Besi

Një ditë në Burgun e Suboticës… (Një kujtim për shokun tim të burgut, Agim Leci, 1964-2021)

Ndodhesha në dhomën  kolektive numër 4 të Burgut Hetues të Suboticës.

Ishte pranvera e vitit 1985.

Dhoma e burgut, në Suboticë,  e ndërtuar në kohën e Maria Terezës magjare, ishte në katin e parë të ndërtesës me përmasa 10 metra me gjashtë, tavani pesë metra i lartë. Kishte dy radhë të shtretërve të hekurit anash me nga dy e tre kat, në rast nevoje. Ishte burg i konstruktuar dhe i ndërtuar dy treqind vjet më parë por i rregulluar me mjeshtëri dhe bazament të fortë, që iu kishte përballura shekujve. Dy dritaret e vogla ishin në përmasa  60 cm.  Lartësi,  120 gjerësi, me tre radhë grilash, gjithsej 21 katrorë simetrikë. Po dritarja fillonte në lartësinë  rreth 3 metra 40 cm. dhe mbaronte në katër metra nga dyshemeja. Kur hyje  për herë të parë në dhomë duhej se ishe, diku në humnerë, nga përshtypja që të krijonte tavani i lartë dhe dritaret e larta, me grila.

Kisha më shumë se dy vjet në Burgun e Suboticës, ku më kishin dërguar nga Burgu i Smrekovnicës. Në dhomë, me mua ishte edhe i burgosuri nga Barileva e Llapit,  Agim Leci i dënuar 12 vjet burg për shkak të pjesëmarrjes së demonstratat e 1 dhe 2 prillit të vitit 1981. Agimi ishte një djalë i kalitur nëpër burgje, shtathedhur, paqësor dhe i përmbajtur në dukje, por kur shpërthente, kthehej në tigër. Të gjithë të burgosurit në dhomë ia kishin frikën, por po ashtu të gjithë e dinin se ai nuk sulmonte i pari, as provokonte kënd. Agimi i takonte një familje fshatare, por bujare e atdhetare. Ishte në mesin e  nëntë vëllezërve, të gjithë të rinj. E kishin dënuar si të rritur, meqë në kohën kur e kishte kryer veprën penale kundër RSFJ-së, kishte mbushur 18 vjet e nëntë ditë. Për ato ditë të kalimit  të moshë nga i mitur në i rritur, ishte dënuar me burg të rëndë si i rritur, ndërsa të miturit nën 18 vjet, dënoheshin nga një deri në pesë vjet burg.

Prania e Agimit në dhomë ishte një favor i veçantë për mua, të cilin ndoshta e  kishte sjellë qëllimisht drejtori i burgut, Hegyi Bela, mbase edhe me qëllim që të kisha një krah mbrojtjeje, në rast të ndonjë sulmi. Ai e dinte nga dosja ime e burgut se kisha qenë i sulmuar në Burgun e Gjurakocit. Ndiente një keqardhje njerëzore për gjendjen time në burg dhe e shprehte me keqardhje kur familja dy herë në vit më vinin në vizitë nga Kosova, 600 km rrugë, Prishtinë-Subiticë. Zakonisht vinin babai, Aliu bashkëshortja, Zymrytja,  katër bijat, Antigona, Arbana, Labëria, Rrezarta e djali i vogël, Epiri,  të gjithë të mitur.

Agimi, si zakonisht të gjithë të burgosurit politikë në Suboticë,  të gjithë ishin më të ri se unë më donte dhe më respektonte si prindin  e tij.

Ndërkohë në dhomë kishte ardhur edhe një serb nga Vareshi i Bosnjës, i quajtur Sllavko Miletiq. Edhe ai ishte i zhvilluar fizikisht, po aq sa Agimi.

Më vonë mësuam se kishte qenë boksier i kategorisë Velter, por pas një dueli fatal për kundërshtarin, ishte larguar  përgjithmonë nga arena. Pas një ndeshjeje me një bashkëkombës, në Sarajevë, nga pasojat kishte vdekur kundërshtari  i tij dhe  ishte betuar të mos boksonte më.

Ishte dënuar 5 vjet burg,  për shkak se kishte plaçkitur drejtorin e një banke dhe me të hollat nga plaçka, i kishte ngritur pllakën e varrit prej mermeri gjyshit të tij, me të cilin edhe kishte jetuar, meqë babai i kishte vdekur në Burgun e Goli Otokut, ndërsa nëna iu kishte martuar. Në traditën popullore të vendit, të vdekurit që nuk i ngrihej guri i varrezës konsiderohej i humbur, ndërsa nga pamundësia për ta ngritur,  meqë kushtonte dhe nuk kishte  të holla, ai e kishte kryer edhe plaçkitjen  e parë, pastaj kishte vazhduar zanatin.

Kishte një dashuri dhe simpati të veçantë për shqiptarët përgjithësisht, veçmas për të burgosurit politikë. E donte Shqipërinë,  meqë babai i tij, kishte qenë atashe ushtarak i Jugosllavisë, në Tiranë, ndërsa ishte tërhequr nga atje dhe ishte dënuar si informbyroist, në vitin 1950. Pas daljes nga burgu i Goli Otokut ku kishte qëndruar pesë vite ishte liruar dhe më pas edhe ishte martuar. Pas tri vitesh e kishin arrestuar sërish dhe kishte vdekur në burg. Në familje kishte lënë babanë, gruan e re dhe djalin, Sllavko, dyvjeçar, të cilin e kishte rritur vetën gjyshi, pasi edhe atij i kishte vdekur bashkëshortja.

 Shkollimin e mesëm e kishte lënë në gjysmë dhe iu kishte kushtuar boksit e sporteve të tjera.

Pas demonstratave  të vitit 1981 në Kosovë, kishte shkuar në Ulqin. Nga atje kishte kaluar kufirin dhe ilegalisht kishte hyrë në Shqipëri. Pas një muaj qëndrimi autoritetet shqiptare e kishin kthyer, por e kishin trajtuar mirë. E kishin bindur se prania e tij në Shqipëri,  si bir i një ish-zyrtari, do të kishte pasoja në marrëdhëniet edhe ashtu të tendosura mes dyja vendeve. Ai tregonte se me rastin e kthimi i kishin dhuruar një palë rroba të reja pune, çizme kineze dhe një sasi të hollash, me të cilat e kishte shtyrë afër dy muaj.

Kishte krijuar një bindje se shqiptarët janë mikpritës dhe vëllazërorë.

Ishte shumë inteligjent, luante mirë shah, lexonte, ishte i hareshëm dhe i shoqërueshëm por shumë agresiv ndaj të burgosurve të tjerë, përveç ne dy shqiptarëve, mua dhe Agimit me të cilët shoqërohej tërë ditën. I fyente hajnat e sidomos dhunuesit,  të cilët i provokonte me qëllim për t’i rrahur. I quante mizore veprat e tyre, ndërsa krenohej për veten se nuk ishte hajn por rrëmbyes, madje i plaçkiste vetëm të pasurit, mundësisht vetëm drejtorët dhe me këtë atakonte rendin e pabarabartë, sepse nuk i besonte se  ishte i tillë, edhe pse  zyrtarisht quhej  pushtet i popullit.

Më bënte jashtëzakonisht shumë përshtypje qëndrimi i tij prej një kryengritësi hakmarrës individual, simpatia për shqiptarët dhe përkrahja e kërkesave tona. Në bisedime me të sidomos kur na dërgonin gjysmë orë në shëtitje, në oborrin e burgut, i flisja për kërkesat e drejta të shqiptarëve, për të qenë të barabartë me të tjerët, meqë për nga numri i popullsisë ishim të tretët në Jugosllavi.

As edhe me një të vetmin rast nuk dyshoja se ishte provokator,  apo kishte një qëllim të caktuar, dhe koha e qëndrimit me  të burg për më shumë se 12 muaj e dëshmoi gjykimin tim.

