Nexhmi Lajçi: Fjalë përkujtimore në përvjetorin e vrasjes nga UNMIK-ku të luftëtarit të lirisë Esat Ramë Tahiraj

Nexhmi Lajçi: Fjalë përkujtimore në përvjetorin e vrasjes nga UNMIK-ku të luftëtarit të lirisë Esat Ramë Tahiraj

Esat Tahiraj ishte njëri ndër bashkëluftëtarët tanë më trima dhe më vetëmohues. Në rrugën e një luftëtari të devotshëm për lirinë e Kosovës ai u nis herët kur ai ishte nxënës, Serbia depononte në Kosovë urrejtje të pakufishme ndëretnike, duke insektuar krime, duke bërë krime, e duke e kërcënuar popullin e pushtuar shqiptarë me krime çnjerëzore të papara.

Serbia përpiqej që bashkë me bijtë më të mirë të popullit shqiptarë të vriste edhe shpirtin liridashës të këtij populli. Këtë nuk e arriti dot, sepse djemtë si Esati asnjëherë nuk u pajtuan me dhunën shtetërore, as të Titos e Rankoviçit, as të Millosheviqit e pasardhësve të tij. Burgjet jugosllave e serbe nuk u zbrazën kurrë nga shqiptarët, as toka e Kosovës nuk u tha kurrë nga gjaku i bijve të vet.

I edukuar në një rreth ku fryma gjallëruese e jetës ishte fryma atdhetare, Esati ishte i përgatitur që ta ndante të mirën nga e keqja, ta ndante të dobishmen nga e dëmshmja…..Prandaj pa hezituar, bashkë me të vëllain Shaqirin, i bashkuan armët me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ta bërë luftën e fundit, më vendimtaren, për lirinë e Kosovës. E kishte rrokur pushkën për ta përzënë Serbinë nga Kosova, për ta mundur edhe politikisht më në fund Serbinë, për ta vendosur pushtetin e paqes në Kosovë, ku nuk do të vriteshin fëmijët, ku nuk do të vriteshin prindërit, ku nuk do të vriteshin vlerat.

Esati dhe të gjithë ne kishim luftuar për kauzën e paqes. Edhe ai, si dëshmorët e tjerë, kishte menduar se “Ky çmim i lartë që populli ynë po e paguante me gjak, do ta vetëdijësonte diplomacinë botërore që t’i përmirësonte gabimet e bëra nëpër konferenca të “paqes” ndaj nesh si popull i vogël. Entuziazmohej shumë për lirinë.

Rezoluta 1244, vendosja e administrimit civil ndërkombëtar, imponimi i proceseve të disfavorshme për Kosovën, ishin njëmijë e dyqind e katërdhjetë e katër thyerje shpresash për lirinë për të cilën kishim bërë dhjetëfish më shumë sakrifica.

Esati, luftëtari i ditëve më të vështira, e ndrydhte zhgënjimin brenda pritjes se madhe të shqiptarëve se do të bëhej mirë. Luftëtarit që priste ta ndërtonte me djersën e vet lirinë e fituar me gjakun e të vëllait dëshmorë dhe bashkëluftëtarëve, s’i kishte mbetur tjetër veçse të priste që përfaqësuesit politik të vetkorrigjoheshin dhe të ishin transparent në interpretimin e realitetit; ta pranonin pazotësinë e tyre karshi politikës imponuese ndërkombëtare, ose në raste të veçanta ta pranonin pazotësinë politike, të kënaqshme për politikën serbe, në kurriz të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; t’i pranonin si sëmundje të rrezikshme ethet për pushtet dhe të mos i injoronin qytetarët aq sa t’i nxirrnin në rrugë, sepse në rrugë i priste vdekja nga arma e më të fuqishmit.

Kur realitetet shoqërore e politike bëhen tema tabu, liria është larg. Kur realitetet e hidhura nuk shpërbëhen, liria është shumë larg. Prandaj, humbja e Esatit dhe injorimi i faktit se vrasja e tij është dështim i politikës së UNMIK-ut në Kosovë,duhet ta legjitimojë guximin tonë për të kërkuar fuqishëm ndërrimin e realitetit të sotëm politiko-shoqëror, që do të thotë një Kosovë tash për tash me NATO-n por pa UNMIK-un.

Neve, një populli gjatë të robëruar, nëpër periudha të ndryshme historike na u kanë përsëritur dështimet shpesh. Që nga Lufta e Dytë Botërore, cilado klasë politike shqiptare që e arriti një pozitë në pushtet, e sakrifikoi rininë shqiptare dhe i ndrydhi idealet e saj kombëtare, për t’u kënaqur me një kafshatë të vogël. Me 1968 u kënaq me lejimin e përdorimin e flamurit, me 1981 u kënaq me ruajtjen e autonomisë, me 2004 u kënaq me ëndrrën për realizimin e standardeve, ndërsa sot nuk kërkon më shumë se sa mbrojtjen në liri të vetëm njërit nga të akuzuarit e Hagës-Ramush Haradinajt.

Kur një populli i vriten djemtë më të mirë dhe i anatemohen, kur një populli i arrestohen heronjtë dhe burrështetasit dhe nuk mund t’i mbrojë, kur një populli i injektohet vdekja klinike, kjo është tragjike.

Evolucionet ndodhin. Robëritë sado të gjata një ditë marrin fund. Por ndërgjegjja historike kërkon shpagim. A duhet t’i themi edhe ne djalit të Esatit nesër se nuk kemi ditur t’i trajtonim drejtë idealet e dëshmorëve, se nuk kemi pasur mundësi të bënim më shumë për Kosovën, se na kanë mashtruar?!

Cila ide tjetër përveq komunizmit, cila ide tjetër përveq “evropianizimit” ka mbetur e papërqafuar nga shqiptaret si bumerang për vetveten? Prandaj realizimi më i mirë i idealeve të dëshmorëve është bashkimi.

Lavdi jetës dhe veprës se Esat Tahiraj

Lavdi dëshmorëve të rënë për liri.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …