Prokuroria Themelore, në Ferizaj, njoftoi se në vazhdimësinë e aksionit “Brezovica 6”, janë kontrolluar 11 lokacione, nga këto: 8 në Prishtinë, 2 në Besianë dhe 1 në Fushë Kosovë. Nga 7 të arrestuarit në rastin “Brezovica”, tre janë nga Ministria e Mjedisit, në mesin e të arrestuarve edhe Berat Lahu i Vetëvendosjes. Prokuroria konfirmoi për mediet po ashtu se ndaj shtatë të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh, si dhe u bë e ditur se brenda afatit ligjor, pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre në Gjykatën Themelore, në Ferizaj. Të arrestuarit dyshohen për veprat penale, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”. Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, ka konfirmuar se në mesin e personave të arrestuar është edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Berat Lahu. Po ashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova të ndryshme materiale.