Por prania e Agimit dhe Sllavkos në dhomë kishte shkaktuar zemërimin e të burgosurve të tjerë. Ishin të dy më të zhvilluarit dhe më të fortit. Po ashtu zinin shëtitoren e vogël në dhomë, mes radhëve të shtretërve,  ku gjatë ditës shëtisnim me radhë 10 metra para dhjetë prapa,  aq sa ishte vendi.

Po kështu, në shumë raste at  i ndëshkonin apo i përçmonin të burgosurit e tjerë. Agimi ishte shumë i përmbajtur për shkakun tim, por po të mos isha unë në dhomë, ai nuk do të përmbahej deri në atë shkallë, andaj e nxiste Sllavkon, të cilin shpeshherë e qortoja dhe ma përfillte fjalën. Një ditë m’ u drejtua:

– Profo më tha, të gjithë në dhomë më quanin ashtu dhe rrallë kush ma dinte emrin e mbiemrin, – ju jeni  njeri i ditur, me shkollë e kulturë, por kam bindjen se nuk i njeh si unë këta burgaxhitë këtu. Këta, janë lloji më i keq i njerëzve. Beso se po të mundin të therin, të ziejnë në kusi dhe mishin ta hanë, por nuk guxojnë. Andaj i kam zët. Të gjithë janë drukera, të gjithë bëhen se e duan njëri tjetrin por pas shpine e spiunojnë.  E sheh këtë Draganin, kishte bërë me dorë nga një i burgosur serb,  me të cilin ishte njohur më parë. Ky kapiten i thotë vetës, Kapiten Dragan, ashtu e quajnë edhe burgaxhitë,  por është hajn, një kurvar i ndyrë, një ngordhësirë që e kap edhe motrën e vet.

– Nuk të pyeta për këtë  Miletiq i thashë me sinqeritet sepse e kisha hetuar se ai donte ta provokonte dhe ta rrihte, Draganin. Të gjithë i kemi hallet tona i thash me një zë qortues.

Kapiten Dragani, i cili rrinte shtrirë në shtrat ishte ngritur, kishte ndezur një cigare dhe më kishte shikuar si rëndom me një urrejtje të përmbajtur. Me të kisha mbajtur distancë edhe para ardhjes së Agimit e të Miletiqit,  meqë e kishte hetuar me kohë se ishte ose një provokator që e kishte futur sigurim brenda, ose i tillë sikur i kishte thënë Miletiqi. Sapo ai m’ u drejtua me fjalët, “dëgjo profo” Agim Leci kishte kërcyer nga krevati dhe ishte ulur në tavolinë dhe dëgjonte me vëmendje.

– Unë e njoh Sllavkon por ti e Agimi nuk e njihni si unë andaj edhe po i besoni. Ishte hera e parë që më drejtohej me “profo”. E kishte zanon t i quante të burgosurit me “rogjo”. (kushëri).

– Edhe unë ju njoh të dyve kapiten. Nuk dua sherr ta them të drejtën. Kemi halle të tjera.

– Po ja që ky shoku juaj do sherr. Ju tani jeni tre vetë dhe na sundoni këtu në dhomë më shumë se “muria” e burgut.

– Për çfarë sundimi po flet o ti njeri iu kishte drejtuar Agimi, të cilin e kisha qortuar shqip dhe i kisha thënë të qëndronte anash. Isha i sigurt se Sllavkoja do ta bënte të vetën, edhe pse ai rrinte qetë dhe priste  të përfundonte biseda ime me Draganin.

– Ja për çfarë, sapo të qortoi ky profa, ti i ule veshët, edhe trimi serb, Miletiq e ndali zërin. Kjo tregon se ky profa është “cari” këtu, edhe pse ky fjalët i ka mehlem për varrë, por juve u ka vegla, që ju përdor. A më dëgjon Sllavko!-  iu kishte drejtuar atij.

– Po të dëgjoj “pizdo” dhe po e kuptoj shumë mirë sesi ti këtë provokimin tim të qëllimshëm po ia gjuan ‘profës”, sepse me mua e Agim nuk ta qet, ndërsa do të zihesh me të, për ta lakuar situatën,  sepse mendon se ai është më i dobët fizikisht. Po si nuk e ke mësuar o kapiten qeni se derisa të jemi unë e Agimi,  ty edhe pse të ka akaparuar regjimi këtu, nuk guxon as ta shikosh shtrembër, jo më ta sulmosh profesorin!.

