Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta dekreton kryeministrin Edi Rama, për të pasuar në postin e ministrit të Punëve të Jashtme

Nesip Kaçi: Rusia ka luajtur gjithnjë në kartën e Serbisë dhe anasjelltas I

(Shënime dhe analiza të diplomatit dhe politikanit, Shaqir Vukaj)

Ideja dhe dëshira për t’u marrë me këtë temë është e kahershme, shkruan në librin dhe veprën e tij me titull “Rusia dhe Kosova” autori Shaqir Vukaj, por ajo që më nxiti më tepër ishte botimi i librit të autorit ruso-sovjetik A.M.Selishçev në 1981, me titull “Popullsia sllave në Shqipëri”. Nuk kisha lexuar deri atëhere libër më antishqiptar. Që atëhere më lindi ideja të merrem me qëndrimin e Rusisë ndaj çështjes sonë kombëtare.

Për ata që nuk e njohin, shënojmë se zoti Shaqir Vukaj ka një aktivitet të gjerë politik e diplomatik. Ka qënë tre herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Nënkryetar i Kuvendit, Ministër i Mbrojtjes, Ministër i Tregtisë dhe Turizmit, ambasador në Çeki, Bullgari dhe Rusi.

Jeta e solli që në verën e vitit 1998 Shaqir Vukaj të jetë ambasadori i Shqipërisë në Moskë, në Federatën Ruse, kur iu kthye përsëri këtij problemi, tashmë në një terren konkret dhe kur çështja shqiptare ishte shtruar për zgjidhje. Puna në Moskë i jepte të gjitha mundësitë për t’u njohur sa më mirë me qëndrimet zyrtare të Rusisë, me dokumenta të hershme dhe të sotme, që hedhin dritë ndaj veprimeve dhe pozicioneve e qëndrimeve të autoriteteve dhe qeverisë ruse ndaj çështjes sonë kombëtare dhe në veçanti ndaj problemit të Kosovës e trojeve shqiptare në Jugosllavi. Ka patur një favor të madh në përmbushjen e këtij misioni se njihte mirë gjuhën ruse, kjo i ka dhënë mundësi të njihej direkt dhe pa përkthyes me dokumentacionin dhe arshivat ruse. Kur shkoi në Moskë me detyrën e ambasadorit i njihte punët e ambasadës, nuk ishte i ri në profesionin e diplomatit, kishte punuar gjashtë vjet titullar, I ngarkuar me Punë, në ambasadën e Shipërisë në Sofje , Bullgari, 1978 deri 1984. Mbajtja e ditarit ka qënë në natyrën e punës së tij. Libri „Rusia dhe Kosova“ përmban 671 faqe, dhe hapet me kapitullin Rusia dhe Ballkani, ku theksohet se prej shumë kohësh, Ballkani ka tërhequr vëmendjen e Rusisë, për të cilën kontrolli mbi Ballkanin do të thotë kontroll mbi gjithë basenin e Mesdheut dhe të detit të Zi, në veçanti mbi detin Adriatik dhe detin Egje, si dhe mbi ngushticën e Bosforit dhe Dardaneleve. Pas rënies së Konstantinopolit dhe pushtimit të Ballkanit nga Perandoria Osmane, Ballkani u bë një ndër drejtimet kryesore të politikës së jashtme të Rusisë. Luftërat e pandërprera të Rusisë me Turqinë gjatë shekujve XVIII e XIX dhe deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore, janë zhvilluar në radhë të parë për Ballkanin. Gjatë shekujve të fundit asnjë ngjarje e madhe në Ballkan nuk është zhvilluar pa pjesëmarrjen e Rusisë. Gjatë dy shekujve të fundit janë zhvilluar nëntë lufta midis Rusisë dhe Turqisë që kanë qenë të lidhura dhe në funksion të Gadishullit të Ballkanit. Që në fillim të shekullit XIX (kryengritja serbe e vitit 1804-1812) e deri në ditët e sotme, me ngjarjet e Kosovës, Rusia ka qenë e pranishme në Ballkan, madje duke u përpjekur të luajë rol kryesor,kartën e Serbisë. Sipas historiografisë ruse, për herë të parë Rusia ka ndërhyrë ushtarakisht në Ballkan në vitin 1806, kur njësitë ushtarake ruse shkuan në ndihmë të serbëve në kryengritjen e tyre antiturke. Përsëri në kryengritjen e dyte serbe antiturke, në vitin 1815, ndërhyri Rusia. Krijimi i shteteve të vogla në Ballkan, nën në ndikimin e Rusisë e të lidhura me të, ishte mënyra më e mirë për realizimin e qëllimeve të saj në Ballkan dhe në këto përpjekje, vendin kryesor e zinin popujt sllavë të Ballkanit, apo Sllavët e Jugut, si dhe ata ortodoksë, ku serbët kanë qenë dhe mbetën më të preferuarit e Rusisë. Në të gjitha këto plane, Shqipëria nuk përmemdej, sepse Rusia nuk parashikonte krijimin e një shteti shqiptar. Nuk është e rastit që shqiptarët ajo i identifikonte me turqit  (myslimanët) dhe otodoksët me grekët. Për Rusinë e asaj kohe, shqiptarët ishin disa barinj që nuk meritonin dhe nuk duhej të kishin shtetin e tyre. Në asnjë rast Rusia nuk doli në mbrojtje të shqiptarëve. Petersburgu nuk kishte asnjë kundërshtim që tokat shqiptare të ndaheshin midis Serbisë e Malit të Zi dhe Greqisë.

