Nis gjykimi për masakrën e Mejës pa të akuzuarit – 53 serbë përballë drejtësisë në mungesë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur të hënën seanca fillestare për rastin e masakrës së Mejës dhe fshatrave përreth Gjakovës, një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, ku në prill të vitit 1999 u vranë 370 civilë shqiptarë. Trupat e tyre u zhvarrosën më vonë nga varreza masive në Batajnicë, Serbi. Aktakuza përfshin 53 persona, shumica ish-zyrtarë të lartë të ushtrisë dhe policisë serbe, përfshirë Momir Stojanoviqin, ish-shef i Sigurisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës, dhe Franko Simatoviqin “Frenki”, komandant i Njësisë për Operacione Speciale. Gjykimi zhvillohet në mungesë, pasi asnjë nga të akuzuarit nuk është i kapshëm për drejtësinë kosovare dhe të gjithë ndodhen në Serbi. Të pandehurit akuzohen për vrasje, tortura, dhunë seksuale, dëbim dhe shfarosje të qëllimshme të popullatës shqiptare në kuadër të operacionit famëkeq “Lumi i Keq”.  Megjithëse gjykimi në mungesë është mundësuar me ndryshimet në Kodin Penal që nga viti 2022, përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut shprehen skeptikë për efektivitetin e tij. Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi thekson se mungesa e vullnetit politik në Beograd dhe mungesa e bashkëpunimit me drejtësinë kosovare pengojnë ndëshkimin real të përgjegjësve. “Krimi është i përmasave të tmerrshme, por të gjithë të akuzuarit janë në Serbi, të mbrojtur nga drejtësia për shkak të mbështetjes institucionale dhe mungesës së presionit politik ndërkombëtar”, tha Kandiq për Radion Evropa e Lirë.

Kontrolloni gjithashtu

Prodhuesit vendor nisin betejë ligjore ndaj ZRrE-së: “Vendimi i padrejtë duhet të rrëzohet”

Shoqata e Prodhuesve Vendor, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, ka nisur një betejë …