– Unë nuk sulmoj askënd pa më sulmuar, por ty si nuk të vjen turp, serb i thua vetes dhe i nënshtrohesh një shqiptari, i cili ndodhet në burg për shkak se do ta shkatërrojë Jugosllavinë, atdheun tonë.

– Unë i q… serbët si puna jote. Jam serb, por jo çetnik si ti. Jam serb i drejtë që i jap të drejtë secilit, që është njeri. Unë i plaçkiti ata që e plaçkitin popullin dhe ti, kapiteni,  që ta kanë rrasë dhe të kanë hedhur si leckë, këtu,  për shërbimet që u ke bërë, tash  bën agjitacion kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve të mi.

– I vogël je ti t’i mësosh shërbimet e punët e mia.

– I di të gjitha. I di se ti ke dhunuar femra të mitura, je i gatshëm ta vrasësh njerëz. Ke bandën tënde të prostitucionit dhe një segment i regjimit të shfrytëzon për qëllime të veta.

 Katër hungarezët e tjerë, që ishin në dhomën e burgut,  dëgjonin me vëmendje por asnjëri nuk begeniste të merrte pjesë në debat, që edhe nuk ishte për ta. Duke parë këtë gjendje, dhe me qëllim për ta bërë problemin sa më të madh, kapiten Dragani, një mercenar shumë i rafinuar,  iu kishte drejtuar atyre.

– Ja si jeni bërë shurdhmemeca,  ju katër magjarët. As edhe një fjalë nuk e nxirrini nga goja. Kjo tregon se këtu në burg, dikush u ka burgosur edhe brenda dhomës.

– Nuk është ashtu zotri kapiten kishte thënë hungarezi, Mihal Baçi. Asgjë të keqe, asnjëri prej nesh nuk ka nga këta tre, sidomos jo nga “profa” dhe ne nuk e nisëm bisedën, andaj pse na drejtohesh si magjarë, kur ne këtu jemi në burg, secili për veprat e veta. Duket se ty të pengon fakti se jemi magjarë, apo?.

– Ti po flet në emër të katër magjarëve apo në emrin tënd? – iu kishte drejtuar Dragani.

– Unë fola për veten, kanë gojë të flasin edhe këta të tjerët, por nuk e di pse po i provokon të gjithë.  Nëse nuk të rrihet në këtë mes,  kërko të të largojnë nga dhoma.

– Këtë po e bën, Mihal Baçi. Ky ka ardhur këtu me këtë qëllim, por nuk do të dalë nga dhoma pa e paguar. Unë qëllimisht e lashë të flasë, që ta kuptoni të gjithës se kush është kjo coftinë.

– Mos  fyej  Miletiq, por liroma rrugën se dua të kërkoj largim nga kjo dhomë.

– Nuk po shkon askund kapiten i q…

– Nëse je mashkull, ngrihu në këmbë t’ i qërojmë hesapet. Nëse je grua, hyn atje në nevojtore të të kap.

– Ti je peder, Sllavko, a po e sheh profo, m’ u kishte drejtuar ai. Ç është e vërteta qëndrimi i Sllavkos më kishte gjetur të pa përgatitur, po Agimi, tashmë i provuar me “forat” e të burgosurve, mbase me marrëveshje paraprake me Sllavkon e kishte marrë fjalën.

– Ti je peder kapiten. Ne jo, andaj  sapo të futsh në nevojtore do ta ngulim  bishtin e fshesës, për atë punë.  Agimi kishte qeshur e bashkë me kishin shpërthyer në gaz të gjithë të burgosurit hungarezë.

– Hej, peder kapiten, e përfundojmë për sot…

– Ishte një shaka e kurdisur profo, mos u hidhëro, m’u kishte drejtuar, serbi i Bosnjes, Sllavko.

Në çast u turbullova dhe nuk kisha arrita ta kuptoja se mos ndoshta  krejt biseda kishte qenë e kurdisur.

Kapiteni Dragan kishte nxjerrë një ofshamë dhe ishte lëshuar në krevat. Agimi e Sllavkoja kishin zënë rrugën duke shëtitur në stazën e të gjithëve mes  shtretërve, por selektive për të tjerët,  përveç meje.

Më vinte keq të flisja shqip me Agimin, meqë nuk e kuptonte askush, por edhe  kisha kujdes nga Sllavkoja, të mos më keqkuptonte.

Me qëllim për ta shtendosur situatën iu drejtova, Mihal Baçit, për herë të parë në gjuhën hungareze.

– Mihaly Basci, maga derek ember, egy jo magyar ember,  i kisha thënë duke e falënderuar për qëndrimin e urtë dhe pajtues që nuk kishte rënë në provokimin e Draganit.

– A istenem, maga tudsz magjyarul Beszelni? Nem tudtam azt, ma ktheu ai.

Agimi e dinte se po mësoj hungarisht, por të tjerët jo. Edhe Miletiqi kishte filluar të më shikonte me habi dhe m’u kishte drejtuar:

Si gjuhë i di profo?

– Di bukur shumë i thashë dhe vazhdimisht mësoj. Ka disa muaj që kam filluar të mësoj hungarisht për mes një libri të gramatikës, të cilin ma ka sjellë edukatorja, Marika dhe një fjalor, hungarisht serbokroatisht,  që ma ka sjellë  vëllai im,  Osmani, gjatë vizitës. U kisha treguar se kam qenë edhe profesor i latinishtes në Gjimnaz, që dija italisht, rusisht, frëngjisht por deri në një nivel edhe arabisht meqë kisha kryer një shkollë të ulët fetare.  Po ashtu gjatë kohës së burgut kisha për qëllim të mësoja edhe anglisht e gjermanisht.

Të gjithë m’ i kishin ngulur sytë, ndërsa kapiteni Dragan m’u kishte drejtuar me pyetje si  thonë arabisht, “mos rrej se i di të gjitha”.  Pa paragjykuar se ishte provokim pasi u kujtova pak i kisha radhitur  fjalët arabisht dhe ia kisha thënë me një shqiptim karakteristik. Ai foli edhe dy tri fjalë të tjera  dhe gjeti rast për të më treguar se kishte qenë në përcjellje të një grupi ushtarësh të Libisë, në Sarajevë dhe kishte mësuar disa fjalë, por dinte krejt pak.

–  E sheh sa i poshtër je Dragan, mendove  mos po e zë ngushtë “profën” për t i thënë  se po rren,  iu kishte drejtuar Sllavkoja.

– Nuk kam kurrfarë arsye të them se e di një gjuhë pa e ditur. Pastaj e pranoj pa keqardhje se nuk i di perfekt të gjitha këto gjuhë,  por i di në  nivelin elementar komunikues, ndërsa pas gjuhës shqipe, profesor i së cilës jam, madje kam kryer edhe studimet pasuniversitare,  më si miri e njoh gjuhën serbokroate, por e njoh edhe letërsinë jugosllave.

– Profo e bëjmë pa keqkuptim, nëse më mbron nga  Sllavko dhe Agimi, dua të pyes edhe diçka m’u kishte drejtuar Dragani.

– Fol i thashë, derisa Agimi dhe Sllavkoja shëtisnin mes shtretërve të hekurit, ndërsa katër hungarezët rrinin ulur në tavolinën e madhe, në pritje të ushqimit të drekës.

– Shteti ynë të ka shkolluar, të ka gjetur punë, je intelektual i nivelit jugosllav, ndërsa me gjuhët që ke mësuar  je nivel në vete dhe prapë se prapë je i pakënaqur dhe je ngritur kundër Jugosllavisë. E bëjmë pa hidhërim, mund të mos më përgjigjesh fare, por kam dëshirë ta dëgjoj mendimin tënd.

– Nuk kam çka fsheh asgjë, kapiten ia ktheva. Kam këtu edhe aktakuzën por është në gjuhën shqipe, të cilën ti nuk e kupton. Unë, Agimi as bashkëmendimtarët tanë nuk jemi ngritur me kërkesa për ta prishur regjimin e Jugosllavisë, as për ta ndarë atë, as për ta copëtuar, por vetëm për të qenë të barabartë me të tjerët, për të pasur edhe ne republikën tonë, sikur e ka Mali i Zi me 500 mijë banorë, pastaj Maqedonia, Sllovenia, Bosnja. Të gjitha këto republika kanë më pak banorë, ndërsa ne shqiptarët jemi të tretët në numër, pas serbëve dhe kroatëve në RSFJ. Kjo është arsyeja, kjo është e vërteta, të cilës edhe mund të mos i besosh.

– Po ju shqiptarët e keni një shtet, e keni Shqipërinë, ne e kemi vetëm Jugosllavinë!.

– Ka më shumë shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre në Jugosllavi, në Kosovë në Maqedoni, në Serbi, në Mal të zi dhe në të gjitha republikat e Jugosllavisë, sesa ata që jetojnë në Shtetin e Shqipërisë. Ne nuk po kërkojmë të bëhemi bashkë me Shqipërinë, por ta kemi republikën tonë të shtatë, në Jugosllavi, pse jo edhe Vojvodinën Republikë  këtu ku jemi? Për këto që po i shpreh më kanë dënuar mua dhe mijëra të tjerë.

– Ti po thua kështu por po  t’ ua japin Republikën, të cilën mendoj unë se nuk do t’ ua japin kurrë,  ju bashkoheni me Shqipërinë.

– I lemë këto biseda, kapiten,  me ligjet në fuqi edhe kjo bisedë është propagandë. Desha të rrëfehen me sinqeritet para të gjithëve këtu, sepse fati na ka bërë bashkë, njerëz jemi nuk kemi nevojë ta luftojmë njëri tjetrin në një dhomë si kjo, sepse kjo nuk na çon askund.

Në çast ishte hapur “deriçka” e vogël  e derës së madhe dhe ishte dëgjuar zëri i kuzhinierit. “Ruçak”  (Dreka)….

Ishte ora 13.00 e pas ditës së 11 prillit të vitit 1985,  kur Radio-Beogradi në emisionin e përditshëm javor,  të quajtur “karavan”,  kishte ndërprerë për pak çaste programin, dhe kishte  dhënë lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës.

Agim Leci ishte ngritur rrufshëm nga krevati në katin e dytë, po ashtu ishte ngritur edhe Sllavko Miletiqi.

-Bal, kështu më thërriste Agimi, paska vdekur xhaxhi, e dëgjove?

-Ka qenë e pritur Agim, Ishte i sëmurë rëndë.  Kemi dhembje ne dhe të gjithë shqiptarët, por nuk  kemi çfarë të bëjmë.

Ndërkohë ishte afruar, Miletiqi dhe të dyve na kishte shprehur ngushëllime.

Edhe hungarezi Mihal Basci, na kishte shprehur ngushëllime.

Kapiteni Dragan, bëhej sikur flinte dhe nuk ishte ngritur nga krevati.

-Kur e zuri gjumi këtë pederin ne sapo u shtrimë, kishte thënë Sllavko Miletiqi, me qëllim që ta provokonte. Në intervalin kohor  prej orës 13.00 deri në orën 15.00 lejohej shtrirja por edhe fjetja në shtat dhe shumica e të burgosurve flinin, meqë na zgjonin në orën 5.00 të mëngjesit.

-Pse po e nget, iu kisha drejtuar Miletiqit, paksa me zë qortues, meqë e dija se ai nuk do të më hidhërohej në asnjë mënyrë.

-Më fal profo por po ta dije si unë se kush është kjo shtazë me fytyrë njeriu,  nuk do të më qortoje. Mendoj se këtë qëllimisht e kanë futur këtu për të na provokuar.

-As edhe gjumin, që ma siguron rregullorja e burgut nuk po më lini rehat ta bëj, kishte thënë Kapiteni Dragan dhe kishte vazhduar. Paska vdekur një armik i Jugosllavisë, nuk u bë nami. E di sesa dhembje kanë profa dhe Agimi, por nuk  të kuptoj ty, Sllavko as këta magjarët e butë që po shprehin ngushëllime. Kur ka vdekur prijësi ynë i madh, Josip Broz Tito, pesë vjet më parë, Enver Hoxha ka thënë se vdiq armiku më i madh i Shqipërisë dhe i socializmit. A nuk është ashtu profo, m’u kishte drejtuar Kapiteni Dragan.

-Nuk po flisnin për ty, ti këqyr punon tënde, askush nuk po të gërget për këtë rast, ia ktheva.

-Ky Dragan pederi e ka me mua, por e bën me hile, si gjithnjë, thotë Sllavkoja dhe i drejtohet:

-Dëgjo pede, ka vdekur njeriu më i drejtë dhe më trim, që nuk iu ka përkulur askujt, madje Amerikës, as Rusisë.

-Vajto pra, bërtit piskat, çirre fytyrën, në dash edhe vrite veten  se të paska vdekur më i dashuri, ia kishte kthyer tërë mllef, Dragani, por nuk ishte ngritur nga krevati.

-Përse po bërtet kaq fort, m… i ndyrë, apo  e bën për të dëgjuar “muria” sesa patriot je ti,  që dhunon vajza të mitura.

Dragani ishe ngritur nga krevati, kishte filluar të përgatiste rrobat dhe na kishte bërë me dije se do të kërkonte të largohej nga dhoma, meqë, sipas tij iu kishte bërë e padurueshme,  nga presioni që po ushtrohej nga ne të tre, por veçmas nga Sllavkoja.

-Nuk do të nxirresh kaq lehtë, pede, meqë nuk je burrë, fillimisht  do të hysh atje, kishte bërë me dorë nga VC-ja që ndodhej në këndin e dhomës, përballë derës.

-Shko në të satemë ti dhe Enver Hoxha i  kishte thënë ters.

-Mos më shaj more bir bushtre se t i thyej turinjtë kishte thënë dhe i kishte rënë grusht aq fort në gjoks sa ia kishte zënë frymën.

Në moment ishte hapur dega e dhomës nga gardiani kujdestar, magjari Llasllo, dhe dy gardianë të tjerë, të cilët kishin përgjuar bisedën dhe shamatën.

-Të gjithë ktheni shpinën dhe rreshtohuni me duar për muri!,  kishte urdhëruar  gardiani.

Në raste të tilla të burgosurit duhej të ngrehnin  duart lart, mbështetur për muri dhe të zgjeronin këmbët anash,  në pozitë që të mund të kontrolloheshin nga gardianët mos kishin ndonjë gjësend, nga frika për ndonjë kurdisje, me qëllim për t i rrëmbyer gardianët dhe për të ikur nga burgu,

-Çka po ndodh këtu, m’ kishte drejtuar gardiani, duke më prekur shpinën me pendrekun që e mbante në dorë.

-Gjëra që ndodhin. U dha lajmi se vdiq Enver Hoxha dhe kjo mjaftoi për shamatë.

-Për shamatë apo për rrahje?

-Përfundoi  vetëm me një grusht, sepse ky kapiteni ma shau nënën dhe Enver Hoxhën kishte ndërhyrë Sllavkoja.

-Nuk të pyeta ty, mos leh, ia kishte kthyer gardiani Llasllo.

-Nuk ke të drejtë të më krahasosh me qenin, i thotë Milietiqi.

-Je më i keq se qeni ia kishte kthyer, kapiteni Dragan.

-Për ty jam tigër, jam luan…

-Pse po i drejtoheni vazhdimisht profesorit, e jo neve që po bëjmë shamatë, kishte ndërhyrë Agim Leci.

-Praj ti, di unë kë pyes nuk mbeta të të pyes ty, more vesh!. Gardiani ishte rezervuar dhe Agimit nuk i kishte thënë mos leh. Kjo linte për të kuptuar se ai do ta ndëshkonte Miletiqin.

Agimi nuk ishte përgjigjur, ndërsa gardiani më kishte urdhëruar të kthehesha më fytyrë nga ai dhe të shpjegoja se çka kishte ndodhur.

Me kohë e kisha vërejtur se të gjithë gardianët hungarezë kishin simpati ndaj meje, në radhë të parë si njeri i arsimuar dhe që nuk shkaktoja asnjë problem, Të gjithë e dinin se kisha edhe simpatinë e drejtorit të burgut, edhe pse ajo nuk deklarohej hapur.

Kisha shpjeguar rrjedhën e ngjarjeve, i vetëdijshëm se ata kishin përgjuar dhe nuk kisha edhe çka të fshihja.

-Kapiten, a është e vërtetë kjo që po thotë ky shoku yt i dhomës.

-Nuk e kam shok një armik të Jugosllavisë dhe nuk i shpreh ngushëllime për vdekjen e Enver Hoxhës. Po ju e dini mirë se ky është “pogllavica” këtu, ndërsa i manipulon Agimin dhe Miletiqin.

Të gjithë ju gardianët por edhe vetë drejtori i burgut keni simpati për këtë “profon” sikur e quani dhe është pikërisht kjo, të cilën nuk po arrij ta kuptoj.

-Kjo nuk të përket ty.

-Më përket posi jo, i di unë të drejtat e mia në burg, të cilat ju i shkelni për ditë.

-Cilat të drejt për shembull, iu kishte drejtuar gardiani.

-Pse nuk ma siguroni gjumin e ditës, por lejoni të më zgjojnë dhe të më godasin pse nuk kërkoj ngushëllime për vdekjen e Enver Hoxhës?.

-Pse nuk je ankuar, ne këtu nuk kemi kamerë dhe as u përgjojmë se çka po ndodh.

-Po kujt ka mbetur t i ankohesh këtu, ku shqiptarët edhe brenda burgut e bëjnë ligjin?

-Unë ta bëj ligjin ty, dhunues i vajzave të mitura, mos i përziej shqiptarët, unë të godita jo këta.

-Ligji jam unë këtu e jo ti, Miletiq, iu kishte drejtuar me mllef, gardiani Llasllo i gatshëm për ta ndëshkuar. Pasi e kishte urdhëruar të kthehej  me fytyrë nga ai e kishte goditur dy herë me gjoks dhe i kishte thënë, ky është ligji për ty sa për fillim.

Edhe pse goditja kishte qenë e fortë, dukej se trupi i boksierit Sllavko as e kishte hetuar. Ishte mësuar me goditjet e gardianëve.

-Edhe dhjetë grushte të tilla nuk bëjnë sa një goditje imja, gardian.

-Sa një goditje e boksierit të kategorisë Velter, do të  thuash.

-Pikërisht ashtu.

Unë dua të largohem nga kjo dhomë dhe më mirë të më dërgoni ne qeli, sesa në dhomë me ndonjë shqiptar.

-Në të gjitha dhomat ka të burgosur shqiptarë, madje edhe qelitë janë përplot, jo veç këtu, në Vojvodinë  por kudo në burgjet e Jugosllavisë, kishte thënë Agim Leci. Gardiani Llasllo nuk i kishte dhënë rëndësi konstatimit të Agimit, ndërsa Kapiteni Dragan i sigurt se do ta largonin nga dhoma, ia kishte kthyer.

-Do të ndërtojmë edhe qindra burgje të tjera për ju, por Republikën kurrë nuk do t ua japim.

-Kush të pyet ty për Republikën, kapiten që ke dhunuar vajza të mitura, ti je një horr, jo njeri ia kishte kthyer,  Agim Leci, i penduar pse nuk e kishte grushtuar.

-Mjaftë më, merr rrobat tua dhe dil në korridor, kishte urdhëruar “kapitenin”, gardiani kujdestar, Llasllo.

Ahmet Qeriqi

prill 2021

Prishtinë

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Drithijet e  Panairit të librit  të 27-të, “Tirana 2024”.

Dje, pas një maratone prej 5 ditësh në Pallatin gjigand të Kongreseve, u mbyll panairi …