Federatë ballkanikë apo perandori sllave, është kapitulli i dytë i librit.

 Ideja e krijimit të Federatës Ballkanike ka lindur që në fillim të shekullit të kaluar, në periudhën kur shtetet e reja ballkanike filluan të dalin hapur me pretendime territoriale, jo vetëm ndaj tokave të perandorisë së shpërbërë turke, por edhe ndaj njeri-tjetrit. Në këtë situatë, sipas mendimit të disa politikanëve, mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve e mosmarrëveshjeve ishte bashkimi i popujve ballkanikë në një shtet federativ ballkanik. Paralel me këtë, ishte hedhur ideja e përpunohej varianti i formimit të një krijese ballkanike mbi bazën e Maqedonisë historiko-gjeografike, ku jetonin të përzierë popuj të ndryshëm. Varianti federativ maqedon kishte si qëllim të neutralizonte pretendimet e Serbisë, të Greqisë e të Bullgarisë ndaj kësaj hapësire multietnike që historikisht quhej Maqedoni dhe që konsiderohej si ‘’molla e sherrit’’ e Ballkanit. Përsa i përket Maqedonisë gjeografike, lidhur me identifikimin etnik të popullsisë së saj sllave dhe asaj myslimane që jetonte aty, shpreheshin pikëpamje e mendime të ndryshme që çonin edhe në mosmarrëveshje e armiqësi. Lidhur me popullsinë myslimane, secila palë thoshte se janë turq, serbë, bullgarë apo grekë të myslimanizuar. Asnjëra palë nuk thoshte të vërtetën se shumica dërmuese e tyre ishte shqiptare, që historikisht jetonin në tokat e tyre shqiptare. Siç ka ndodhur vazhdimisht në historinë e vendeve fqinje, shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë, sipas tyre, detyrimisht duhej të ishin ose sllavë ose grekë. Teza, se ata janë popullsi serbe, maqedone, bullgare apo greke të myslimanizuar, ka dominuar historiografinë dhe politikën ruse deri në ditët e sotme. Në kuadrin e ideve e propozimeve për Federatën Ballkanike ka egzistuar edhe një projekt tjetër, ai i krijimit të një federate, ku do të bashkoheshin të gjithë popujt sllavë të Ballkanit. Në shekullin e XX ideologët e doktrinës pansllaviste shkuan edhe më tej. Ata dolën me parullën e një aleance politike, madje të një shteti të bashkuar të të gjithë sllavëve dhe ortodoksëve. Sipas llogarive ruse ky shtet i bashkuar duhej të dominohej nga ortodoksia, që ishte besimi kryesor i Rusisë. Rusia është angazhuar  për të ndërtuar  një Ballkan të bazuar në idetë e pansllavizmit, duke u mbështetur tek Serbia. Pas fitores së Revolucionit të Tetorit në Rusi më 1917, ideja e bashkimit të sllavëve ka qënë e pranishme në politikën e jashtme të Bashkimit Sovjetik. Veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo u përhap shumë dhe mbi këtë bazë u krijuan komitete pansllave dhe përsëri filluan të përpunoheshin projekte për Federatën Ballkanike. Më e zellshmja dhe më aktivja ishte Partia Komuniste Jugosllave, e cila pretendonte të kishte rolin e qendrës. Shfaqjet e para të një pretendimi të tillë u dukën haptazi në fund të vitit 1942 dhe fillimi i vitit 1943 në propozimin e S.V. Tempos për krijimin e një komande të përbashkët të lëvizjeve partizane të Jugosllavisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë, të udhëhequr nga komunistët. Krijimi i këtij shtabi do të hapte rrugën për krijimin e “pushtetit popullor demokratik“ në secilin vend, si edhe “ për krijimin e Konfederatës Ballkanike“. Tempo këtë propozim nuk e bëri me inisjativën e vet por sipas planeve dhe udhëzimeve të Titos. Futja e lëvizjeve partizane të popujve ballkanikë nën drejtimin e Shtabit Ballkanik, ishte i lidhur dhe hapi i parë drejt Federatës së ardhëshme Ballkanike. Hapi i dyte ishte vendimi i KQ të kësaj partie i datës 18 tetor 1943 ku thuhej se Komiteti Kombëtar i Çlirimit të Jugosllavisë, që së shpejti do kthehet në Qeveri e Jugosllavisë së re  formulon qëllimin e krijimit të Federatës së Sllavëve të Jugut, do me thënë të bashkimit federativ të popujve të Jugosllavisë dhe Bullgarisë, si dhe thirrjet e posaçme drejtuar popujve grekë dhe shqiptarë.Me anën e Konfederatës Ballkanike Titua kish për qëllim të zgjidhte disa probleme tepër të rëndësishme për Jugosllavinë e pasluftës, e cila trashëgonte teritore me popullsi etnike, të pushtuara ose të dhëna padrejtësisht Serbisë, Malit të Zi, apo vetë Jugosllavisë së krijuar mbas Luftës së Parë Botërore, siç ishin problemi i Maqedonisë Perëndimore (me popullsi dominuese shqiptare), Maqedonisë së Egjeut (me popullsi dominuese greke), Maqedonisë së Pirinit (me popullsi bullgare sipas bullgarëve, serbe sipas nacionalistëve serbë, maqedone sipas vetë maqedonëve), Kosovës (me popullsi dominuese shqiptare), krahinave të Ulqinit, Hotit, Plavës, Gucisë etj (me popullsi dominuese shqiptare) në Mal të Zi, Preshevës , Medvegjës , Bujanovcit (me popullsi dominuese shqiptare) në Serbi, Vojvodinës (krahinë e populluar në shumicë me hungarezë në atë kohë) në Serbi etj. Nëpërmjet Konfederatës Ballkanike Titua llogariste të zgjidhte njëherë e mirë  problemin e Maqedonisë dhe të Kosovës dhe të gjithë territoreve shqiptare jashtë Kosovës. Sipas Titos dhe pasuesve të tij, në këtë krijesë ballkanike qendra dhe roli kryesor do t’i takonte Jugosllavisë. Në fillim të vitit 1944, duke iu drejtuar shqiptarëve, udhëheqja jugosllavëe kërkonte që në Federatën Jugosllave të futeshin edhe popuj të tjerë për krijimin e një shteti të fuqishëm federativ ballkanik të popujve të barabartë. Kjo binte ndesh me interesat e grekëve dhe bullgarëve etj. Dimitrovi kishte pakënaqësi ndaj Titos lidhur me planet dhe projektet e Titos për Ballkanin, por që nuk i shfaqte hapur. Në letrën që i dërgonte udhëheqjes sovjetike për krijimin e Federatës Ballkanike dhe atë të Sllavëve të Jugut, Dimitrovi  shkruante : “ …të flasësh tani për krijimin e Federatës së Sllavëve të Jugut, mbi bazën e të drejtave të barabarta, gjithçka do të varet nga një mori faktorësh, akoma të panjohur, por kjo parullë tani, për mendimin tim, është e parakohshme e ndoshta e dëmshme. Informacionet e Dimitrovit nuk ngjallën reagime negative në udhëheqjen sovjetike. Ndërkaq udhëheqja jugosllave me Titon në krye, bëri hapin tjetër. Më 2 gusht 1944 konstituoi njësinë federale maqedone në përbërjen e Jugosllavisë së re. Por kjo i përkiste vetëm Maqedonisë vardare (jugosllave). Pra ende pa mbaruar lufta, udhëheqja jugosllave vendoste edhe për tokat shqiptare e popullsinë dominuese shqiptare të Maqedonise perëndimore dhe në këtë mënyrë i ndante nga vëllezërit e tyre në Kosovë, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, me të cilët ishin të lidhur në vazhdimësi gjeografike, ashtu si me të gjitha tokat shqiptare e që mbas disa muajsh do të përfshiheshin brenda Serbisë së ngushtë apo brenda vetë Serbisë.

 Moska dhe çështja shqiptare në kuadrin e Federatës ballkanike, është kapitulli tjetër i këtij libri. Në gjysmën e dytë të shtatorit 1944 Titua bëri një vizitë sekrete në Bashkimin Sovjetik, ku krahas  problemeve të tjera u gjet vendi dhe koha të shtrohej dhe problemi i Federatës Ballkanike. Eduard Kardel (me kombësi sllovene) në kujtimet e veta shkruan se inisjativa për krijimin e Federatës Ballkanike ka qënë e Stalinit. Ai e ka ngritur këtë problem në takimin me Titon në shtator 1944, mbasi kishte marrë më parë aprovimin e Dimitrovit. Sipas disa autorëve, në fund të nëntorit kur jugosllavët dhe bullgarët filluan punën bashkërisht për hartimin e marrëveshjes, Stalini u ka folur përfaqësuesve jugosllavë për domosdoshmërinë e shpejtimit të proçesit të krijimit të federatës. Në prag të Konferencës së Jaltës,më 9 janar 1945, një delegacion jugosllav i kryesuar nga A.Hebrang, njeri prej drejtuesve të PKJ, i ngarkuar me plotfuqishmëri speciale nga Tito, u prit në një takim të posaçëm nga Stalini. Në këtë takim, për herë të parë, kryetari i delegacionit jugosllav parashtroi para udhëheqjes sovjetike pretendimet territoriale të Jugosllavisë ndaj Greqisë, Rumanisë, Hungarisë, Austrisë, Italisë, pa folur për Shqipërinë e Bullgarinë, që ajo llogariste t’i përfshinte brënda kufijve të vet, pra në formë republikash të 7-ta apo të 8-ta. Parashtrimi i pretendimeve jugosllave bëhej për mbështetje e ndihmë që jugosllavët kërkonin nga Bashkimi Sovjetik për realizimin e ëndrave të Beogradit, që tani ia kalonin edhe atyre të paraluftës. Qëndrimi i Stalinit ishte i prerë e kategorik. Ai i tha Hebrangut : “ Po krijoni një situatë ku ju do të jeni në pozita armiqësore me Rumaninë , Hungarinë , Greqinë dhe se po përgatiteni të luftoni me të gjithë botën. Nuk ka kuptim të krijoni një situatë të tillë. Pretendimet jugosllave krijuan një shije të keqe te Stalini, ai shihte  krijimin e një shteti  të fuqishëm jugosllav që do dominonte Ballkanin e më gjerë e që mund të bëhej rivali i Bashkimit Sovjetik, shihte një shtet me ambicie imperialiste, që si aleati më i ngushtë i tij në Ballkan, do t’i krijonte probleme me aleatët amerikanë dhe anglezë, nga njera anë  dhe me vendet e popujt ballkanikë, nga ana tjetër. Duke parë qëndrimin e prerë të Stalinit, jugosllavët ndërruan taktikë.Takimi i Stalinit me Hebrangun ka rëndësi të veçantë për çështjen shqiptare. Gjatë këtij takimi Stalini u interesua për Shqipërinë  (ashtu siç kishte bërë edhe në takimin me Gjilasin), por tashmë në një plan tjetër, për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, për Qeverinë e Përkohshme Shqiptare, për ushtrinë shqiptare të sapodalë nga lufta. Hebrangu i tha Stalinit se shqiptarët janë  miqtë më të mirë të Jugosllavisë, se para pak kohësh, gjatë vizitës së një delegacioni shqiptar në Beograd, ishte hartuar Traktati i Ndihmës Reciproke midis dy vendeve, ishte nënëshkruar një marrëveshje tregtare. Në vazhdim Stalini porositi që Jugosllavia  duhet t’i plotësojë përgjegjësitë e saj. Ai porositi që për marrëdhëniet me Shqipërinë  duhet pritur, duhet menduar. Sipas tij ishte vepruar mirë që Traktati nuk ishte ratifikuar dhe nuk ishte shpallur dhe këshilloi që ai të mbahet sekret deri në muajin shkurt. Hebrangu nuk foli asnjë fjalë për situatën e rëndë në tokat shqiptare në Jugosllavi e për terrorin kundër shqiptarëve, vrasjet, burgosjet, torturat, shpërnguljet massive në Turqi etj.

Ai as nuk e zuri në gojë kundërshtimin e vendosur të shqiptarëve, veçanërisht atyre të Kosovës kundër rregjimit të ri jugosllav, që ndonse me emërtime demokratike e popullore, filloi të sillej njëlloj, në mos më keq se rregjimi i paraluftës. Pikërisht në janar, kur Hebrangu i fliste Stalinit për shqiptarët, si miqtë më të mirë të Jugosllavisë, ushtria jugosllave vriste e masakronte mijëra shqiptarë nën pretekstin e “kundërrevolucionit’’ të parë shqiptar. Pak ditë pas këtij takimi, pikërisht ato ditë kur në Jaltë po zhvillohej takimi i Rusveltit, Stalinit dhe Çërçillit, udhëheqja jugosllave shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe kreu masakrën e parë masive kundër shqiptarëve. Shumë shtete e kufij u zunë në gojë në Jaltë, por asnjë fjalë nuk u tha për padrejtësitë që ishin bërë në të kaluarën për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë, duke lënë jashtë saj më shumë se gjysmën e tokave shqiptare. Pikërisht ato ditë, në shkurt të vitit 1945, udhëheqja jugosllave, me qëllime tepër dinake, nën pretekstin e krijimit të shtetit federativ vendosi t’i ndajë e t’i coptojë shqiptarët e Jugosllavisë në tri republika, ose thënë më shqip në katër pjesë. Coptimi i trojeve shqiptare brenda Jugosllavisë ishte një ndër veprimet më antishqiptare të udhëheqjes jugosllave. Trevat shqiptare, që ishin një tërësi etnike, historike, gjuhësore, kulturore midis tyre e në vijimësi gjeografike u ndanë në katër pjesë. Kosova iu dha Serbisë, trevat shqiptare të Shqipërisë lindore ose e ashtuquajtura Maqedoni perëndimore iu dhanë Maqedonisë, trevat shqiptare nga gryka e Bunës deri në kufi me Kosovën iu dhanë Malit të Zi, ndërsa Kosova lindore ( Bujanovci, Presheva dhe Medvegja) u përfshinë brenda Serbisë së ngushtë. Duke i mbajtur shqiptarët të ndarë, secila republikë, serbe maqedone apo malazeze, do ta kishte më të lehtë “ t’i bënte zap’’. Në Jugosllavinë e Titos fituan idetë antishqiptare dhe antinjerëzore të Çubrilloviçit, të shprehura prej tij në Klubin e Beogradit në vitin 1938 në leksionin “Shpërngulja e Shqiptarëve”.

Studiuesja e njohur ruse e çështjeve shqiptare, Prof. Dr. Nina Smirnova, disa herë është marrë me zhvillimet në Kosovë. Ajo në disa studime të saj ka demaskuar veprimtarinë e V. Çubrilloviçit, që në thelb shprehnin deportimin, përzënien e një million shqiptarëve nga trojet e tyre etnike për në Turqi, si dhe vrasjen e nje milion shqiptarëve të tjerë nëpërmjet masakrave të përgjakshme,që do kryheshin nga ushtria serbo- malazeze, duke e pastruar nga shqiptarët plotësisht Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare. Ajo shkruan se, “ky akademik” që u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik në vitin 1976, veprimtarinë e tij antishqiptare e ka vazhduar edhe më vonë dhe në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ai paraqiti një variant të ri për domosdoshmërinë e ndryshimit të përbërjes etnike të Kosovës.  Në nëntor të vitit 1944, shkruan Smirnova, V, Çubrilloviç iu drejtua me një letër J.B.Titos, E. Kardelit dhe M.Gjilasit, ku, nëpërmjet të tjerave shkruante: “Kosova dhe Metohia, këto rajone e ndajnë Malin e Zi nga Serbia dhe të dyja nga Maqedonia. Këto toka të Jugosllavisë Federative nuk kanë lidhje të sigurt mes tyre, përderisa të mos kenë një kufi të përbashkët etnik”. Në Jugosllavinë e re, shkruan Smirnova, fituan idetë e Grashaninit dhe të famëkeqes Naçertanie, që ideonte shtrirjen e Serbisë jashtë kufijve të saj, në Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Bosnjë-Herzegovinë, etj. Siç del nga materialet e botuara kohët e fundit në Rusi dhe në ish-Jugosllavi, në këtë periudhë, Moska kishte dërguar shumë këshilltarë, që krahas të tjerave ndihmonin e jepnin kontributin e tyre për ndërtimin e shtetit federativ jugosllav mbi bazën e përvojës së Bashkimit Sovjetik. Nuk ka ende të dhëna nëse ata janë marrë e kanë kontribuar për coptimin e tokave shqiptare e ndarjen e shqiptarëve në Jugosllavi, por siç del nga materialet, që ndodhen në arkivat ruse, ata kanë dërguar vazhdimisht informacione për atë që po ndodhte në tokat shqiptare dhe për kundërshtimet e rezistencën e shqiptarëve, madje dhe me armë. Fakti që Moska ka qënë e informuar për shtypjen e masakrimet e shqiptarëve në Jugosllavi dhe ka heshtur, nuk ka ndërhyrë por e ka konsideruar si çështje të brendëshme të Jugosllavisë, flet qartë se  Rusia, duke qëndruar larg çështjes shqiptare, ka mbajtur krahun e Serbisë, mbështetur në idetë e doktrinës pansllaviste dhe ky qëndrim ka qënë i pranishëm dhe ka dominuar politikën ruse. Kjo u duk qartë, edhe në qëndrimin e saj ndaj ngjarjeve në Kosovë në pranverën e vitit 1999.

Moska dhe çështja shqiptare në periudhën 1944-1948, është kapitulli në vijim i librit “Rusia dhe Kosova” i diplomatit dhe politikanit Shaqir Vukaj. Gjatë Luftës së Dytë Botërore e veçanërisht në fund të saj, u rrit interesimi i udhëheqjes sovjetike për Shqipërinë, interesim që duhet parë në kuadrin e realizimit të qëllimeve ruse në Ballkan. Përfaqësuesi i parë zyrtar i Bashkimit Sovjetik, majori Ivanov, zbarkoi në Shqipëri shumë vonë, pothuajse në fund të luftës, në gusht të vitit 1944. Luftën e popullit shqiptar e në përgjithësi zhvillimet në Shqipëri, Moska i merrte vesh nëpërmjet Beogradit dhe lidhjet midis Moskës dhe Tiranës realizoheshin nëpërmjet jugosllavëve. Fillimisht, vetë udhëheqësi kryesor i Bashkimit Sovjetik J.V. Stalin, ishte për këto lloj marrëdhëniesh, madje, ai në atë periudhë nuk ishte as kundër pikëpamjes jugosllave për ta përfshirë Shqipërinë brenda Federatës Jugosllave. Por më vonë, ai u egërsua kur pa që jugosllavët donin të kishin në duartë e tyre marrëdhëniet sovjeto-shqiptare. Ai, me kohë, filloi të shfaqte interesim për Shqipqrinë. Kështu në takimin me Millovan Gjillasin, një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos, në prill të vitit 1944 u interesua për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjatë takimit Stalini e pyeti atë se ç’ndodh në Shqipëri në të vërtetë? Ç’është ky popull? Mbas shpjegimit të Gjilasit, se në Shqipëri  është pak a shumë e njëjta situatë si në Jugosllavi, ai i shpjegoi Stalinit, se shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër në Ballkan, madje më të vjetër edhe se sllavët. Pyetja se nga i kanë marrë shqiptarët disa emërtime sllave të vendbanimeve të tyre, tregon se Stalini nuk ishte krejt i paditur për Shqipërinë. Fakti që, as Gjilasi as Hebrangu, e as ndonjë personalitet i lartë jugosllav nuk i kishte thënë asgjë Stalinit se në planet e veta udhëheqja jugosllave kishte dhe përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave, për të cilat Stalini kishte të dhëna nga këshilltarët e zbuluesit sovjetikë, që punonin në atë periudhë në Jugosllavi, kishin rritur dyshimet tek Stalini, se mbas këtyre veprimeve diçka fshihej. Jo thjesht përfshirja e Shqipërisë e bënte atë dyshues, por mënyra si vepronte Tito, mungesa e sinqeritetit dhe fshehja prej tij dhe udhëheqjes sovjetike e këtyre veprimeve e bënin atë të ishte më i vëmendshëm ndaj veprimeve të jugosllavëve.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …