bisedës së drejtorit të Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi në studion e TV-Diellit

 

Isuf Ismajli: Profesor, tani do të ndalemi më shumë te romani, “Guri i Betimit”, i cili sapo ka dalë nga shtypi.

 

Keni bërë një punë të madhe dhe të mundimshme, por e cila më në fund është kurorëzuar me sukses. Keni lexuar mijëra faqe literaturë historike, keni vjelë burime të shumta për mesjetën nga disa gjuhë të huaja, keni gjurmuar edhe mbetjet fizike të Mesjetës në Drenicën Qendrore dhe pas një kohe bukur të gjatë ia keni arritur ta përfundoni këtë roman. Na tregoni  për fillim,  cila ka qenë sfida, me të cilën jeni përballur për aq shumë kohë?

Kronika historike, letrare, “Guri i Betimit”, është një tërësi organike e rrëfimeve historike, por edhe gojore, të përcjella gojarisht  nga brezi në brez nga rapsodët popullorë, për Luftën e Kosovës të vitit 1389 dhe disa zhvillime historike të kohës që i kanë  paraprirë asaj lufte, me pasoja të rënda për shqiptarët por edhe të gjithë popujt e Ballkanit e më gjerë.

Vepra në radhë të parë është një përpjekje për ta nxjerrë në dritë të vërtetën historike të asaj periudhe, praninë dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në ato zhvillime historike, fakte që në vijimësi janë injoruar nga historiografia serbe, sllave dhe evropiane përgjithësisht.

E vërteta shqiptare për atë periudhë të historisë ende është fragmentare, ndërsa historianët e Mesjetës, përveç Muhamet Tërnavës, tani i ndjerë, përgjithësisht  pranojnë versionin serb për Luftën e Kosovës, meqë ashtu kanë mësuar dhe janë pajtuar, duke pretenduar se ajo çështje është e mbyllur përgjithmonë.

Po ashtu, pranimi i islamit nga shqiptarët, është një fakt tjetër i anashkalimit të kryetrimit shqiptar të mesjetës, për shkak se ai kishte therë me thikë Sulltan Muradin e Parë, më 15 qershor të vitit 1389. Ky akt,  gjatë shekujve ishte trajtuar si tradhti, nga një pjesë e madhe e shqiptarëve të konvertuar. Madje ka pretendime që këtë personazh ta paraqesin si martir të cilin e kanë mbytur serbët, duke përjashtuar fare edhe ekzistencën e heroit shqiptar të Mesjetës,  Milush Nikollë Kopiliqi. Përpjekja për deformime të tilla të historisë, për mua është e papranueshme.

Në këtë vepër kam sjellë  fakte e dëshmi të shumta, të ricikluara dhe të përpunuara, të vjetra e të reja, argumente historike,  që ndërlidhen me kujtesën popullore, jam marrë me toponiminë e antroponiminë, me gjurmimin e hulumtimin e mbijetesës së kulturës fizike nga mesjeta  deri në ditët tona dhe të gjitha këto dalin të ndërlidhura në mënyrë letrare e artistike, duke sajuar një tërësi të lidhur organikisht, që i akordon kohës dhe hapësirës, sinkronisë dhe diakronisë të zhvillimeve relevante historike të asaj kohe.

Vepra,  në dukje ka një kompozicion të shkapërderdhur, në kohë e hapësirë dhe zhvillimet shtrihen në vendet që i mbanin nën sundim dy perandoritë më të mëdha dhe armiqësore të kohës, ajo e Bizantit e cila po rrënohej nga brenda e nga jashtë  dhe Perandoria Osmane e cila në atë kohë, ishte në kulmin e fuqisë. Në atë ndeshje të ashpër të dy botëve gjakoseshin popujt, sidomos popujt që ndodheshin në kuadrin  territorial të  luftimeve, sikur ishin shqiptarët, grekët, vllahët, bullgarët e sllavët përgjithësisht. Përderisa disa nga popujt e Ballkanit kishin krijuar  mbretëritë dhe aleancat e tyre, shqiptarët në atë kohë kishin krijuar vetëm principata, të cilat bëheshin pre e pushtuesve të ndryshëm.

“Guri i Betimit” është ndarë në gjashtë pjesë, që përfshijnë një periudhë kohore prej vitit 1345 deri në qershor të vitit 1389. Po ashtu, secila pjesë ka kryesisht nga pesë kapituj të inkorporuar në tërësinë e veprës,  që ndihmon lexuesit për të mos harruar rrjedhën e ngjarjeve.

