Nesip Kaçi: JANAQ PAÇO, EMBLEMA E SKULPTURËS MODERNE SHQIPTARE

Nesip Kaçi: JANAQ PAÇO, EMBLEMA E SKULPTURËS MODERNE SHQIPTARE

Për  ”Skulptorin e Popullit “  Janaq Paço janë shkruar  disa libra dhe monografi  nga autorë shqiptarë,  si Ylli Drishti, Gjergj Frashëri, Hivzi Muharremi, Suzana Varvarica, Nadire Buzo,  etj, të cilët, me të drejtë , i kanë ngritur në Apogje  veprat  e tij, duke e cilësuar Janaq Paçon, emblema e  skulpturës  moderne  shqiptare  apo “kalorës të skulpturës shqiptare”,i  cili mbetet një nga mjeshtrit më të mëdhenj të artit shqiptar.

       Ai u  lind më 14 mars 1914 në Konicë, qytet në Greqinë veriore pjesë e Prefekturës së Janinës, ku prej vitesh punonte i ati, i ardhur familjarisht nga fshati Badëlonjë e Përmetit. Ndërroi  jetë në Tiranë  në moshën 77 vjeçare më 11 korrik 1991. Në vitin 1925, kur Janaqi ishte 11 vjeç, familja  e tij u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Tiranë. Janaq Paço mbaroi shkollën e mesme në Selanik, në vitin 1933 fitoi   konkursin e arteve të bukura  në Akademinë e Athinës dhe atje vazhdoi  studimet për skulpturë. Më 1924 ai fitoi medaljen e artë në garat e artit dhe shkëlqen në punën e diplomës. Paço ishte një realist i madh. Me kthimin në atdhe në vitin 1941 punoi në Tiranë mësues  vizatimi  në një shkollë të mesme dhe më  pas  mësues  skulpture në Liceun Artistik “ Jordan Misja”, deri sa doli në pension .  Janaq Paço sëbashku me “Skulptorin e Popullit” Odhise Paskali , që të dy përmetarë, ishin themeluesit e degës së skulpturës në Liceun Artistik  në Tiranë. Veprat ePaços  nga 1945 -1960 janë figura kombëtare, si  Fan Noli , Qemal Stafa, Avni Rustemi,  Hoxha Hasan Tahsin, etj, që janë ekspozuar e jetësuar në  hapësira publike në vendin tonë.    Vepra monumentale historike e Paços përbën një  vepër themelore në artin tonë të skulpturës qytetare  në gjysmën e dytë të  shekullit të 20, ka shkruar studiuesi  dhe arqitekti i mirënjohur,  Gjerg j Frashëri. Po ky autor na kujton se nga viti 1949 deri  më 1959, Janaq Paco  punoi  për monumentin  e  Skënderbeut , duke i dhënë   kombit  tonë   veprën më të arritur për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti, 12 metra i lartë së bashku me bazamentin, i  hedhur në bronz në Budapest, i asistuar nga vetë autori, i cili është imazhi  më i bukur dhe më i arritur artistikisht kushtuar heroit nga artistët shqiptarë që trajtuan këtë figurë. Monumenti i Skënderbeut në Krujë është i paarritshëm deri më sot dhe  është ai  i përfytyrimit  të të gjithë shqiptarëve, prandaj themi se Janaq Paço është  një eminencë,  një lartësi e skulpturës shqiptare. Konfiguracioni artistik i kapur në një moment  të caktuar, duke shkaktuar efektin estetik më të thellë të një luftëtari , shkruan studiuesja e artit Nadire Buzo, në një profil të gjatë kushtuar Paços, i cili  është  një  zë i veçantë i skulpturës  moderne  shqiptare.

       Në moshën 70 vjeçare  Janaq Paço dekorohet me medaljjen “ Skulptor i Popullit”.  Monumenti  gjenial i Skënderbeut në  Krujë  është  frymëzuar  nga poeti  Naim Frashëri  për të realizuar monumentin më të mirë ekuestër për heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu  të vendosur në Krujë më 27 nëntor 1969, pas një pune dhjetëvjeçare. Pas përurimit të monumentit ekuestër të Skënderbeut  në Krujë , eruditi Fan Noli  në letrën e tij të falenderimit shkroi  nga Kisha Autoqefale e Bostonit se ky monument  u realizua  mjeshtërisht  nga një prej baballarëve të skulpturës  monumentale shqiptare, skulptori  Janaq Paço.

