Nikollë Loka: Te “Varri i Lal Avdiut” në Zajs të Selitës II

Nikollë Loka: Te “Varri i Lal Avdiut” në Zajs të Selitës I

Jeta njerëzore rrjedh midis të zakonshmes dhe të jashtëzakonshmes,…dhe kujtesa përzgjedh gjithmonë të jashtëzakonshmen, ndërsa e zakonshmja mbetet për pak kohë, mbi të vjen e ardhmja që e shlyen shpejt. Ngjarjet që përsëriten ia zënë vendin njëra-tjetrës, siç bëjnë dhe ditët, javët, muajt e vitet. Jeta kalon në mes të monotonisë dhe ngjarjeve që mbeten, ndërsa beteja e njeriut nuk është vetëm për jetën, por edhe për trashëgiminë e pas vdekjes.

Edhe Avdi Cara do t’i ishte nënshtruar procesit të harresës, sikur mos të kishte zgjedhur një mënyrë krejt origjinale për të jetuar gjatë në kujtesën e njerëzve të tij. Në prag të vdekjes, ai la amanetin e pazakontë që mos të varrosej në varrezat e fisit, por në mal, atje ku e kishte kaluar jetën, lartësive të bjeshkëve. Asnjë arsyetim nuk dha për këtë vendim të tij, të cilin fillimisht ia komunikoj fisit Cara, pastaj vllaznisë së vet dhe në fund djemëve. Me këtë veprim, Avdiu ka dashur ta lërë emrin e tij dhe të fisit Cara në bjeshkë, t’u tërhiqte vëmendje Carajve që ta kthenin kryet nga Valmori dhe ta shihnin atë mal si mirëbërës. Ndërsa varri i tij midis burrave të tjerë të Carajve nuk do të përcillte asnjë mesazh, do të ishte një banesë e përjetëshme mbi të cilën do të vepronte logjika e harresës prej kohës.

Avdiu kishte kaluar një pjesë të kohës në male, me të tjerë dhe në vetminë e tij. Kishte komunikuar me malin përmes kodeve të fshehta të komunikimit, ndoshta dhe e kishte tërhequr shumë ai vend, prandaj kishte vendosur që ta ketë varrin atje. A nuk thotë populli “ishte një vend shumë i bukur, me t’u kandë me vdek”. Nuk ka vlerësim më të madh se aq. Kalimi pranë një varri në bjeshkë, për udhëtarin e panjohur do të shoqërohej me një sërë pyetjesh: Si, qysh dhe përse? Ai mezi do të priste që të informohej më gjatë, kështu emri i të varrosurit në mal dhe i fisit të tij do të qarkullonte në një hapësirë të madhe gjeografike, e do të përmendej më shumë. Por varri, si çdo bujtinë e përjetëshme e një njeriu, i identifikuar përjetësisht, do të fitonte dhe disa atribute të shenjta, ndër to dhe adhurimin prej njerëzve. E filluan Carajt para disa vjetësh dhe tani po i bashkohen të afërm, bashkëfshatarë, shokë dhe miq të tyre. Pas kësaj që po ndodh, mund të flasim më qartë për ndikimin e atij varri të njeriut të mirë me emrin Avdi Cara në jetën e komunitetit të banorëve të Zajsit dhe të krejt Selitës. Kështu, në Zajs, gradualisht, po futet një festë e re, dita e varrit të shenjtë të Lal Avdiut. Kjo festë është kujtim për të vdekurin, por edhe të vdekur të tjerë të asaj ane, është një nderim për fisin Caraj, por edhe një krenari për të gjallët e këtij fisi.

Carajt e Selitës

Vendi i parë i banimit të Carajve është Zajsi i Selitës. I vendosur në dy anët e lumit të Urakës, Zajsi është ndër vendbanimet më të hershme të Selitës, pasi është e natyrëshme që jetesa të ketë filluar në brigje të lumenjve. Emrin e Zajsit, studiuesi Preng Gjika e arsyeton si të ardhur nga fjala “zajë” që do të thotë: kokrriza rëre, zalli. Sipas këtij autori, që në studimin e tij rreth formimit të fiseve të Mirditës, ka grumbulluar dhe sistemuar shumë gojëdhëna të prejardhjes në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar “në Pandrra qenë trojet e herëshme të fisit Kokaj”.  I pari i fisit paraqitet njeri i zakonshëm, që kujtohet me nderim nga paraardhësit. “Kolë Gjin Koka i këtij fisi kishte dy djem: Prengën dhe Gjonin. Prenga pati tre djem: Nokun, Burakun e Caranin. Gjoni pati dy djem: Gjoçin dhe Daçin”. Kur Cara u nda, i takoi kazani i rakisë, që në atë kohë çmohej si shumë me vlerë për një konak. Cara (Carani), i tabanit, ishte djali i vogël dhe i takoi të trashëgonte trojet e vjetra. Gojëdhanat, na bëjnë me dije se fillimisht Carajt i kishin trojet në Pandrra, por në rrjedhën e viteve ato u zgjeruan në lagje të reja si: Çetë e Gurrë si fillim, pastaj Sarakol, Lgjatëdushk e Tharri, ku kanë troje edhe fiset: Buraku, Ndoku e Arapi. Toponimia përbën një lëndë të vlefshme që mund të plotësojë në një masë të mirë mungesën e dokumenteve të shkruara. Ajo mbetet “arkivi gojor” i historisë dhe lashtësisë.

Nga pikëpamja fetare Zajsi, si pak fshatra në Mirditë, ka popullsi të përzierë fetarisht,  pa asnjë paragjykim ndaj tjetrit, me shpirt të hapur dhe tolerant që e sheh ndryshimin si vlerë dhe pasuri. Nga të pesë fiset: Cara, Buraku, Arapi, Noku, Beci, fisi Caraj është i besimit mysliman, por, edhe te vëllai i Carës, Buraku, ka emra e mbiemra myslimanë si: Pjetër Osmani, Sali Buraku.

Zajsi përmendet së pari në relacionet kishtare të vitit 1703 dhe përbëhej nga 8 shtëpi, të gjithë  banorë katolikë. Në vitin 1802, rreth tetë breza më parë, pra në fillim të shekullit XIX, në relacionet kishtare dalin katër shtëpitë e para të islamizuara të Selitës, që ishin nga Gjoçajt. Ndoshta ende në Zajs nuk kishte filluar konvertimi fetar. Por procesi i islamizimit kishte ecur shpejt, pasi në vitin 1848, në Selitë shënohen 40 familje katolike me 450 banorë dhe 27 familje myslimane me 200 banorë. Është afërsisht përqindja në mes të dy besimeve fetare që ekziston edhe sot, prandaj mund të themi se gjatë kësaj periudhe kishte përfunduar dhe procesi i islamizimit në Zajs, që e la përqindjen fetare. Si kudo në Selitë, edhe në Zajs, festimi i përbashkët i të gjitha festave fetare ka qenë dukuri e pashmangshme. Fisi Cara, pas kthimit në fenë islame, shërbimin shpirtëror e ka kryer në xhaminë e fshatit Gjoçaj, ndërsa varrezat i ka pasur veç fshatit, te lisat, sipër kullave të Gjon Llesh Daliut. Për shkak të martesave, kryesisht me Matin, veshja e grave dhe vajzave të këtij fisi, ndryshoi duke anuar nga veshja e grave të Matit.

Carajt ishin shumë mikpritës, me pritjen protokollare, muhabetin e zgjedhur, drekën e darkën me sofrën plot, shumë herë bukën me vete dhe kryesorja sigurinë deri sa miku të hynte në një shtëpi tjetër ose të arrinte në shtëpinë e tij.

I pari i fisit Cara del se ka pasur në zotërim dhe një mal që sot njihet me emrin Shquti i Podranës, të cilën e përdorte për kullota bagëtish; Pusin e Ndre Menës, të ndërtuar në shekullin XVI; arët në Buzë Shkalle, shtrungat me emërtime e Dodës dhe e Kokës, kuptimplote për të treguar trojet dhe vendbanimet e fisit Cara në bjeshkë. Shtrunga e Kokës ka pasur 12 gurë shtrunge për mjeljen e deleve. Në këto gurë uleshin mjelësit. Nga përllogaritjet e përafërta del që në atë vend të jenë mjelë çdo ditë mbi 1200 krerë bagëti të imta, kryesisht dele, pa llogaritur dhitë, lopët etj. Kuptohet, me bulmetin që mblidhnin dhe mishin që prodhonin gjatë vitit, Carajt kanë arritur të mbijetonin në trojet e veta.

Disa emërtime në bjeshkën e Valmorit dhe në një pjesë të livadheve të sotëm njihen si “ara”. Po kështu përmendet emri “lamë”.  Duke lidhur bashkë emërtimet “ara” dhe “lami” del se këto ara të dikurshme kanë qenë mbjellë me kultura bujqësore dhe kryesisht me grurë, thekër, urov etj, që do të thotë se në stan dilte një pjesë e familjes, e cila përpiqej që të siguronte sa më shumë të ardhura, duke zhvilluar edhe bujqësinë, për aq sa kjo mund të realizohej. Ndërsa pjesa tjetër jetonte në katund për tu marr vetëm me bujqësi, ngase bujqësia dhe blegtoria ishin të lidhura ngushtë njëra me tjetrën.

 Carajt u dalluan për trimëri dhe burrëri. Djemtë e këtij fisi kanë qenë pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet e mëdha të historisë kombëtare, duke iu përgjigjur të gjitha detyrimeve që kishin ndaj Atdheut. Dali Cara u dallua në luftë kundër pushtuesve austro-hungarezë. Kurt Ahmet Cara ka punuar në administratën e shtetit gjatë periudhës së Monarkisë, ndërsa dymbëdhjetë burra të tjerë të fisit kishin shërbyer xhandarë. Vlen për tu përmendur se Adem Ibrahim Cara nuk kishte pranuar  që të vihet në shërbim të pushtuesve italianë dhe nuk i kishte pranuar shpërblimet prej tyre, ndërsa Adem Dik Cara dhe Haziz Sali Cara ishin internuar në Itali si antifashistë, prej nga u liruan pas kapitullimit të Italisë. Pesë vetë nga Carajt u angazhuan në Luftën Nacionalçlirimtare.

Çlirimi i vendit e ndryshoi krej veprimtarinë shoqërore. Në skenë dolën veprimtarë, të rinj dhe të reja me pak shkollë që po përpiqeshin të ecnin përpara. Emër të madh krijoi Shkurte Cara, Heroinë e Popullit, e cila u vra nga grupet e armatosura të Komitetit të Maleve. Të tjerë Caraj sakrifikuan në frontet e reja të punës: Sahit Zenel Cara vdiq aksidentalisht në minierën e Kurbneshit dhe Mustafa Nezir Cara u plagos në minierën e Rubikut dhe mbeti përjetësisht invalid. Vdekjet akidentale nuk mbarojnë këtu. Nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, u shua gati krejt familja e Albert Hasan Carës, ku shpëtoi vetëm ai. Vdiqën bashkëshortja, dy djemtë, vajza dhe e fejuara e djalit. Ndërsa në familjen e Metë Sadik Carës vdiqën bashkëshortja e Metës dhe mbesa (vajza e vajzës). Me këto vdekje aksidentale, fisi Cara u ngushëllua nga i gjithë kombi shqiptar dhe drejtuesit politikë të tij.

Ruajtja dhe pasurimi i traditës familjare është një projekt i madh jetësor. Ajo që i dallon familjet e traditës me të tjerat është orientimi në jetë dhe ndjenja e thellë e përkatësisë. Mjedisi familjar te Carajt u dha të rinjëve edukatën më të mirë të mundëshme për jetën në komunitet. Me ndryshimet shoqërore, krijimin e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve ekonomike, djemtë dhe vajzat e Carajve u orientuan drejt shkollës dhe dijes dhe kanë dhënë ndihmesën e tyre si kuadro të rëndësishëm në dikastere qendrore dhe institucione të ndryshme dhe si drejtues në organet lokale, pushtetin lokal dhe në ekonomi.

Vijon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s godasin bazën ushtarake serbe në Qafë të Duhlës (E mërkurë 28 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s godasin bazën ushtarake serbe në Qafë të Duhlës (E mërkurë 28 prill, 1999)

Meqë ishim marrë vesh me Hilmiun dhe Agronin për t’ u nisur së bashku për …