 

Isuf Ismajli: Profesor, një ndër të veçantat e kësaj vepre është gjuha dhe dialogët e personazheve, sidomos në pjesët e para të romanit, gjuha shqipe e mesjetës. Ku qëndron arsyeja që jeni përcaktuar për këtë formë të komunikimit letrar?

 

Me qëllim të përshkrimit sa më autentik të ngjarjeve, në pjesët e para të veprës,  kam përdorur gjuhën arkaike të kohës, shqipen e pretenduar të kohës para  Gjon Buzukut, sidomos në dialogun e personazheve. Këtë metodë në komunikimin e personazheve e kam përdorur edhe në romanin historik, “Koha e jeniçerëve”.  Arsyeja pse unë jam përcaktuar për këtë mënyrë të komunikimit me lexuesin në radhë të parë ka të bëjë me faktin se gjuha shqipe ka qenë në komunikim mes shqiptarësh  gjatë Mesjetës, në Kosovë dhe të në gjitha principatat shqiptare. Fakti se nuk kemi dëshmi të shkruara të shqipes së asaj kohe, në Kosovë, nuk e përjashton praninë e komunikimit  në gjuhën shqipe, meqë dihet se gjuhë zyrtare ishte sllavishtja e vjetër ndërsa gjuha e kishës dhe e predikimit, ishte  në gjuhën latine dhe në gjuhën greke.

Kam bërë përpjekje që në këtë segment, vetëm në dialogë, ta vë në komunikim gjuhën arkaike të Gjon Buzukut, të “Mesharit” i cili është botuar në vitin 1555 e më pastaj tradita  ka vazhduar me Pjetër Budin, Frank Bardhin e të tjerë.

Po ashtu kjo mënyrë e rrëfimin nxit sadopak vëmendjen e lexuesit për ta “shijuar” atë gjuhë e cila megjithatë është e kuptueshme, por që ka edhe disa trajta arkaike, që e shtyjnë për të menduar.

Vepra në tërësi është një epope heroike-epike, një vepër e llojit të vet, që ka për bazë kronikën dhe kronologjinë e ngjarjeve, të cilat janë ndërlidhur me kujdes përmes një imagjinate produktive dhe aktive në përshkrimin e rrethanave ekzistuese, historike të kohës, duke inkorporuar shumë nga elementet realistë të jetës së personazheve në përshkrime të karaktereve, temperamenteve, mirësive e ligësive të tyre, aspiratave,  vuajtjeve, ndeshjeve të egra e me pasoja dhe tërë një botë që lëviz brenda, jo vetëm në Korpilian ( Kopiliq) dhe në Drenicë, por edhe në principatat shqiptare, në Pallatin e Dushanit, në Prizren, në Pallatin e Sulltanit në Adrianopojë, në Manastir, në hanet e Adrianopojës, në burgje dhe sheshe qytetesh, në fshatra e qytete, në kisha e manastire, në fushëbeteja e në jetën e përditshme. Është pasqyruar në lëvizje tërë një botë, e cila rrjedhë si kurorëzim i hulumtimeve të mia disavjeçare mbështetur  në qindra burime historike. Kam  lexuar dhjetëra mijëra faqe nga historia e asaj periudhe në gjuhën shqipe, serbe, greke, italiane, turke dhe kam hulumtuar e gjurmuar relikte e fakte fizike sidomos në fshatrat e Drenicës qendrore, si në: Kopiliq, Marinë, Prekaz, Rezallë, Likoc, Tushillë, Ticë, Llaushë, Kllodernicë, Vajanik, Terstenik, Abri e fshatra të tjera.

 

Isuf Ismajli: Cilët janë personazhet dhe si i keni kategorizuar ata?

 

Personazhet janë kryesisht historikë, personazhe të rrëfimeve popullore dhe të imagjinuar, meqë këta fundit, më kanë shërbyer për të bërë një ndërlidhje të ngjarjeve të asaj epopeje të kohës.

Një vend me rëndës iu kam kushtuar njerëzve të thjeshtë të dalë nga populli, të cilët kanë arritur të bëhen pjesë e historisë së qëndresës, me qëllim për ta ruajtur identitetin e dinjitetin njerëzor, pa aspiruar grada e favore, por thjesht për ta ruajtur jetën në liri, besën, mikpritjen fenë e të parëve dhe moralin e kohës. Po ashtu kam ndërtuar edhe një ta themi  “gardë” personazhesh nga gjiri i popullit si Damjan Tushiliani, (Damjanusi), Bdek Zografi, Mark Gjetani, Gjerasim Gjetani, Janina Nikoni, Prenk Nikollë Mati, Mark Elusiani, pastaj priftërinj të dalë nga gjiri i popullit, por edhe personazhe të botës tjetër kundërshtare.