        Në vitin 2001, monumenti i Skënderbeut, kopje e atij të Krujës, që bëri dora e artë e Janaq Paços, u vendos  në Prishtinë , në prani  të  presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe mijra e mijra kosovarëve, që e pritën  monumentin  e Shkënderbeut në Prishtinë krahë hapur. Me këtë rast    presidenti  legjendar  Ibrahim Rugova  i ngjiti në bazament  monumentit  të Gjergj  Kastriotit  në Prishtinë një pllakë floriri  të pregatitur nga  miniera  e Trepçes, kjo pllakë floriri ka një  domethënie  shpirtërore për Gjergj  Kastriotin por edhe për Janaq Paçon.  Kosovarët e shoqëruan  monumentin e Skënderbeut  që kur hyri në Kosovë e deri në Prishtinë, se ishte i zbuluar, me brohoritje të pandërprera  dhe turmat e tyre  në Prishtinë arritën kulmin me brohoritmat  dhe këngët :  Skënderbe- Skënderbe, sa i bukur je, Skënderbe- Skënderbe mirëse na erdhe,  kishin vite që e prisnin kosovarët  Heroin Kombëtar të shqiptarisë dhe ja dita erdhi.

       Gjatë jetës së tij artistike skulptori Paço, realizoi tri vepra monumentale kushtuar Skënderbeut:  monumentin e Skënderbeut në Krujë ( 1949- 1959), monumentin e Skënderbeut  në Tiranë ( 1964- 1968), bashkëautor me Odhise Paskalin  dhe Andrea Manon dhe grupin skulpturor  me titull  “Skënderbeu dhe   populli”( 1979-1982) në bashkëautorësi me Genc  Hajdarin, vendosur  në hollin e Muzeut Kombëtar  Gjergj Kastrioti në Krujë.  Studiuesi Ylli Drishti shkruan se skulptori Janaq Paço  e modernizoi  artin e skulpturës duke sjellë natyrshëm  “ aromën”  e një arti të rafinuar dhe  mjaft  elegant.

       Në vitin 1960 Janaq Paço hapi ekspozitën e parë vetjake , ku spikasin  skulpturat për  piktorin Vangjush Mio, shkrimtarin Sterio Spasse, portrete të fëmijve, portrete artistësh, ku shkëlqen  skulptura e Aleksandër  Moisiut, që u vendos në qytetin e Kavajës, vendlindja  e artistit të madh.

       Më 1973 Janaq Paço  përfundon  “ Gladiatorët”, 3.5 metër  të lartë, të parashikuar  për t’u vendosur  në hyrje të Amfiteatrit  antik të Durrësit.  “Gladiatorët” qëndrojnë  përballë  njeri –tjetrit  tashmë në Durrës, por fatkeqësisht  të  deformuar keqas nga një restaurim joprofesional. Paço në fundin e jetës së tij  krijoi “ Vajza me ruaza”, një nga  skulpturat më të bukura  të  artit të viteve  1989. Portreti i Zadrimores  është një  mrekulli  e skulpturës së asaj kohe, që nxorri Janaq Paço nga duart e tij.

        Paço konsiderohet  si  themeluesi  i skulpturës dhe i shkollës së nudos  në Shqipëri. Në  vitet  ’70-’90 realizon një cikël nudosh, të cilat më 1975 do t’i thyente  me dorën e tij. Thyerja e 15 nudove ishte një goditje  shumë e rëndë që i shkaktoi  traumën  më të madhe të jetës së tij, veçanërisht  kur e çuan në Uzinën e Traktorëve për të vuajtur dënimin pas thyerjes së nudove, të cilën ai e bëri kur i thanë : Thyej vetë  nudot , se po t’i thyem ne,  do të të thyejmë edhe kokën.  Dhe me këtë traum , ky  skulptor gjenial  iku nga kjo botë, duke na lënë  tre  skulpturat më madhështore  për Skënderbeun, skulpturat më ideale për Aleksandër Moisiun, Fan Nolin, Avni  Rustemin, “ Vajza me ruaza”, portretin e Zadrimores,   “Gladiatorët” , Qemal Stafës, Vangjush Mios, Hoxha Hasan Tasinit, Sami Frashërit, Aleksandër Xhuvanit, e shumë të tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: DIMENSIONI HISTORIK DHE KULTUROR I KËNGËVE TË HAKMARRJES NË LIBRIN E ADEM ZEJNULLAHUT

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: DIMENSIONI HISTORIK DHE KULTUROR I KËNGËVE TË HAKMARRJES NË LIBRIN E ADEM ZEJNULLAHUT

(Prof. dr. Adem Zejnullahu, Këngë popullore të hakmarrjes, VII, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2024) Teksa profesori …