Nisin “Ditët e Historisë” pak para përvjetorit të çlirimit

Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës u hapën zyrtarisht “Ditët e Historisë” gjatë të cilave do të zhvillohen aktivitete që lidhen kryesisht me të kaluarën e dhimbshme dhe të lavdishme të Kosovës.

Në ngjarjen e organizuar nga Departamenti i Historisë, rektori Arben Hajrullahu, tha se nëse nuk e dimë historinë, nuk e dimë as të tanishmen dhe do ta kemi të vështirë të orientohemi në të ardhmen. “Historia ne na ndihmon ta njohim vetveten. Pa e njohur vetveten do ta kemi shumë problem edhe t’i njohim të tjerët”, ka deklaruar Hajrullahu.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bekim Baliqi, ka thënë se historia na mëson të reflektojmë rreth së kaluarës, në mënyrë që të mos i përsërisim gabimet. “Historia është një orientim, një busull për një shtet e një shoqëri”, shpjegoi Baliqi.

Udhëheqësi i Departamentit të Historisë, Mentor Hasani, në fjalimin e tij, e vlerësoi historinë si dije dhe përgjegjësi. Tha se kjo disiplinë shkencore në Kosovë është e lidhur me drejtësinë dhe lirinë.

Më pas, për herë të parë sivjet, bursistëve të Departamentit të Historisë iu dha çmimi “Rrustem Hyseni – ‘Historiani’” për të nderuar absolventin e këtij departamenti, ushtarin e UÇK-së dhe heroin e Kosovës.

Gjatë “Ditëve të Historisë”, nga 2 deri më 5 qershor 2025, do të shikohet filmi dokumentar për luftën në Kosovë me titullin “Lugina” (The Walley), do të bëhen vizita në vendet e masakrave të popullsisë civile gjatë viteve 1998 – 1999 dhe do të organizohet tryeza e bashkëbisedimit me studentë për 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Gjithashtu, në kuadër të këtyre ditëve, do të ndodhë ceremonia e diplomimit të absolventëve të Fakultetit Filozofik dhe do të ketë takime me ish-studentët e shkëlqyeshëm të Departamentit të Historisë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Lulzim Peci

Lulzim Peci: Kosova nuk ka aleancë me asnjë shtet, as me SHBA-në, as me Shqipërinë

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka hedhur dritë mbi një keqkuptim të shpeshtë në …