Kam bërë përpjekje të  tipizojë edhe personazhe të shumta historike si Mirosh Nikollë Danai, mbreti serb Stefan, pastaj  mbreti Millutin,  Dushan, Sulltan Muradi i Parë, Sulltan Bajazidi, Mbreti, Llazar Hebrelani, Vuk Brankoviqi, Gjergj Ballsha i Dytë, Gjon Kastrioti,  Mojsi Arvanitasi, Vukashini e Uglesha, Haxhi Yllbegu, Lala Shahini, e shumë të tjerë.

Përmes këtyre personazheve kam bërë përpjekje të paraqes dimensionet historike, letrare e artistike, kryesisht brenda imazhit realist të kohës dhe hapësirës,  por duke inkorporuar edhe botën tjetër, veçmas atë të konspiracionit, spiunazhit, kurdisjeve e mbi të gjitha përpjekjet e Romës e të Vatikanit për të ruajtur zotërimet e tyre në trojet e Ballkanit  pas shkizmës së vitit 1053,  veçmas pas kryqëzatave dhe ballafaqimit me turqit.

Kronika historike letrare, “Guri i Betimit” është një vepër e veçantë në letërsinë shqipe, e cila trajton po ashtu një ngjarje madhore sikur ka qenë qëndresa heroike shqiptare kurdoherë gjatë së kaluarës historike, por edhe indolenca mjaft e shprehur për ta injoruar e për ta anashkaluar të kaluarën, për shkaqe të ndryshme, ideologjike, fetare e politike.

 

Isuf Ismajli: Një vend me rëndësi në këtë roman, i keni  kushtuar edhe Luftës së Kosovës së 15 qershorit të vitit 1389. Çka mund të na thoni për atë luftë dhe pasojat e saj?

 

Ajo që më që shumti më ka shtyrë të merrem me këtë temë dhe që ka qenë sfida ime kryesore mbi të gjitha dhe për çdo lëvdatë është mbamendja historike shqiptare, ajo mbamendje e rapsodëve popullorë, të cilët nga brezi në brez ruajtën rrëfimet e kënduara për Luftën e Kosovës, për trimat e asaj kohe dhe ngjarjet, që janë parë e transmetuar nëpër shekuj deri në ditët tona. Edhe në kohën tonë,  pas 630 vitesh rapsodët shqiptarë i këndojnë Luftës së Kosovës. Është vështirë e besueshme të mendohet apo të pretendohet se shqiptarët, madje shqiptarët me besim islam, të kishin ruajtur me shekuj një cikël  këngësh prej më shumë se tremijë vargjeve për  serbët e sllavët e mesjetës, me të cilët i vetmi fakt që i ka lidhur dhe i lidh është armiqësia e gjatë prej 13  shekujve. Asnjë këngë nuk kanë ruajtur shqiptarët për Luftën e Dytë të Kosovës, të vitit 1448, e cila kishte qenë edhe më katastrofale për Aleancën evropiane-ballkanike të krishterë dhe në të cilën nuk kishte marrë pjesë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, por as shumica e shqiptarëve të Kosovës.

Pse shqiptarët nga brezi në brez i kanë kënduar luftës së Kosovës, nëse nuk kanë qenë edhe vetë objekt dhe subjekt i asaj lufte. Është fat i madh historik, që rapsodët shqiptarë nuk e kanë harruar eposin e pashkruar, por po ashtu është fat që ishin udhëpërshkruesit e huaj ata që zbuluan të parët këto këngë si: Albert Lord, Margaret Hasluck, Glisha Elezoviq, pastaj mbledhësit shqiptarë të folklorit si: Anton Çetta, Gani Luboteni, si dhe variante popullore të ruajtura nga rapsodë anonimë në Malësinë e veriut të Shqipërisë dhe në disa vende të Kosovës e më gjerë.

Rrëfimi historik është pasuruar edhe me elemente e motive të rrëfimeve popullore, veçmas duke u mbështetur në disa variante të këngëve të eposit shqiptar, por edhe atij serb, duke i demitizuar disa të dhëna që nuk i qëndrojnë realitetit historik, sepse miti dhe historia  nuk janë e njëjta gjë, ndërsa  kam  bërë përpjekje edhe  për “çlirimin ” e tyre nga hiperbola, në gjendjen e besueshme reale, nga imagjinata e stërmadhimi  i motiveve, ato i kam “ulur në tokë”, në kufij të realitetit.

Pastaj në vëmendje të madhe i kam kushtuar dimensionit historik të luftës së Kosovës të vitit 1389, akuzave para betejës për tradhti drejtuar,  Milush Kopiliqit, tradhtisë së Vuk Brankoviqit e Gjergj Ballshës, vrasjes së Sulltan Mradit të Parë, prerjen e kokës së Milush Kopiliqit, vrasjes së mbretit Elezar Hebrelani,  pranimit të vasalitetit nga Vuk Brankoviqi dhe shumë të tjerë. Beteja është përshkruar me një dimension të gjerë në logun e luftimeve, në prapavijë, duke pasqyruar  veprimet luftarake, mashtrimet, sulmet e befasishme, pastaj tërheqjet, mësymjet e zhvillime të njohura, të bazuara edhe në dokumente e argumente historike të kohës.

 

Isuf Ismajli: Konsideroj se ky roman historik na kthen në një botë të veçantë, të cilën deri tani nuk e kemi njohur në këtë segment të vrojtimit dhe  pasuron letërsinë tonë me një temë të pa trajtuar në aspektin krijues letrar?

 

Përveç fakteve të njohura dhe dëshmive të shumta historike, në roman kam  ndërlidhur edhe të dhëna nga kujtesa e ruajtur për më shumë se gjashtë qind vjet, duke sjellë një botë mes historisë dhe imagjinatës, e cila është e ndërlidhur, por duke e paraqitur me  besueshmërinë e saj, në kohë e hapësirë  në radhë të parë në saje të fakteve të njohura, edhe të reja,  që janë rezultat i hulumtimit tim dhe kondenzimit të kësaj lënde, në një tërësi organike.

Guri i Betimit”, është një histori e rikthyer në kujtesë për Motin e Madh, për Mesjetën, e cila  në një kohë të caktuar, është  bërë përpjekje të harrohet, por koha e ka rikthyer, sepse koha lanë e shpërlanë të kaluarën  dhe është gjykatësi më i mirë dhe i pa zëvendësueshëm,  për të venë gjithçka në vendin e vet. Koha edhe mënon por kurrë nuk harron. Në mos më shumë ajo ruan fragmente, detaje, dromca, toponime, antroponime, të cilat  rikthejnë në kujtesë një të kaluar, sado e largët qoftë ajo. Toponimet e ruajtura gjatë shekujve si: Kroni i Mbretit dhe legjenda për rrjedhën e ujit nga guri, Gazimestani, Tyrbja e Sulltan Muradit të Parë, “Varri i pretenduar i Milush Kopiliqit në Rezallë”, “Bunari i Milloshit, në Kopiliq të Epërm dhe të Poshtëm, Kapella e varrezave të Mesjetës në Kopiliq të Epërm, Guri i Varrimit, në Likoc, janë fakte të mbetura fizike, që nuk mund të injorohen. “Guri i Kopiliqit” në Rezallë, Tri artefakte të kohës ilire romake, të gjetura në Kopiliq e që ruhen, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës,  në Skënderaj, nuk janë vetëm relikte por janë pjesa e mbetur fizike, janë “torzot”, fragmentet  që i kanë shpëtuar dhëmbit të pamëshirshëm të kohës së despotëve, vrastarëve e barbarëve.

Kjo vepër mbi të gjitha i kushtohet mbamendjes historike shqiptare, mbamendjes së rapsodëve popullorë, të cilët nga brezi në brez ruajtën rrëfimet e kënduara për Luftën e Kosovës, për trimat e asaj kohe dhe ngjarjet, që janë parë e transmetuar nëpër shekuj deri në ditët tona. Edhe në kohën tonë  pas 630 vitesh rapsodët shqiptarë i këndojnë Luftës së Kosovës. Është vështirë e besueshme të mendohet apo të pretendohet se shqiptarët, madje shqiptarët me besim islam, të kishin ruajtur me shekuj një cikël  prej më shumë se tremijë vargje për  serbët e sllavët e mesjetës, me të cilët i vetmi fakt që i ka lidhur dhe i lidh është armiqësia e gjatë, prej 13  shekujve.

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …